Lajme

Oda e Mjekëve: Për kirurgët në Spitalin e Vushtrisë vendosim pas organeve të drejtësisë

Autori: Gazeta inFokus 12:52 | 10 January 2023

Kirurgët Arsim Latifaj dhe Ekrem Sefiu janë arrestuar sot, ndërsa Isuf Zekaj është thirrur në telefon dhe i është kërkuar që të dorëzohet në Polici, derisa që të tre janë suspenduar nga puna nën dyshimin se kanë marrë para nga pacientët për të kryer operacionet në Spitalin e Vushtrrisë. Sipas deklaratave të pacientët dhe familjarëve, këto operacione u kanë kushtuar 150 deri në 400 euro, për siç kanë thënë ata, blerje të materialit të nevojshëm për operacion. Për këtë rast kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se kanë informacione vetëm nga mediat.

Sejdiu bëri të ditur se tre kirurgët e përmendur janë anëtarë të Odës së Mjekëve dhe për rastet e tilla fillimisht merren organet e drejtësisë, pastaj merren vendime bazuar në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë.

“Mjekët e apostrofuar janë antarë të OMK-së dhe sa i përket rastin në fjalë OMK ka informacione vetëm nga mediat.  Këto janë raste penale me të cilat fillimisht merren organet e ndjekjes penale , kurse Oda pas verdiktit të këtyre të fundit merr veprime bazuar në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë”, tha Sejdiu për Express.

-Advertisement-

Lajmin për arrestimin dhe suspendimin nga puna e konfirmoi drejtoresha e spitalit Dr. Shekfije Shatri.

“Ju njoftojmë se policia e Kosovës po sa e ka arrestuar në Spital, dr. Arsim Latifaj dhe dr. Ekrem Sefiu. Ndërsa dr. Isuf Zekaj është në pushim vjetor për çka është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici. Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. Isuf Zekaj, shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. Ekrem Sefiu dhe dr. Arsim Latifaj suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”, ka thënë Shatri për Gazetën Shneta.

Për rastin e tre kirurgëve dje janë deklaruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku thuhet se dje kanë pranuar njoftim zyrtar se tre kirurgë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion.

“Në lidhje me rastin e raportuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, “Shekih Zajed” së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion. Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në reagimin e MSH-së.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera