Opinione

GJEOGRAFIA E ARMIQËSISË

Autori: Ditmir Bushati 12:18 | 02 October 2021

Përplasja për targat e makinave në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe tensionet në veriun e Kosovës të nxitura nga Beogradi, tregojnë para së gjithash ngecjen e politikës së zgjerimit të BE-së, sikundër hezitimin e saj për të artikuluar pa asnjë ekuivok “njohjen e ndërsjellë”, si qëllimi final i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më shumë sesa për targat e makinave, kjo përplasje risolli në skenë nevojën e ushtrimit të reciprocitetit si bazë e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore. Konflikti i papërfunduar Serbi-Kosovë, ndonëse jo i vetmi në Ballkanin Perëndimor, reflekton atë që Vladimir Gligorov në vitin 2008 do ta përkufizonte si “gjeografia e armiqësisë”. Për fat të keq, ky është stadi në të cilin ndodhet rajoni, thuajse dy dekada pas zotimeve të udhëheqësve të BE-së në vitin 2003 në Selanik, për anëtarësimin e rajonit në BE, dhe vetëm pak ditë larg mbajtjes së Samitit në Brdo pri Kranju ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përgjatë procesit të dialogut, me shpresën se Serbia do ta njihte Kosovën, asaj i është toleruar ndërtimi i një sistemi që bazohet në fuqinë e një individi. Kur vjen puna për linjëzimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Serbisë i është lejuar të “ulet në disa karrige”. Ajo ka ndërtuar një partneritet ushtarak me Rusinë dhe tregtar me Rusinë e Kinën. Njëkohësisht, është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor i integruar në zinxhirin e vlerës së shtuar ekonomike të BE-së.

-Advertisement-

Për shkak të dobësisë së BE-së, shoqëruar me mungesën e unitetit, Serbia është toleruar gjithashtu në qëndrimet e veprimet e saj që synojnë revizionimin e historisë. Për më tepër, Serbia ka arritur të formësoj aleanca me disa vende anëtare të BE-së, të cilat gravitojnë në kundërshtim me parimet dhe vlerat që mishëron BE-ja.

Megjithëse shkaktarja kryesore e luftrave që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90, Serbia ka arritur ta mbajë rajonin në një gjendje thuajse të përhershme tensioni, duke luajtur njëkohësisht, në mënyrë hipokrite, kartën e bashkëpunimit rajonal, por duke mos pranuar asnjëherë barazinë e shteteve pjesëmarrëse në rajon.

Konflikti dominues që përshkoi shekullin e kaluar në rajon midis serbëve dhe kroatëve duket se u adresua në mënyrë europiane me pranimin e Kroacisë në BE. Mirëpo kjo e transformoi “gjeografinë e armiqësisë” nga një konflikt serbo-kroat në një konflikt mes Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Kështu, Serbia e interpreton procesin e “normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën” të ndërmjetësuar nga ana e BE-së, si negociatë për statusin e Kosovës edhe pse shumica e vendeve të botës demokratike dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kanë vulosur pavarësinë e Kosovës. Përmes ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe ajo kundërshton në thelb ekzistencën e Malit të Zi; minon në mënyrë sistematike funksionalitetin e Bosnje Hercegovinës; mohon ekzistencën e Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut si një entitet i pavarur.

Shqipëria, ndonëse një vend me qasje mesdhetare dhe asnjëherë pjesë e ish Jugosllavisë, gjen veten të përfshirë në “gjeografinë e armiqësisë” në Ballkanin Perëndimor, për shkak të raportit special me Kosovën.

Është e qartë se “gjeografia e armiqësisë” ndikon në dobësinë ekonomike të rajonit dhe potencialit për të çliruar energji pozitive. Sipas një studimi të Westminister Foundation for Democracy, vendet e rajonit humbasin rreth 5.5 miliard euro në vit, për shkak të emigrimit të të rinjve të shkolluar dhe mosmarrjes mbrapsht të investimeve për edukim ndaj tyre. Ndërkohë që mungesa e investimeve serioze nga kompani shumëkombëshe, siç është rasti i vendeve të Vishegradit, rrit hendekun zhvillimor të rajonit me mesataren e BE-së.

Në kushtet kur procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të rajonit ka ngecur, reagimi i BE-së mbetet anemik. Në mosmarrëveshjet e konfliktet e mësipërme BE-ja preferon t’i drejtohet “palëve”, paçka se njëra palë është gjithmonë e pandryshueshme. Nga ana tjetër, BE mbetet një partner politik dhe ekonomik i pazëvendësueshëm në rajon. Ndaj dhe “palët” kërkojnë ndërmjetësimin e BE-së për të garantuar marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin e saj, apo për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Shfaqja e ambasadorit dhe zyrtarëve të ministrisë së mbrojtjes Ruse përkrah ministrit të mbrojtjes serb dhe shefit të shtabit të përgjithshëm gjatë inspektimit të trupave serbe në kufirin me Kosovën i dha situatës një dimension tjetër. Duhet thënë se KFOR ka një mandat të qartë në lidhje me garantimin e integritetit territorial të Kosovës dhe më posaçërisht në veri të saj. Rrjedhimisht, tentativat për krijimin e skenarëve të ngjashëm me Ukrainën, Moldavinë apo vendet e Kaukazit nuk kanë asnjë shans të përsëriten në këtë kënd të Europës.

Gjithsesi, për të dekurajuar çdo sjellje në të ardhmen, vendet e rajonit anëtare të NATO-s, duke përfshirë edhe Kroacinë, duhet ta trajtojnë këtë ngjarje që lidhet me sigurinë e rajonit, në tryezën e NATO-s, siç bëjnë baltikët apo polakët sa herë përballen me sfida të ngjashme. Për këtë nevojitet një koncept i qartë strategjik që ndërtohet brenda NATO-s, në bashkëveprim edhe me aleatë të tjerë.

Ndërkohë që Serbisë mund t’i duhet më shumë kohë për të pranuar realitetin e pakthyeshëm, është e rëndësishme që BE-ja dhe NATO të mos e humbin investimin e tyrë në rajon. Sinergjia ndërmjet “karrotës” së BE-së dhe “shkopit” të SHBA-ve është domosdoshmëri për transformimin e “gjeografisë së armiqësisë” në një gjeografi të paqes e prosperitetit brenda BE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera