Lajme

Hoti për dialogun: Transparencë zero, opozitën po e informojnë ndërmjetësit

Autori: Islam Morina 18:37 | 24 August 2022

Ish kryeministri, tash deputet i LDK’së, Avdullah Hoti, ka akuzuar qeverinë se nuk është aspak transparente sa i takon dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Infokus.

Ai ka thënë se opozita po informohet p╒r dialogun nga ndërmjetësit e dialogut lidhur me ecurinë e bisedimeve, por jo edhe nga Qeveria e Kosovës.

Hoti e ka akuzuar kryeministrin edhe për grevën në arsim, krizën me energji elektrike si dhe mos marrjen e masave për ta zbutur inflacionin.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

“Kosova nuk po qeveriset. Krizat e reja po i mbulojnë të vjetrat. Kreu i Qeverisë, që më shumë rri jashtë vendit se brenda, mban konferenca për media për të menaxhuar krizat, e jo për të promovuar projekte e punë të reja. Zyrtarët e Qeverisë e nisin dhe e mbyllin ditën pa asnjë punë të kryer.

1. GREVA NË ARSIM: Asnjë përpjekje nga qeveria për të parandaluar grevën. Viti i ri shkollor mund të mos fillojë sipas planit. Qeveria nuk po bisedon me sindikata për të gjetur një zgjidhje që i merr parasysh kërkesat e sindikatave dhe mundësitë buxhetore.

2. KRIZA ME RRYMË: Asnjë plan se si do të kalojmë dimrin që po vjen. Situata është kritike në mes të verës. Askush nuk di pse në mes të verës ka reduktime kur konsumi i energjisë është relativisht i ulët. Çmimi i drurit dhe peletit, si alternativë për ngrohje, është dyfishuar që tani. Ndërmarrjet e energjisë elektrike (KEK, KEDS, KESKO e KOSTT) janë në kaos sa i përket borxheve ndaj njëra-tjetrës.

3. INFLACIONI: Asnjë masë nuk është ndërmarrë – as rritje e pagave e as ulje e përkohshme e tatimeve. Inflacioni ka arritur në 19%, e jo 14% siç e nxjerrin shifrat zyrtare. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka paralizuar aktivitetin ekonomik të shumë firmave. Asnjëherë nuk është takuar “Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik” për të diskutuar për sfidat e bizneseve.

4. DIALOGU: Transparenca është zero. Askush nuk di se çfarë po bisedohet në Bruksel. Opozitën e informojnë ndërmjetësit e dialogut se çfarë po ndodh dhe çfarë po i kërkohet Kosovës”. ka shkruar Hoti në Facebook./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera