Lajme

Dëshmitari i gjashtë thotë se nuk e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999

Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 03 May 2023

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dëshmitari që mban numrin 11 në seancën me kundër pyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka thënë se në vitin 1999 nuk e ka njohur Pjetër Shalën.

Vazhdimi i dëgjimit të këtij dëshmitari me pyetjet e avokatit të Shalës, është vijuar në disa raste në seancë private. Avokati mbrojtës i Shalës e ka pyetur për vendin ku janë mbajtur dhe për diskutimin që kishte pasur me Xhemshit Krasniqin.

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen e ka pyetur dëshmitarin nëse e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999, kur pretendon se është ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.

-Advertisement-

Louis Gilissen: Në vitin 1999, a e njihnit ndonjë që quhej Pjetër Shala, ku ishit në fabrikën e metalit në Kukës?

Dëshmitari: Jo”, u përgjigj ai.

Në përgjigjet e tij, dëshmitari ka mohuar se e ka njohur para vitit 1999, Xhemshit Krasniqin. Më tej, ka shtuar se i njëjti ka pasur lidhje në ndalimin dhe arrestimin e tij.

Derisa avokati e ka pyetur dëshmitarin se a është tifoz futbolli, seanca është mbajtur e mbyllur.

Pas kthimit në seancë publike, dëshmitari ka folur për vendin se ku kanë fjetur.

Louis Gilissen: Gjatë kohës që keni qenë i ndaluar, a keni pasur batanije ose dyshekë në dispozicion?

Dëshmitari: Po, kemi pasur. Vetëm në një periudhë një-ditore na janë hequr prej dhomës.

Louis Gilissen: Po dhe atë që unë quaj ‘u zhdukën batanijet’ dhe dyshekët, a keni diskutuar këtë çështje me Xhemshit Krasniqin, pra fakti që janë zhdukur dyshekët dhe batanijet?

Dëshmitari: Unë nuk e kam njohur Xhemshit Krasniqin dhe në një moment kur ka ardhur te dera dhe na ka parë në beton çka kemi qenë, pa batanije, na pyete prej kur, aty tregoj që ‘unë jam Xhemshit Krasniqi’, aty e kuptova dhe ndërkohë brenda ditë brenda ditës na kanë sjellur batanijet dhe dyshekët prapë në dhomë”, është përgjigjur dëshmitari në pyetjet e avokatit mbrojtës të Shalës.

Tutje, dëshmitari tha se Xhemshit Krasniqi nuk ishte në dijeni për heqjen e dyshekëve dhe batanijeve nga dhoma ku po mbaheshin.

Derisa është pyetur për lëndimet që ka marrë, dëshmitari i ZPS-së ka pretenduar se këto ishin të dukshme dhe as për këtë nuk ishte në dijeni Xhemshit Krasniqi. Ai ka theksuar se pas diskutimit me të, nuk është rrahur më.

Louis Gilissen: A ju kujtohet një moment kur zotëri Krasniqi i pa këto lëndime dhe diskutoi me ju për këtë gjë?

Dëshmitari: Po.

Louis Gilissen: A mund t’i shpjegoni trupit gjykues se çfarë ndodhi dhe çfarë diskutuar me zotëri Krasniqin, si ndodhi?Dëshmitari: Ai më bëri pyetjen se kush më ra dhe a e kam parë atë person që më ka ra, i thash që ‘jo nuk e kam parë, nuk e kam njohur, e kam pasur kokën ulët dhe për një moment dhe për një moment e kam ndjerë dhimbjen në sy’”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, dëshmitari tha se kjo ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Krasniqi u solli batanijet dhe dyshekët.

Në lidhje me intervistimin nga Osman Kryeziu në fabrikën e metalit në Kukës, dëshmitari pretendoi se ai i kishte thënë se ‘është i befasuar që ai është brenda’.

Dëshmitari i mbrojtur ka shtuar se ai ishte liruar pas dy jave, prej kohës kur ishte intervistuar.

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës e ka ballafaquar me deklaratat e mëhershme dëshmitarin.

Louis Gilissen: ‘Ishte shumë i befasuar kur i thash, ai tha se kuptoj pse je këtu dhe më pyeti a jeni intervistuar, unë i thash jo dhe të nesërmen unë shkova në shtëpi’. Kjo është pikërisht, këtë dua që dëshmitari të më komentojë, për këtë fjalinë e fundit?

Gjykatësja: Zotëri dëshmitar, a ju kujtohet që jeni liruar të nesërmen?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet se unë jam liruar kur është hapur dera që ka hy NATO në Kosovë, atëherë është hapur dera dhe kam dal jashtë unë. Tjetër nuk më kujtohet”, u tha në seancën me kundërpyetjet e palës mbrojtëse.

Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera