Opinione

Debllokada e vullnetit të sovranit

Autori: Shkelzen Maliqi 09:13 | 13 January 2020

Kosova sërish ballafaqohet me bllokadën e vendimarrjes politike që për pasojë prodhon krizë të zgjatur të qeverisjes. Edhe pse vota e 6 tetorit dukej më e vendosur dhe më e qartë se herave tjera ngase dy partitë, LVV dhe LDK, fituan vota të mjaftueshme për krijimin e një shumicë stabile për qeverisje, nuk doli ashtu, pasi që liderët e tyre nuk po mirren vesh për qeverisjen e përbashkët.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk janë duke i  përmbushur pritjet e votuesve, e as premtimet që i jepnin me lehtësi kur besohej se së bashku e kanë siguruar shumicën e ulëseve në Kuvend.

Në të vërtetë, nëse në momentin e fundit KQZ-ja nuk do ta konstatonte dhe qertifikonte hyrjen e Koalicionit Nisma-AKR-PD në Kuvend (me një promil të përqindjes mbi pragun!) dy partitë fituese do të mund ta bënin qeverinë edhe vetë, pa kërkuar vota shtesë deputetësh të partive që ua kishin vënë “vijat e kuqe” për bashkëpunim. Por, edhe me raportin aktual (LVV 29 +LDK 28 = 57 deputetë) u evitua varësia nga deputetët e Listës serbe (që e kushtëzonte dhe kufizonte Qeverinë Haradinaj), sepse minusi prej 4 deputetësh mund të kompensohet lehtë me deputetët e minoriteteve të tjera.

Po, ja që edhe deklarimi i qartë i elektoratit në favor të LVV dhe LDK, deri më sot nuk solli kompromisin meritor që do ta rëspektonte vullnetin e shumicës së votuesëve shqiptarë. Negociatat po ngecin me javë të tëra edhe pse liderët e këtyre partive premtonin se marrëveshja është çështje ditësh, në mos edhe orësh.

Kuptohet, ka ende gjasa që marrëveshja të arrihet përkundër zhagitjeve, por në opinion tashmë mbizotëron zhgënjimi dhe përshtypja se bisedimet nuk po shkojnë drejt kompromiseve pajtimtare, por se po ndodh e kundërta, raportet janë duke u acarruar dhe ngatërruar gjitnjë e më shumë. Në vend që të bëhet kompromisi rreth postit të presidentit, e edhe ndonjë nivelizim real i peshës së posteve ministrore dhe të tjera, tani palët sikur janë duke u kthyer në piken zero kur gjithçka po bëhet diskutabile.

Kjo sjelljeje e pandërgjegjshme të partive fituese, përndryshe, me deklarimin e vijave të kuqe për koalicione me tri subjektet e PAN-it që ka qenë në pushtet, nuk lë hapësirë për kombinime të tjera të bërjes së shumicës qeverisëse. Ky edhe është faktori kyç që i ngushton hapësirat manovruese dhe prodhon bllokadën. Me fjalë të tjera, LVV dhe LDK do të mund të bisedonin ndaras edhe me partitë e PAN që së bashku i kanë 43 deputetë, për qeveri alternative (në bazë të numrave janë dy mundësi: LVV+PAN= 62 dhe  LDK+PAN=61) pra, matematikisht këto koalicione do të ishin më “komode” se koalicioni që po negociohet aktualisht (LVV+LDK=57) e që do ta bënin qeverinë edhe pa votat e deputetetëve të minoriteteve! Në këtë listë të opcioneve të hapura ka edhe kombinime të tjera koalicionesh që japin shumcën.

Por, ja që kjo nuk po ndodhë për shkak të interpretimeve të ngurta të Kushtetutës e cila nuk përcakton qartë procedurat në rastet e veçanta kur ndarja e votes krijon vështirësi për krijimin e koalicioneve. Një interpretim i mëhershëm i Gjykatës Kushtetuese e ka fiksuar se e drejta për mandatarin e qeverisë i takon subjektit që ka më së shumti vota në zgjedhjet.

Në kohën kur është bërë ky interpretim, që tani është i pëligjur si detyrim, më herët ishte favorizuar PANI, kurse aktualisht partia fituese LVV-ja.

Prej saj pritet që edhe zyrtarisht ta dërgoj emrin e Albin Kurtit te Presidenti Hashim Thaçi, në mënyrë që ky ta mandatojë atë për kryeministër. Ka tre muaj që vetë Kurti e edhe të tjerët e shohin atë si kryeministër, por formalizimi nuk ka ndodh ende, madje nuk po mund të niset as afati dy javësh sa i jepet kandidatit për kryeministër që t’i mbledh votat e përkrahjes për zgjedhjen e tij në Kuvend.

Për më shumë Kushtetuta nuk e përcakton qartë, (ose interpretimet rreth kësaj janë të ndryshme edhe nga ekspertët), as procedurën dhe kompetencat e Presidentit në rast se dështon mandatari i pare.

Në rastin konkret shtrohet pyetja si do të procedohet nëse Albin Kurti nuk i siguron votat e shumicës dhe e kthen mandatin? Ose edhe del para Kuvendit dhe nuk e voton shumica. A e ka të drejtë Presidenti që ta mandatojë ndonjë kandidat të radhës dhe nga cili subjekt? Disa thonë duhet të jetë nga subjekti i njëjtë fitues, disa e lënë të hapur, që Presidenti ta vlerësojë se cili subjekt dhe cili prej liderëve ka më shumë gjasa të sigurojë përkrahjen e minimumit prej 61 deputetëve.

Pasi që kushtetuta nuk i detalizon procedurat për situatat komplekse që krijohen në praktikë, do të duhej që ajo të plotësohej ose të përcaktohet me ligj të veçantë.

Ajo që determinon problemin aktual e konstituimit të qeverisë dhe zgjedhjen e Kryeministrit, është reduktimi artificial i vullnetit të elektoratit në dy fitues që nuk e kanë shumicën automatike të kontrollit të pushtetit, dhe që deri më sot nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë as koalicionin e mangët me 57 deputetë, ku pastaj do të mund t’i kërkonin edhe votat shtesë nga deputetët e partive tjera, zakonisht të partive minoritare, por mund të jetë edhe ndonjë “pehlivan” nga partitë humbëse të zgjedhjeve, siç ka ndodhë më herët.

Kur e them se po bëhet reduktimi i vullnetit të elektoratit e kam parasysh se aktualisht të gjitha opcionet e pushtetit lidhen me LVV dhe LDK-në, ndërkaq që Kuvendi i ri si tërësi, ka ende edhe disa opsione të tjera, edhe pse vertëm matematikore dhe teorike, për krijimin e koalicioneve alterantive, që formalisht nuk do të ishin aspak më legjitime se koalicioni LVV me LDK.

Por, pyetja që shtrohet këtu është, çka nëse Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk e bëjne qeverinë, a duhet të shkohet detyrimisht në zgjedhje të reja?

Mendoj se në rast të dështimit Presidenti e ka për detyrë ta hap rrugën për alternative të tjera të koalicioneve, nga kushdo që ia sjell minimumin e 61 nëshkrime se mund ta bëjë qeverinë. Gjithësesi janë gjasat e mëdha që kjo tentativë do të dështonte, por përgjegjesitë që i ka ai si President e detyrojnë që t’i shtjerr të gjitha mundësitë që i jep vullneti i tërësishëm i votës së 6 tetorit, që nuk mund të jetë pronë ekskluzive e fituesëve relativë, që në këtë rast së bashku i kanë 57 deputetëve, gjithsesi më shumë se 43 deputetët e ish PAN-it, por që me 6 tetor kanë garuar ndaras dhe në parim nuk mund t’iu mohohet e drejta për participim në qeverisje, nëse ka mandatar që i fton për koalicion alternativ.

Mirëpo, përparësia e fituesve relativë bëhet e llogaritshme dhe e vlefshme vetëm nëse LVV dhe LDK e pajtojnë koalicionin, dhe jo nëse nuk mirrën vesh dhe duan që vendin ta çojnë sërish në zgjedhje. Në atë rast nuk duhet të bllokohen tërësisht alterantivat për koalicione të tjera, por i lihet mundësia krijimit të cilësdo shumicë të deputetëve, pa paragjykuar orientimet dhe “vijat e kuqe” të mosbashkëpunimeve mes tyre.

Mendoj se Presidenti i Kosovë, jo si Hashim Thaçi por si simbol dhe mbrojtës i unitetit të vendit dhe figurë parimisht mbipartiake, duhet ta ketë të drejtën e diskrecionit për caktimin e një mandatari të dytë, nëse dështon i pari.

Kushtetuta e Kosovës nuk i ka detalizuar procedurat e situatave diskutabile të mundshme, p.sh. nëse raporti mes LVV dhe LDK do të ishte jo si me 6 tetor 29 : 28, por ajo e barazisë së plotë, p.sh. që të dy partitë të fitonin nga 29 deputetë. Kjo nuk përjashtohet, apo jo? Bile, ka mundur të ndodh edhe me 6 tetor. Në atë rast ndoshta do të duhej t’i jipej përparësia subjektit që ka fituar qoftë edhe 1 votë më shumë se subjekti tjetër, vetëm se edhe kjo do të duhej të përligjej si e tillë në formë rregullash të shkruara.

Por ajo për çka besoj se duhet të reflektohet lidhur me situatën e krijuar është se pas çdo rezultati të zgjedhjeve pikënisja duhet të jetë tërësia e elektoratit, sepse vetëm tërësia e votuesve përben sovranin legjitimues të zgjedhjeve.

Andaj unë flas për fituesit relativë dhe jo absolut të zgjedhjeve, që disa madje e ngatërrojnë edhe te raporti mes LVV dhe LDK, kur subjektin e parë e konsiderojnë bartës së vullnetit të popullit dhe sovranit. Jo, nuk e përfaqëson LVV-ja vullnetin i sovranit por vetëm pak më shumë se një të katërtën e këtij vullneti, dhe as me LDK-në së bashku nuk e përbëjnë vullnetin e shumicës, por ndalen te 57 deputetë së bashku, dhe u duhen “patericat” e ftesës për subjektet tjera që ta bëjne qeverinë.

Në rast se LVV dhe LDK nuk arrijnë marrëveshjen dhe duan që ta çojnë vendin në zgjedhje të reja të parakohëshme, Presidenti do të duhej ta kishte të drejtën diskrecionale të fillojë konsultat me të gjitha subjektet politike parlamentare për ta kërkuar kandidatin eventual altertnativ që ia garanton mbledhjen e shumicës prej minimum 61 deputetëve. Vetëm nëse LVV dhe LDK, edhe pas konsultave shtesë, deklarohen se nuk pranojnë të bëjnë koalicione me partitë e ish PAN-it, plus partitë e minoriteteve, atëherë do të detyrohej t’i shpall zgjedhjet e reja.

Megjithatë, mendoj se Presidenti do të duhej të kishte edhe të drejtën për kërkimin e një alternative të tretë, që të evitohen zgjedhjet në afatet e shkurtëra siç e përcakton ligji, duke u konsultuar për një kryeminstër dhe qeveri teknike me mandat të kufizuar, brend termeve dhe afateve me të cilat do të pajtoheshte shumica e subjekteve politike.

Një gjë tjetër me rëndësi që do të duhej të shqyrtohej në përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe avancimit të sistemit tonë parlamentar është shqyrtimi i mundësisë së rritjes së numrit të deputetëve që zgjedhen me votën e qytetarëve jashtë kuotave të rezervuara për deputetet e minoriteteve, që aktualisht është 100 : 20 (83.3 % me 16.7 %) me një raport më përfaqësues për strukturën e popullsisë së Kosovës.

Kuvendit të Kosovës do të mund t’i shtoheshin të paktën edhe 20 ose 30 deputetë, prej të cilëve 18 ose 28 do të ishin përfaqësues të shumicës, kurse 2 të komuniteteve të minoriteteve që ende nuk janë kategori kushtetuese (minoriteti malazezë dhe kroat) dhe ku proporcioni edhe më tej do të mbetej më i favorshëm për minoritetet në krahasim me përbërjen e popullsisë: në rastin e parë, nëse Kuvendi do të kishte 140 deputetë, ky raport do të ishte 84.3 %: 15.7 %, kurse në Kuvendin me 150 deputetë raporti do të ishte 85.3 % me 14.7 %.

Të tjera