Lajme

ORCA e quan skandaloze masën ndëshkuese për plagjiat, të Këshillit të Etikës, ndaj profesorëve Dugolli dhe Kastrati

Autori: Gazeta inFokus 14:29 | 22 June 2022

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, po e vlerëson skandaloze masën ndëshkuese të Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës, ndaj dy profesorëve të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit.

Sipas ORCA-s, anise tashmë është vendosur që të dy profesorët e kanë shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës duke vjedhur nga burime të ndryshme dhe përmes kësaj vjedhjeje janë ngritur në pozita më të larta akdemike, Këshilli i Etikës, nuk ka vënë masat e duhura ndëshkuese për ta.

‘’Kjo masë ndëshkuese është skandaloze dhe e papranueshme dhe e palogjikshme, e para sepse Këshilli i Etikës përmes kësaj mase e ka legjitimuar plagjiaturën, kjo masë i bën thirrje indirekte profesorëve për të plagjiuar ngase pyetja shtrohet cilit prej profesorëve të universitetit i bëhet vonë nëse nuk mentoron tema të diplomës për dy a tre vite, kur ai/ajo tashmë është rahatuar në pozitën e profesorit/es edhe përmes shkeljeve që ka kryer’’, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

”ORCA nuk do të ndalet. Ne do të vazhdojmë t’i përshkallëzojmë masat që do të marrim. Nëse konsiderojmë se rrugët institucionale janë shtjerrë, kjo që po shihni sot është thjesht dhe vetëm, një hyrje në vazhdën e aksioneve e protestave”.

Lidhur me këtë, në reagimin e tyre thuhet po ashtu që për të mos shkuar tutje me masa më të rënda, ORCA kërkon me urgjencë që:

”Këshilli i Fakultetit Filozofik ta heq nga roli i senatorit të këtij fakulteti Bujar Dugollin. Nuk bën dhe nuk mundet, nja plagjiator të jetë përfaqësues i Fakultetit në Senat, organin që merret me çështje akademike, madje edhe me integritetin akademik. Së dyti, Senati i UP-së si organi më i lartë akademik i institucionit të mos e aprovojë vendimin e Këshillit të Etikës për masat e lehta që i ka propozuar ndaj Dugollit e Kastratit, por t’i përjashtojë të dy nga universiteti siç ndodh në çdo vend të botës kur dikujt i vërtetohet plagjiatura. E pakta që mund të bëjnë tash për tash është heqja e titujve akademikë të fituar përmes plagjiaturës”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera