Lajme

Bora e prillit, jo diçka e pazakontë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 14:01 | 04 April 2023

Të reshurat e borës që nisën në Kosovë që nga mbrëmja e së hënës dhe vazhduan edhe gjatë ditës së sotme  mund të ju kenë zënë të papërgatitur, madje edhe mund të ju ketë çuditur.

Por Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se kjo dukuri nuk është diçka e pazakontë, sidomos këtyre viteve të fundit.

Aliu tha se kjo nuk është hera e parë që vendi përballet me një mot të tillë në këtë muaj pranvere.

-Advertisement-

“IHMK mban shënime të arkivuara në databazë dhe ka pasur raste, sidomos viteve të fundit, kur në muajin prill kemi pasur reshje bore dhe temperatura edhe më të ulëta se këto që do të jenë gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka thënë Aliu.

Meteorologu theksoi se freskia e verës nuk përcaktohet nga temperaturat e regjistruara në vend kohëve të fundit, por nga aktivitetet e cikloneve e anticikloneve.

“Nuk do të thotë se do të ketë verë të freskët si pasojë e këtyre temperaturave të larta që u regjistruan në këtë tremujorin e parë të këtij viti 2023, sepse vera në Evropë diktohet ose varet nga aktivitetet e Ciklonit të Islandës, Anticiklonit të Siberisë, Anticiklonit të Azoreve dhe masave të nxehta që rrugëtojnë nga Afrika Veriore drejt kontinentit Evropian”, ka thënë Aliu.

Aliu konfirmoi se ky mot dimëror në mes të pranverës vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike.

“Ndryshime klimatike kemi, sigurisht se kemi, sepse vetë zhvendosja apo spostimi i këtyre dy elementeve meteorologjike, reshjeve dhe temperaturës, nënkupton se kemi ndryshime klimatike. Prej vitit 1961 deri më  tani, kemi rritje të temperaturës në nivel global për 1.2 deri 1.3 gradë celsius”, ka shtuar Aliu, për Klankosova.tv.

Ai tha se ky mot me temperatura të ulëta parashihet të zgjasë deri të enjten, pastaj tabloja termike, sipas tij, do të shënojë rritje graduale. Ndërkaq, theksoi se rënia e borës në këtë kohë është e dëmshme për pemët që kanë lulëzuar.

“Rënia e borës sjell dëme te pemët të cilat kanë lulëzuar, duke ndikuar në rendiment, pastaj ka efekt negativ mekanik, sepse u krijon peshë trupit të pemës dhe i thyen ato, kështu që pemëtarët e dinë se si duhet t’i shpëtojnë pemët në këto raste”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera