Lajme

Bislimi në Hungari: Kosova me shkallë impresionuese të uljes së papunësisë

Autori: Gazeta inFokus 09:32 | 14 May 2024

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit të tij në Budapest, ka qenë i ftuar në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA), ku ka ligjëruar dhe bashkëbiseduar me përfaqësues të institutit e ku pjesëmarrës në audiencë ishin edhe diplomatë, njohës të çështjeve ndërkombëtare e studentë.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë fjalës hyrëse, Bislimi ka përmendur “shkallën impresionuese të uljes së papunësisë në vend, si dhe rritjen ekonomike e indikatorët makro ekonomikë pozitiv të cilët përmirësuan performancën e shtetit në tri vitet e fundit”.

Ai ka përmendur edhe procesin e regjistrimit të popullsisë, që pritet të përmbyllet këtë të premte.

-Advertisement-

“Duke theksuar se regjistrimi i popullsisë i cili po zhvillohet është i rëndësishëm për pajisjen me të dhëna të sakta e ngritjen e politikave të mirë targetuara, ai shtoi se në vazhdimësi është punuar në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve, pa dallim. Nënvizoi se zhvillimi që ka njohur vendi ynë ka ardhur përtej barrierave me të cilat jemi përballur, dhe se eliminimi i tyre zgjeron mundësitë, kapacitetet e potencialin tonë për avancim të mëtejshëm demokratik”, thuhet në njoftim.

“Më tej, ai theksoi se është e rëndësishme të sigurohemi që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përmendi edhe arritjen e liberalizimit të vizave, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, si dhe synimet e objektivat e vendit në procesin e integrimit evropian në prag edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Hungaria, rëndësinë e zgjerimit dhe Planit të Rritjes të BE-së, punën e përpjekjet tona në këtë drejtim si dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet tutje në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera