Lajme

Kurti premtoi ndarjen e 100 euro shtesë, reagojnë nga sindikata

Autori: Gazeta inFokus 11:04 | 12 April 2022

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se do të ndajnë nga 100 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik dhe atij privat, pensionistët, studentët, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, BSPK ka thënë se e mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë.

Mirëpo, nga kjo sindikatë kanë thënë se kjo nuk duhet të mbetet vetëm deklaratë.

-Advertisement-

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë, po pret që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet po të realizohet dhe të rrisë sado kudo mirëqenien ekonomike dhe sociale të punësuarve dhe të qytetarëve që e ndërtojnë dhe e duan këtë vend”, thuhet në postimin e BSPK.

Gjithashtu, BSPK tha se presin nga qeveria që t’i përmbyllë kërkesat e tyre për miratimin e Ligjit për Paga.

“Prandaj, presim dhe duam të kemi besimin se Partneri ynë Social – Qeveria kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

1. Miratimin e Ligjit për Paga;

2. Nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore;

3. Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti; dhe

4. Nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse;

t’i përmbyllë brenda këtyre muajve dhe të punësuarve e qytetarëve t’ua japë një infrastrukturë ligjore ashtu siç e meritojnë”, thuhet në postim./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera