Lajme

Haradinaj e quan Kurtin mashtrues: Ishte në luftë me të gjithë, por i shpalli luftë edhe vetvetes

Autori: Gazeta inFokus 11:03 | 23 March 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kritikuar qeverisjen dyvjeçare të kryeministrit Albin Kurti, ndërsa e quajti mashtrues.

Kreu i AAK-së në një konferencë për media kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të implementojë sa më parë marrëveshjen franko-gjermane.

Haradinaj theksoi se kryeministri Albin Kurti me qeverisjen dyvjeçare ka hyrë në luftë me të gjithë, duke përfshirë edhe kategorinë e lirisë, duke mos i përkrahur me pagën minimale.

-Advertisement-

“Në dy vite të qeverisjes, Kurti, sipas meje ishte në luftë me të gjithë, por që përfundoi në luftë me vetveten. Kurti i shpalli luftë të gjithëve, si fillim i shpalli luftë kategorive të lirisë duke mos i përkrah me pagën minimale, i shpalli luftë të punësuarve në sektorin publik duke mos i përkrah me rritje pagash, i shpalli luftë të gjithë sipërmarrësve duke mbajt peng buxhetin e Kosovës dhe duke ndal investimet kapitale…

E vazhdoi duke i shpall luftë komuniteteve etnike në Kosovë, e po ashtu edhe aleatëve tonë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, nga kjo qeverisje jo vetëm që është lodh qytetari i vendit, por edhe aleatët tanë, ata më besnik e tradicional.

“…Dhe ka arritur t’i lodh ShBA-në të cilët për një vit nuk pranojnë zyrtarët të kësaj qeverie në Washington”, tha ai.

Haradinaj po ashtu kërkoi nga kryeministri Kurti që të filloj implementimin e marrëveshjes me seriozitet, pasi siç u shpreh ai situata në vend është shumë serioze, raporton Telegrafi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëj eksperimente me obligimet që ka marr për të implementuar marrëveshjen franko-gjermane.

Haradinaj më tej e quajti Kurtin mashtrues për qeverisjen dyvjeçare, por tha se si AAK mbështesin Propozimin franko-gjerman.

“Ne e ndajmë qeverisjen Kurti, vlerësimin tonë për Kurtin si mashtrues… propozimin franko-gjerman që është dhe amerikan ne e përkrahim…Nuk guxojmë në asnjë variant mos me qenë serioz në implementim të marrëveshjes. Pra, Kosova nëse vonohet, nëse eksperimenton, nëse humb kohë do të na thellohen pasojat që veç ekzistojnë, izolimi ynë i brendshëm, vështirësitë në veri dhe në planin e sigurisë mungesa e një marrëdhënie kontraktuale të Kosovës me aleatët e Kosovës, në këtë rast me NATO-n. Ju e dini nesër shënojmë 24 marsin e vitit 1999, imagjinoni Kosovën pa aleatët e vet, andaj i bëj thirrje që të jemi serioz”, ka thënë ndër të tjera kryetari i AAK-së. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera