Lajme

NATO dhe BE dënojnë ashpër valën “e tmerrshme” të sulmeve të Rusisë në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus 16:19 | 10 October 2022

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe aleatët evropianë, kanë kritikuar valën “e tmerrshme” të sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë, të cilat kanë lënë të vdekur shtatë civilë dhe kanë plagosur mbi 60 të tjerë, më 10 tetor.

Moska, në anën tjetër, i ka konsideruar sulmet si hakmarrje për veprimet “terroriste” të Kievit, duke përfshirë aty edhe sulmin në fundjavë, në urën e vetme që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Kievi dhe disa qytete tjera ukrainase janë shënjestruar në orët e para të 10 tetorit nga disa valë të sulmeve me raketa.

-Advertisement-

Autoritetet ukrainase kanë thënë se katër rajone – Lviv, Poltava, Sumi dhe Ternopil – kanë mbetur pa rrymë pas sulmeve, dhe se me probleme të ngjashme mund të përballen edhe qyteza tjera.

Shpërthimet shkundin kryeqytetin e Ukrainës

Disa shpërthime goditën lagjen Shevçenskivski në qendër të Kievit, më 10 tetor. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se raketat goditën “infrastrukturën kritike” të qytetit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia i ka planifikuar me qëllim sulmet në mëngjesin e 10 tetorit për të shkaktuar sa më shumë viktima civile, dhe se ka sulmuar infrastrukturën shtetërore për energji, përmes dronëve të prodhuar nga Irani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më 10 tetor se sulmet kanë qenë shenjë e hakmarrjes ndaj veprimeve të Kievit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera