Opinione

KUR KOMODITETI TË SJELL BUZË GREMINËS!

Autori: Mehmet PRISHTINA 20:06 | 23 November 2021

Qeveria e tanishme me të drejtë është pa nga shumë kush si qeveri e shpresës, mirëpo ka indikacione se partitë rivale, sidomos LDK dhe PDK, të trimëruara edhe nga rezultati në zgjedhjet lokale,  do të rigrupohen për një koalcion anti-LVV, me qëllim të përmbysjes së skemës së tanishme qverisëse dhe krijimin e një skeme të re

Nga Mehmet PRISHTINA

Kosova posa ka dalur nga procesi zgjedhor për pushtetin vendor, ku pati një garë dinamike e tepër sfiduese. Secila parti po i komenton nga këndvështrimi i saj fitoret dhe humbjet. Ata që humbën në zgjedhjet nacionale më 14 shkurt, po e konsiderojnë rikthim të tyre në zgjedhjet e tanishme lokale, ndërkohë që fituesi absolut i zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit – LVV bashkë me Listën ‘Guxo’, po pretendojnë se kanë avancuar nga zgjedhjet e kaluara lokale, kur i kishin  dy komuna, kurse tani, në këto zgjedhje, sipas tyre,  i kanë fituar katër komuna.

Matematikat zgjedhore janë bërë objekt analizash në një rrafsh më të gjerë të interesimit publik, dhe emërues i përbashkët i këtyre analizave është fakti se skena politike në Kosovë, përpos që po bëhet më konkurruese, ajo ka prirje edhe të profilohet më tepër. Kjo erdhi sidomos pas ndryshimeve që u bënë në drejtimin e partive LDK dhe PDK dhe për rrjedhojë zgjedhjet lokale dëshmuan se në garën politike të vendit po fillon një periudhë e re , ku përballja do të jetë më e fortë në saje të ideve e programeve. Kjo përballje erdhi në shprehje edhe në këto zgjedhje ku LDK e PDK në njërën anë ofruan kandidatura konkurruese e sfiduese, kurse në anën tjetër LVV shkoi në zgjedhje me njëfarë komoditeti, duke llogaritur në jehonën e fitores së 14 shkurtit.

Këtë dobësi të LVV e  shfrytëzuan për mrekulli partitë rivale, të cilat arritën të imponohen me kandidatë konkurrues në disa komuna, ku Prishtina ishte modeli më i mirë i kësaj konkurrence. Humbja e Prishtinës për LVV mund të komentohet në mënyra të ndryshme, por shikuar politikisht ata që e humbin kryeqytetin llogariten si humbës moral të zgjedhjeve përgjithësisht. Partia që fiton në kryeqytet, i ndez motorët për fitore të tjera dhe, kryesisht në Evropë, kryetarët e kryeqyteteve më vonë janë bërë edhe kryeministra.

Kosova aktualisht ndodhet para sfidave të mëdha. Pandemia ende parqet rrezik kolektiv për shëndetin e qytetarëve, kriza energjetike po multiplikon kriza të tjera, kurse hasmëria e pambyllur me Serbinë, paraqet majën e ajsberkut të këtyre sfidave. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti i ka bërë disa hapa reformues, mirëpo afër tij ende rrotullohen do ministra që mbajnë hapur anën e bizneseve të caktuara, për llogari që vetëm ata i dinë. Kryeministri Kurti shumë shpejt duhet të mendojë për një riformatim të kabinitetit të tij qeveritar, sepse disa po “ia pijnë duhanin tinëz“. Biznset janë radiografia më e mirë e një shtetit. Nëse bizneset ankohen dhe ankesat  e tyre shkojnë në vesh të shurdhër, shumë shpejt ndodhë zhgënjimi dhe vota popullore i tregon më së miri përmasat e këtij zhgënjimi.

Qeveria e tanishme me të drejtë është pa nga shumë kush si qeveri e shpresës, mirëpo ka indikacione se partitë rivale, sidomos LDK dhe PDK, të trimëruara edhe nga rezultati në zgjedhjet lokale,  do të rigrupohen për një koalcion anti-LVV, me qëllim të përmbysjes së skemës së tanishme qverisëse dhe krijimin e një skeme të re.Prandaj edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare po shikohen si shansë për rikthimin në pushtet të partive rivale – LDK dhe PDK, të cilat do të detektojnë për çdo ditë dobësitë e Qeverisë dhe do t’i përkthejnë ato në platfoma zgjedhore.

Vend për komoditet tek LVV nuk ka, sepse siç po shkojnë punët, ajo do të përballet me një furtunë kundërshtarësh edhe politik, edhe social, edhe gjeopolitik. Nëse vazhdojnë të ndjehen komod, disa ministra të LVV shumë shpejt do të ndodhen në greminën e karrierës së tyre.

Prishtinë, 23 nëntor, 2021

Të tjera