Opinione

BETEJA LIGJORE NDAJ SERBISË MBI KRIMET E PANDËSHKAUARA NË KOSOVË

Autori: Gazeta inFokus 23:19 | 13 March 2021

Serbia nuk hoqi dorë nga betejat e paskrupullta propagandistike në botë, për ta paraqitur realitetin të përmbysur, ku agresori bëhet viktimë, kurse viktima-agresor. Në anën tjetër, askush nuk di ta sqarojë pasivitetin e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile në përgjithësi në mosprocesimin juridik të krimeve serbe të kryera në Kosovë. Në letargjinë e këtij pasiviteti ka rënë edhe Shqipëria si shtet

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Ato pak media të huaja që iu është lejuar të shohin nga afër, kanë mundur të vërejnë një shtresë betoni mbi rrugën midis fushave në Batajnicë, afër Beogradit, e cila çon në bazën e policisë të rrethuar me bimësi e shkurre. Disa qindra metra pranë bazës ata kanë regjistruar një tabelë ku shkruan “Ndalohet vëzhgimi, fotografimi dhe hyrja”.

-Advertisement-

Sigurisht kjo ndalesë të shtyn të mendosh se aty diçka fshihet dhe askujt nuk do t’i shkonte ndërmend se pikërisht aty ndodhen viktimat e krimeve të kryera 400 kilometra larg – në Kosovë.

Siç kanë raportuar mediat ndërkombëtare, autofrigoriferë me qindra kufoma shqiptare të Kosovës janë mbuluar me atë shtresë betoni dhe kjo është një përpjekje e autoriteteve serbe për të fshehur vrasjet masive të kryera në Kosovë.

Në të njëjtën varrezë masive nga viti 2001 janë gjetur mbetjet e viktimave të krimeve masive në 10 lokalitete të Kosovës – Suharekë, Mejë, Qyshk, Lybeniq, Sllovi, Vuçitërn, Nakaradë, Gjakovë, Pejë dhe Fushë Kosovë.

Sipas Fondi për të Drejtën Humanitare, kufomat e para u sollën në Batajnicë më 6 prill 1999, në orët e para të mëngjesit.

Deri më tani, në Batajnicë janë zhvarrosur 744 trupa, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë. Pas zhvarrimit, varrezat masive u mbuluan, u rrafshuan dhe mbi to tani është ndërtuar baza e Njësisë Speciale Antiterroriste e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Është vërtetuar se transferimi i trupave është kryer me urdhër të Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

Krimet që i kishte kryer Serbia në Kosovë, është munduar t’i fshehë, por edhe të paraqesë një të vërtetë të sajën mbi historinë e luftës që kishte ndodhur në vitet 1998/99. Sipas të kësaj të vërtete shqiptarët gjoja nuk ishin engjëj. Serbia nuk hoqi dorë nga betejat e paskrupullta propagandistike në botë, për ta paraqitur realitetin të përmbysur, ku agresori bëhet viktimë, kurse viktima-agresor.

Në këto beteja ajo pati miq dhe aleatë që e ndihmuan, Për rrjedhojë në vitin 2010, Dick Marty, një ish-prokuror zviceran, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kishte paraqitur një raport lidhur me gjoja krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Thelbi i propagandës serbe përbëhej nga shtrembërimi i dioptrisë mbi krimet e kryera në Kosovë, duke larguar nga vetja fajësinë, sepse Beogradi ishte shumë i vetëdijshëm se çfarë efektesh do të prodhoheshin në botë pas pamjeve mbi masakrat e kryera mbi fëmijë e pleq në Kosovë. Prandaj edhe raporti i diskutueshëm i Dick Marti, që u shndërrua në Rezolutë të Parlamentit të Europës, ishte pjesë e një strategjie të përpunuar të autoriteteve serbe, e cila duhej t’i imponohet edhe opinionit ndërkombëtar, ku shqiptarët e Kosovës do të paraqiteshin si kanibalistë që kishin hequr organe njerëzish dhe i kishin tregtuar.

Por, Serbia, e ndihmuar nga Rusia, nuk mjaftohej me këto dëshmi të rrejshme dhe pjesë të strategjisë së vet kundër Kosovës e projektoi edhe çështjen e dënimit të krimeve të luftës nga ana e shqiptarëve. Pasoi ajo që ndodhi, ku nën presionin ndërkombëtar u miratua nga Parlamenti i Kosovës, e njohur si Gjykata Speciale e Kosovës, në të cilën nuk është i punësuar asnjë shtetas i Kosovës. Krijimi i kësaj Gjykate bazohet në një marrëveshje midis Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës në vitin 2014, ku theksohet se baza ligjore për krijimin e saj duhet krijuar nga qeveria e Kosovës me ligj. Kështu Parlamenti aprovoi më gusht të 2015 një ndryshim kushtetute për t’i hapur rrugë krijimit të saj.

Ngritja e kësaj Gjykate erdhi si pasojë e agresivitetit propagandistik të Serbisë në qarqet ndërkombëtare dhe qasjes tepër defanzive të institucioneve të Kosovës ndaj procedimit të krimeve serbe. Tani kemi një realitet bizar, ku, në njërën anën, çlirimtarët dhe mbarë popullata shqiptare e Kosovës duhet të vuajnë pasojat e kësaj qasjeje defanzive, kurse, në anën tjetër, prej momentit kur është formuar Gjykata Speciale, nuk flitet më në OKB, Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Europian, për masakrat serbe në Kosovë, por për krimet e UÇK- së(!).
Ofenzivat serbe në Kosovë ishin intensifikuar në pranverë të vitit 1998, me sulmin barbar mbi familjen Jashari në Prekaz të Ulët, ku mbetën të vrarë afro 60 anëtarë të kësaj familje.

Po në këtë vit (1998) funksiononte edhe Gjykata për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ishte kompetente për hetimin dhe gjykimin edhe të krimeve në Kosovë.

Prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, krimet në Kosovë i ka përshkruar si një ndërmarrje e përbashkët kriminale e cila drejtohej nga Presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq.

Por, çuditërisht statuti i kësaj Gjykate nuk i ka penguar institucionet e shtetit shqiptar të dokumentonin me hetime dhe prova krimet e kryera në Kosovë. Sipas këtij statuti, çdo shtet, pra edhe Shqipëria, mund të kryente hetime dhe ishte i detyruar që provat të dërgoheshin në Gjykatën e Hagës.

Deri më tani askush nuk e ka shpjeguar pasivitetin e juristëve dhe të institucioneve kryesore të shtetit shqiptar, përfshi Qeverinë, Parlamentin, Ministrinë e Drejtësisë , të cilët do të duhej të përpilonin një plan të hollësishëm për të dokumentuar dhe hetuar të gjitha krimet serbe në Kosovë.
Kemi dëgjuar arsyetime se tani është bërë vonë për ta bërë një gjë të tillë, por praktikat ndërkombëtare kanë dëshmuar se ka raste të tjera të ngjashme në kuptimin e ballafaqimit me të kaluarën ku gjykatat janë krijuar shumë më vonë se sa kur kanë ndodhur krimet. Rasti më flagrantë është rasti i Kamboxhias kur është krijuar një tribunal ndërkombëtar hibrid. Aty krimi është bërë nga kmerët e kuq në vitin 1975-76 ndërsa krijimi i kësaj gjykate është bërë në vitin 2003.

Në Kosovë deri më tani janë bërë disa përpjekje minimale për të proceduar juridikisht krimet serbe dhe janë të pamjaftueshme iniciativat e deritanishme, siç është edhe Rezoluta për themelimin e Tribunalit për Krimet serbe në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash në qershor të 2019-tës miratoi “rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë”. Rezoluta që u miratua me 79 vota për dhe pa asnjë kundër, i hap rrugën nismës për krijimin e një Tribunali që do të ndjekë dhe gjykojë krimet e pretenduara të kryera nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998-99.

“Gjatë luftës së Kosovës forcat e Serbisë dhe Malit të Zi, por më shumë të Serbisë, dëbuan mbi një milionë shqiptarë, vranë mbi 12 mijë persona, civilë të pambrojtur nga ,shumica shqiptarë. U vranë mbi 1300 fëmijë, u dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra dhe u bënë mbi 100 masakra…Të sigurohet ndëshkimi i atyre që kanë kryer dhe kanë nxitur krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Mohimi i krimit të gjenocidit konsiderohet fyerje e rëndë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Ministria e Drejtësisë kishte nisur procedurat për plotësim të Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë të të gjithë personave që kanë kryer krime, mirëpo kjo ka mbetur vetëm një premtim i parealizuar i pushtetit në ikje.
Është folur edhe për një nismë që do të përgatiste terrenin për nxjerrjen e një ligji që sanksionon mohimin e krimeve, mirëpo deri më tani asgjë nuk është bërë.

Krimet serbe të kryera në Kosovë do të mund të gjenin trajtim adekuat nëse merren në shqyrtim dosjet e mbushura me këto krime makabre, aq më tepër kur ato tash më janë të dokumentuara nga organizatat joqeveritare, siç është Fondi për të Drejtën Humanitare, sipas së cilës, nga evidencat e tyre 13,500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq 1600 persona akoma konsiderohen të zhdukur, shumica nga ta shqiptarë të Kosovës.

Në anën tjetër, sipas Komisionierit te Larte te Kombeve te Bashkuara per Refugjatet (UNHCR), gjatë tri javëve te para te bombardimeve te NATO-s, 525,787 refugjate nga Kosova vërshuan në vendet fqinje. Thuhet se forcat e qeverise shperngulen 862,979 shqiptare etnike nga Kosova dhe disa qindra mijëra te tjerë u zhvendosën brenda për brenda Kosovës, përveç atyre qe ishin zhvendosur para marsit 1999. Me shume se 80 për qind e gjithë popullsisë së Kosovës – 90 për qind e se cilës përbëhej nga shqiptarë- u zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Kjo shpërngulje biblike e popullatës së Kosovës të përkujtonte planet monstruoze që janë bërë gjatë historisë që si pikësynim ka spastrimin etnik, prandaj institucionet e Kosovës do të duhej të përdornin argumentet juridike-ligjore që ky projekt gjenocidal i Serbisë të penalizohet në gjykatat ndërkombëtare.

Human Rights Watch dokumentoi gjithashtu praktiken e njohur te “spastrimit te identitetit”: refugjatëve shpesh iu merreshin dokumentet e identitetit dhe detyroheshin te hiqnin targat nga makinat dhe traktorët e tyre para se të lejoheshin qe te kalonin kufirin. Para se te arrinin kufirin, shume shqiptareve iu shkatërruan dokumentet personale, gjë qe tregon se regjimi serb po përpiqej të pamundësonte kthimin e tyre.

Shpërngulja masive e shqiptareve të Kosovës, sipas analizave të bëra deri më tani, mund t’i ketë shërbyer Serbisë për disa qëllime.
Së pari, ajo mund të ketë patur si qellim të ndryshonte strukturën demografike te Kosovës, e cila do të shpinte pastaj në ndarjen e saj në dy pjesë, një strategji kjo e njohur e nacionalizmit serb.

Së dyti, shpërnguljet mund të kenë patur si qëllim të destabilizonin vendet fqinje: Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Së fundi, synimi i shpërnguljes masive te shqiptarëve mund të ketë qenë t’i bllokonte forcat e NATO-s në vendet fqinje të mos vepronin në mënyrë që të pengohej një sulm nga toka ose, së paku, te dobësohej vendosmëria e aleancës së NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë.

Pjesë e fushatës gjenocidale serbe ishte edhe dhuna seksuale, ndërkohë që keqtrajtimi i shqiptarëve nuk ishin akte të rralla e të izoluara të kryera nga njerëz me uniforma të ndryshme të Serbisë , por instrumente për të terrorizuar popullsinë civile, për të zhvatur para nga familjet dhe për t’i shtrënguar njerëzit të braktisin vatrat e tyre.

Një Tribunal i ngritur për krimet serbe do të vërtetonte edhe shumë pasoja që la pushtimi serb i Kosovës edhe në aspektin ekonomik. Shkatërrimi i pasurisë së popullsisë nga trupat serbe më 1999 shënoi rritje të madhe. Sipas një studimi të UNHCR-se, në nëntor të vitit 1999, pothuaj 40 për qind e të gjithë shtëpive të banimit në Kosove ishin dëmtuar rëndë ose shkatërruar plotësisht.

Përfundimisht, Kosova nuk e ka një muze të vetin që do të dëshmonte krimet serbe të luftës në Kosovë dhe kjo mund të ketë pasoja shumplanëshe.
Së pari, ka rrezik që të harrohen dëshmitë e gjalla, vrasjet, masakrat, keqtrajtimet dhe dhunimet që u bënë ndaj civilëve shqiptar gjatë kohës së luftës.

Së dyti, do të vërtetoheshin tezat e Beogradit se në Kosovë nuk kanë ndodhur krime nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë.

Së treti, të gjitha vuajtjet kolektive të popullatës civile të Kosovës do të relativizoheshin dhe do të krijoheshin mite vetëm për komandantë dhe njerëz të pushtetshëm të pasluftës.
Prishtinë, 13 mars, 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera