Lajme

Komuna e Prishtinës i del kundër Kurtit: S’bëjmë lista për t’i hequr grevistët nga pagat

Autori: Gazeta inFokus 15:26 | 31 August 2022

Më 1 shtator nuk do të nisë viti i ri shkollor. Kështu tha pak më parë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë për media, duke thënë se greva do të vazhdojë. Për t’ia “ulur kokën” grevistëve, Ministria e Financave kërkoi listën e grevistëve, në mënyrë që atyre t’iu ndalet paga. Por siç duket ky “kërcënim” nuk po kryen punë, pasi komuna e Prishtinës thotë se mbi 95 për qind e shkollave janë në grevë.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, në një përgjigje me shkrim, i ka thënë Gazetës Express, se nuk kanë krijuar lista të grevistëve dhe nuk do t’i krijojnë.

Musmurati deklaroi se këtë informatë, së bashku me të gjitha komunat e Kosovës, e kanë përcjellë dje tek ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

-Advertisement-

Drejtoresha Musmurati në këtë përgjigje me shkrim tha se janë kundër instrumentalizimit të komunave “për të ndëshkuar njërën apo tjetrën palë të grevës”.

“Nuk janë krijuar lista të tilla dhe si komunë nuk do t’i krijojmë. Këtë informatë e kemi përcjellë dje tek Ministrja Nagavci së bashku me të gjitha komunat e Kosovës në takim me kolegjiumin e drejtorëve të arsimit. Ne jemi kundër instrumentalizimit të komunave për të ndëshkuar njërën apo tjetrën palë të grevës”, tha Musmurati.

Ajo thotë se Qeveria dhe SBASHK-u duhet të dialogojnë mes vete, në mënyrë që mësimi të fillojë nesër.

“Konsiderojmë që Qeveria dhe SBASHK-u duhet që të kenë dialog mes vete që mësimi të fillojë nesër. Kemi ofruar mbështetjen tonë për Qeverinë nëse kanë nevojë të ndërmjetësojmë dialogun me SBASHK-un. Ne besojmë që dialogu social është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin por asnjëherë nuk do të lejojmë që komunat të instrumentalizohen për qëllime të caktuara”, tha Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë.

Ne konferencën e sotme të SBASHK-ut, Jasharaj tha se nxënësit nuk kanë çka të vijnë në shkollë, pasi mësimdhënësit janë në grevë.

“Nxënësit s’kanë çka të vijnë në shkollë pasi mësimdhënësit janë në grevë të cilën nuk e deshën por s’patën zgjidhje tjetër. Grevën nuk po e bëjnë individët, është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit, por edhe punëtorëve të tjerë”, tha Jasharaj.

Përveç Jasharajt, konferencë sot mbajti edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku deklaroi se komunat duhet të raportojnë te Departamenti i Thesarit për personat që vijojnë punën, ata që mungojnë ose personat që janë punëtorë shtesë.

Në rast se komunat nuk i raportojnë, Nagavci tha se Ministria e Financave duhet ta respektojë legjislacionin.

“Sa i përket çështjes se ndalesave dhe obligimeve që ndërlidhen me pagat , komunat për çdo muaj i raportojnë departmetnit të Thesarit në Ministrinë e Financave, për ata që vijojnë punën, për ata që mungojnë ose që janë punëtorë shtesë. Si MASHT nuk ndërlidhemi me pagat, sepse komunat janë punëdhënësi, edhe komunat janë të obliguara t’i raportojnë Departamentit të Thesarit në MF, edhe nëse nuk i raportojnë atëherë sigurisht që MF duhet të respektojë legjislacionin në fuqi…Sa i përket asaj se si do të vazhdojë çështja e pagesave, ajo ishte edhe kërkesa ime konkrete specifike, unë i lus edhe njëherë mësimdhënësit që ta lexojnë legjislacionin në fuqi dhe ligjin për grevat dhe të vendosin vetë se si do të vazhdojnë punën tutje”, ka deklaruar Nagavci.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera