Lajme

Detaje nga prokuroria për të shtënat me armë para Ministrisë së Industrisë

Autori: Gazeta inFokus 09:11 | 11 October 2022

Të shtëna me armë zjarri pati gjatë pasdites së djeshme në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë.

Për disa orë radhazi kjo rrugë qëndroi krejtësisht e bllokuar nga Policia e Kosovës.

Një veturë në qarkullim u godit nga të shtënat me armë, nga një person i dyshimtë që po qarkullonte me një motoçikletë.

-Advertisement-

Kësisoj me të dëgjuar të shtënat, në vendin e ngjarjes arritën edhe njësitë policore.

I dyshuari në këtë rast kishte arritur që të largohej nga vendi i ngjarjes, ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë janë deklaruar lidhur me rastin.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, tha për lajmi.net se rasti tashmë është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

“Rasti të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të dyshuarve, si dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështje penale”,tha Ulaj.

Lidhur me rastin nga Policia e Kosovës u theksua se “Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar nga një motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture. Nuk raportohet për persona të lënduar.

Po ashtu u tha se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit i cili është cilësuar vrasje në tentativë.

Ndryshe deri më tani nuk ka pasur ndonjë informacion nëse i dyshuari është identifikuar apo lokalizuar, por mbetet të shihet nëse Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të arrijnë që të ndalojnë në një afat më të shkurtër, të dyshuarin në këtë rast.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera