Escobar: Kemi marrë zotime që Serbia nuk do t’i refuzojë zgjedhjet në veri, do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe
Autori: Gazeta inFokus 20:58 | 18 July 2023
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.
Ai i ka bërë këto deklarata para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Duke folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transaltantike.
Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai është ndalur sidomos të Marrëveshja e Ohrit – e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në mars të këtij viti – duke thënë se ajo ofron mundësi të jashtëzakonshme që dy vendet të krijojnë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën.
“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Për t’i çuar përpara aspiratat për anëtarësim në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndryshimet kushtetuese për ta njohur pakicën bullgare. Ne e mbështesim fuqishëm këtë hap të vështirë, por të nevojshëm, dhe jemi të angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë, për t’u siguruar se ajo nuk do të ketë kërkesa të reja, sapo Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kërkesat e marrëveshjes ekzistuese”.
Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.
“Rusia mbetet ofrues ekskluziv i gazit natyror për disa vende të Ballkanit Perëndimor, një kërcënim serioz për sigurinë rajonale. Teksa e zhvillon luftën kundër Ukrainës, Kremlini përhap dezinformata – shpesh përmes mediave në gjuhën serbe – me qëllim të krijimit të ndasive dhe rritjes së tensioneve fetare dhe etnike.
Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve.
“Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.
“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre – të ardhme në të cilën qeveritë mbahen përgjegjëse, mbështetja për të drejta të njeriut është e madhe, dhe ku të gjithë përfitojnë nga siguria ekonomike.
Për Bosnje – Hercegovinën
Escobar ka thënë se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.
“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.
Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës./REL
Të tjera
-
Krasniqi: Me iniciativën time u funksionalizua spitali i pediatrisë në Mitrovicë, në mandatin e ardhshëm angazhim më i madh
Fëmijët në Mitrovicë prej disa muajsh po marrin shërbimet e nevojshme mjekëso...
-
Kina reagon pranë OBT-së për tarifat
Kina paraqiti një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë, pasi Shtetet e ...
-
Musliu: Mësimdhënësit janë ata që japin dije dhe vlera, duke edukuar breza të tërë
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, me numrin 12, Ganim...
-
KQZ hesht për kamionin gjigand që erdhi nga Beogradi me kamera për zgjedhjet e 9 shkurtit
Një kamion gjigand që erdhi nga Beogradi shkarkoi përplot paketime me kamera ...
-
Kërkesat për azil në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku renditet Kosova
Shqipëria ka numrin më të ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor të të huajve ...
-
Specialja i dënon me burgim edhe Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe...
-
24-shi i PDK-së: Për Mushtishtin me një të ardhme ma të mirë
Arber Behluli, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosov...
-
Kjo është Jeta Rafuna me numër 45 nga LDK, e cila po merr përkrahje të jashtëzakonshme nga qytetarët
Jeta Rafuna, kandidate për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës me numër...
-
Haxhi Shala dënohet me tri vite burgim nga Gjykata Speciale
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala është dënuar me tri vite burg...
-
Çka mbet kur fëmijët tanë ikin? Daut Haradinaj me kampanjë të re
Në një kohë kur shumica e të rinjve e mendojnë emigrimin si opsion për kushte...
-
AAK-Nisma me partnerë të koalicionit sot mbajnë tubim në Prishtinë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), bashkë me partnerët e koalicionit, so...
-
Publikohen biseda të tjera në WhatsApp, kryeministri Kurti i propozon Nagip Krasniqit punësimin e një aktivisti
Një bisedë tjetër në grupin e WhatsApp-it të funksionarëve të lartë qeveritar...