Lajme

Kapen 45.5 kg drogë në portin e Durrësit, arrestohen dy kosovarë

Autori: Gazeta inFokus 23:06 | 15 June 2022

Një tjetër sasi e konsiderueshme droge është kapur në Portin e Durrësit mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Report Tv mëson se bëhet fjalë për 45.5 kg kokainë e ndarë në 40 pako kokainë. Sasia e drogës ishte fshehur në një konteiner që vinte nga Brazili, i ngarkuar me mish pule. Nga burimet, raportohet se porositësi i mishit është një shtetas nga Maqedonia e Veriut, teksa janë ndaluar 2 persona, shtetas kosovarë, shoferi dhe një përfaqësues i firmës.

Droga mendohet se kishte dy porositës, kjo për shkak se edhe pakot ishin të ndara, me imazhe të ndryshme, por që si personazh kryesor kishin protagonistin i filmit të animuar “Goku”. Secila pako peshonte nga 800-1400 gramë secila.

-Advertisement-

Njoftimi i policisë:

Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”.

Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit.

Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera