Lajme

Biden shpall zonën përreth Kanionit të Madh monument kombëtar

Autori: Gazeta inFokus 08:26 | 09 August 2023

Duke filluar nga e marta, Kanioni i Madh do të jetë në listën e monumenteve kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Vendimi i Presidentit Biden ofron mbrojtje federale për një sipërfaqe prej rreth 405,000 hektarësh në shtetin e Arizonës, që njihet si fushëbetejë elektorale. Veprimi synon të çimentojë qëndrimin e presidentit për çështjet e mjedisit. Prej disa dekadash fiset indigjene dhe ambjentalistët kanë kërkuar mbrojtjen e zonës turistike.

“Ruajtja e këtyre tokave është e mirë, jo vetëm për Arizonën, por për planetin. Është mirë për ekonominë dhe shpirtin e vendit”, tha Presidenti Biden.

-Advertisement-

Fiset në Arizona i patën kërkuar presidentit që të ushtrojë autoritetin e tij në bazë të Ligjit të Antikiteteve të vitit 1906 për të krijuar një monument të ri kombëtar të quajtur “Baaj Nwaavjo I’tah Kukveni”.

“Baaj Nwaavjo” do të thotë “ku enden fiset”, sipas gjuhës së popullatës Havasupai, ndërsa “I’tah Kukveni” përkthehet në “gjurmët tona”, sipas gjuhës së folur nga fisi Hopi.

Presidenti e lidhi vendimin me përpjekjet e administratës së tij për të luftuar ndryshimet klimatike, ndërsa vuri në dukje temperaturat ekstreme të kësaj vere. Presidenti po zhvillon një turne për të nxitur planin e tij për ekonominë.

Ai tha se nxehtësia ekstreme ishte përgjegjëse për më shumë vdekje sesa fatkeqësitë e tjera natyrore si përmbytjet dhe uraganet, por shtoi, se asnjë nga këto nuk duhet të jetë e pashmangshme.

Presidenti Biden kritikoi gjithashtu mbështetësit e lëvizjes “Make America Great Again” të ish-presidentit Donald Trump për kundërvënien ndaj përpjekjeve për të promovuar energjinë e gjelbër dhe për të zgjeruar mbrojtjen federale për mjedisin.

Presidenti Biden tha se vendimi kërkon që qeveria federale të përmbushë detyrimet e saj në bazë të traktatit me fiset indigjene amerikane.

Ligjvënës republikanë dhe industria e minierave të uraniumit që operon në zonë e kishin kundërshtuar përcaktimin e zonës si monument kombëtar, duke argumentuar përfitimet ekonomike për rajonin dhe se industria minerale është çështje e sigurisë kombëtare.

Ligji i Antikiteteve i vitit 1906 i jep autoritet një presidenti që të mbrojë territore me vlerë historike apo shkencore duke i shpallur monumente kombëtare. Kanioni i Madh “Grand Canyon” njihet si një nga shtatë mrekullitë natyrore të botës./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
MYZHDE për krejt!

Të tjera