Opinione

Mbi Ramën dhe pjesën e tij prej njeriu

Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 24 December 2019

Gazetarja i bëri një pyetje kryeministrit mbi krimet e Serbisë dhe faktin se Vuçiçi nuk ka kërkuar falje. Kryeministri shqiptar e cilësoi pyetjen patetike. Kjo përgjigje më shtyn të mendoj përmasën njerëzore të atij që sot është kryeministri shqiptar. Për kryeministrin, tërë masa njerëzore që u bë viktimë e ushtrisë dhe paraushtrisë vrasëse serbe ka qenë një ekzistencë patetike, ndaj dhe e tepërt. Dhe këtu është rrënja e problemit tonë si shoqëri, mësimi ynë tepër i lehtë me krimin, mosndëshkimin dhe padrejtësinë. Kur dikush vdes prej padrejtësisë, ne e hedhim lehtë në harresë si diçka të tepërt dhe nuk kërkojmë më për të asnjë të drejtë. Duket se jeta te ne ka vlerë përsa që ajo është aty rastësisht. Nëse dikush e humb prej padrejtësisë, ne e konsiderojmë jetën e tij si një rastësi që gjeti vendin e vet të domosdoshëm, vdekjen. Këtu fshihet burimi i imoralitetit dhe korruptimit të ndërgjegjes sonë kolektive. Nëse dikush vdes, atëherë ai vdes sepse ishte i tepërt. Me vdekjen e tij ai thjesht konfirmon se ishte i tepërt si i gjallë.

Ndaj dhe kryeministri Rama është përfaqësuesi më i denjë i opinionit të ndërtuar mbi jetën e tepërt. Ky kryeministër i shqiptarëve dha brenda një kohe tepër të shkurtër dy përgjigje që dëftojnë se truri i tij nuk ka marrë informacion mbi ekzistencën e të drejtave të njeriut:

  1. Në letrën e tij drejtuar Vuçiçit – pasi ky kishte mohuar masakrën e Reçakut – Rama thotë se të vdekurit duhet të merren me të vdekurit. Me këtë ai po i thotë Vuçiçit që ka kërkuar 100 muslimanë të vrarë për çdo serb të vrarë, se Rama dhe Vuçiçi janë të gjallët. Të vdekurit, bijtë, bijat, gratë, nënat, baballarët e të vdekurve shqiptarë dhe boshnjakë janë të vdekur të gjithë. Nuk thashë që Rama nuk i përket një njerëzimi që në kulturën e vet ka mitologjinë me zotat dhe të vdekurit e përhershëm mes të gjallëve, apo kristianizmin, islamin dhe judaizmin që i vënë fre vdekjes së të gjallit prej të gjallit. Por Rama nuk njeh pra as shpalljen moderne të të drejtave të njeriut, mbi të cilën janë ndërtuar të gjitha kushtetutat. Në bazë të gjithë këtyre parametrave, ai është disi jashtë konceptit të njeriut. Por nuk qenka kusht të jesh njeri për t’u bërë kryeministër.
  2. Tek i përgjigjet gazetares dhe i thotë se është patetike të presësh kërkim faljeje prej Vuçiçit dhe të përmendësh vdekjet – e mijëra të shqiptarëve – ai insinuon teprinë e shqiptarëve. Me vrasjen e tyre bota nuk humbi ndonjë gjë. Është patetike vërtet me ia përmend të gjallëve si puna e tij faktin që disa shqiptarë nuk janë më për shkak të zbatimit të vrasjes shtetërore ushtarake dhe paramilitare. Kush ka vdekur, ishte nisur për të vdekur.

Ta themi ndryshe. Jeta ka humbur vlerë qëkurse korruptimi publik i saj ka zënë fill në shpirtrat e njerëzve që drejtojnë. Dhe që në këtë çast ne mund të deklarojmë se i gjallë është vetëm Vuçiçi, ndoshta dhe Rama. Por çdokush që sipas probabilitetit e humb jetën, nga sëmundja, tërmeti, apo masakrat, ishte nisur për të vdekur, kishte lindur për të vdekur.

-Advertisement-

Më vjen keq që gjuha ka arritur në nivele të tillë dhe që brenda saj është strehuar shumë qetë qetë ideja e vdekjes.

Kjo nuk është përgjigjja e parë tronditëse e Ramës. Ai ka dhënë po të njëjtën përgjigje kur është pyetur mbi largimin masiv të shqiptarëve gjatë qeverisjes së tij. Edhe këtu ai gjeti një zgjidhje që nuk tregon asnjë pikë ndjenje. Sipas tij fajin e kishte liria dhe demokracia që i japin njeriut të drejtën të largohet. Ai nuk e gjeti kurrë përgjegjësia si qeveritar në largimin e shqiptarëve. Pra, shqiptarët janë të tepërt edhe si të gjallë në vendin e tyre. Do të ishte mirë të mendonim që herë tjetër drejtues të jenë njerëz të cilët e duan njeriun, dhe jo trupa që kanë të përbashkët me njeriun numrin e gjymtyrëve dhe faktin se e kanë një kokë si gjithë të tjerët. Duhet pak shpirt në këtë punë qeverisjeje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera