Lajme

KMLDNJ pyet ministrin Mehaj: Ku do t’i strehosh 5 mijë refugjatë nga Ukraina?

Autori: Gazeta inFokus 14:13 | 15 February 2023

Pas deklaratës së ministritë të Mbrojtjes, Armend Mehaj se Kosova është e gatshme që të strehojë 5 mijë refugjatë ukrainas, kanë reaguar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Përmes një njoftimi për media, KMLDNJ ka pyetur ministrin Mehaj se ku do t’i strehojë 5 mijë refugjatë nga Ukraina.

Po ashtu në reagim thuhet se një deklaratë të tillë ministri Mehaj nuk  e ka thënë vetëm njëherë.

-Advertisement-

“Jo për herë të parë, ministri Armend Mehaj ka deklaruar se Kosova ka mundësi dhe kapacitete t’i strehojë, së paku 5,000 refugjatë nga Ukraina sikur edhe të trajnojë ushtarë nga ky shtet që po lufton dhe mbrohet nga agresioni i Rusisë”, thuhet në reagim.

Tutje sipas njoftimit bëhet e ditur se Kosova ka strehuar një numër simbolik të shtetasve nga shtetet arabe që janë strehuar përkohësisht në Kosovë, e cila për institucionet e vendit sipas KMLDNJ-së ka paraqitur problem në menaxhimin e tyre.

Lexoni më poshtë reagimin e plotë nga KMLDNJ:

KMDLNJ MINISTRIT MEHAJ: KU DO T’I STREHOSH ATA 5000 REFUGJATË NGA UKRAINA?!

Jo për herë të parë, ministri Armend Mehaj ka deklaruar se Kosova ka mundësi dhe kapacitete t’i strehojë, së paku 5,000 refugjatë nga Ukraina sikur edhe të trajnojë ushtarë nga ky shtet që po lufton dhe mbrohet nga agresioni i Rusisë.

Kosova ka strehuar një numër thuaja simbolik të shtetasve të shteteve arabe që janë strehuar përkohësisht në Kosovë e që institucionet e Kosovës po kanë shumë vështirësi dhe probleme në menaxhimin e sjelljeve të tyre dhe, në një masë edhe po ua shkelë të drejtat e njeriut.

Refugjatët nga vendet arabe dhe ata që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, një pjesë e tyre përfundojnë në burgje kurse të tjerët në strehimore për azilkërkues që kanë kapacitete shumë të kufizuara. Fati është se shumica e tyre që kanë kërkuar strehim të përkohshëm, Kosovën e konsiderojnë si vend dhe mundësi të shkojnë në njërin nga shtetet perëndimore.

Ndërkaq, premtimi i ministrit Mehaj për strehimin e së paku 5000 qytetarëve – refugjatëve nga Ukraina në Kosovë është, më shumë premtim politik për faktin se Kosova nuk ka, as mundësi materiale e as logjistike për strehimin e një numri aq të madh të refugjatëve aq më parë që nuk dihet se kur do të përfundojë lufta në Ukrainë.

Kosova, përveç bazave ushtarake që janë përdorur më herët nga KFOR –i, nuk ka kapacitete për të vendosur një numër prej 5000 refugjatëve për një kohë më të gjatë aq më parë që trajtimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut e që Kosova, në rrethana të një krize ekonomike ( globale ) nuk mund të garantojë as për qytetarët e saj.

Refugjatët eventualë nga Ukraina duhet të kenë kushte të mira materiale për vendosje, shërbim shëndetësor cilësorë, shkollim  në të gjitha nivelet në gjuhën e tyre apo në gjuhën që e kuptojnë, siguri fizike, asistencë materiale, liri të lëvizjes dhe shërbime tjera të domosdoshme e që Kosova, pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe agjencive të specializuara për refugjatë si UNHCR –i, IOM –i, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe të tjera, e ka thuaja të pamundur ta bëjë këtë.

Jo shumë moti në Kosovë kishte vërshime në disa rajone të Kosovës, me dëme të konsiderueshme materiale me ç ‘rast një numër i familjeve u detyrua të kërkojë strehim të përkohshëm ( kryesisht te familjarët e afërm ) dhe Kosova nuk pati kapacitet të kujdeset për ta, madje as me intervenime emergjente e tash, po kjo Kosovë, përmes minitrit Mehaj premton strehimin e, së paku  5000 mijë shtetasve refugjatë nga Ukraina.

KMDLNj –ë, këtë premtim deklaratë të ministrit Mehaj e konsideron të papërgjegjshme, të parealizueshme, të dëmshme dhe e tëra kjo bëhet për keq – përdorim politik, përkatësisht për përfitim politik. Pastaj, dihet mirë se cili është qëndrimi i serbëve të Kosovës për luftën në Ukrainë dhe, pa asnjë dyshim kjo do të paraqiste problem për sigurinë e këtyre refugjatëve nga Ukraina.

Kosova, me mundësitë modeste që i ka po kontribuon, përmes ekipeve të specializuara në disa raste të fatkeqësive elementare si në Shqipëri dhe, tash edhe në Turqi.

Ministri Mehaj, si shtetas i Norvegjisë mbase edhe të Kosovës duhet ta ketë të qartë se një vend ku pensionistët, si kategoria më e diskriminuar dhe kontribut dhënëse, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, jo që nuk kanë mundësi të jetojnë pleqërinë në kushte të dinjitetshme, por as vdekjen nuk mund ta përballojnë dinjitetshëm.

Një vend ku kategoritë sociale nuk kanë kushte as për të blerë bukë të mjaftueshëm, si do të kujdesen për 5000 refugjatë.

Një vend ku inflacioni ka përmasa alarmuese dhe ka kaluar në stagflacion dhe kur nuk kemi fare rritje të pagave, pensioneve dhe asistencës sociale është joserioze të premtojë vendosjen e 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Për shkak të këtyre kushteve dhe mungesës së perspektivës, rinia e Kosovës, të punësuar dhe të papunësuar edhe vet po shndërrohen në refugjatë duke shkuar në shtetet perëndimore dhe duke pakësuar ofrimin e thuaja të gjitha shërbimeve për qytetarët, që nga mbrojtja shëndetësore, shkollimi e deri  edhe te mungesa e punëtorëve të pakualifikuar.

Vendosja e 5,000 refugjatëve nga Ukraina pamundësohet për shkaqe ekonomike dhe politike aq në parë që në planin politik kundërshtohet nga serbët lokal dhe se Ukraina nuk e njeh Kosovën si shtet!

Aspekti humanitar në Kosovë është relativizuar shumë sepse as qytetarët e Kosovës nuk trajtohen krejtësisht si duhet në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, për shkaqe ekonomike, në radhë të parë, dhe shkaku se jemi të izoluar dhe privuar nga e drejta elementare e njeriut për shkak të mos liberalizimit të vizave që po kushtëzohet me lëshime politike.

Për qa kohë sa të jetë Armend Mehaj ministër i Mbrojtjes duhet të kujdeset për mirëqenien e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, që ata të mos largohen nga FSK –ë, të rrisë kapacitetet profesionale dhe mbrojtëse e jo të merret me luftën e Ukrainës për të cilën askush nuk e pyet asgjë dhe nuk ka asnjë ndikim. Lërini përrallat!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera