Lajme

Banorët e komunitetit ashkali në Novosellë pa ujë, rrugë e ndriqim

Autori: Gazeta inFokus 20:25 | 20 August 2022

Në një lagje të fshatit Novosellë jetojnë afër 70 banorë që i përkasin komunitetit ashkali, të cilët janë pa ujë, rrugë e ndriqim. Ata e kritikojnë komunën e Gjakovës që nuk i mori parasysh kërkesat e tyre.

Muharrem Syla erdhi nga Gjermania me veturë, por ajo i ka mbetur në oborr pasi që i është dëmtuar në lagjen e tij, ku rruga është në gjendje të keqe.

Riparimi i saj, Muharremit pritet t’i kushtojë 200 euro, ndërsa vështirësitë për të qarkulluar nëpër të i tregon vet ai.

-Advertisement-

“Rruga është shumë e dëmtume, kerrin e kom prish, qe 10 vjet është kështu”, tha Muharrem Syla.

Syla tregon se kërkesën për rregullimin e saj kanë dërguar tek çdo kryetar që ka qeverisur në Gjakovë, por që asnjëherë nuk u morën parasysh.

“Te secili kemi kërkuar që rruga të rregullohet por asnjëri nuk ka vepruar”, tha ai.

Por ky s’është problemi i vetëm i kësaj lagje. Banorët këtu kanë telashe edhe me ujin e pijshëm.

7 shtëpitë e kësaj lagje furnizohen më një gyp, që sjell ujin nga Liqeni i Radoniqit.

“Nëse njëra shtëpi e lëshon ujin, tjetra shtëpi nuk ka, prandaj po kemi tepër problem”, tha për t7 Ramiz Zaja, banor i fshatit Novosellë.

Komuna iu ka ofruar një zgjidhje për këtë, por ajo po iu duket e pafavorshme.

“Na ka thanë me pru një gyp prej Radoniqit, ne si banor duhet ose me pagu bagerin me hap kanalin, ose me pagu gypin, skem na aq shume pare”, ka deklaruar Zaja.

Lagjja ka probleme edhe me ndriçimin. Disa shtylla i vendosën vet e gropat mbeten të hapura për shtyllat e tjera.

Megjithatë, ndriçim nuk ka as në lagjen e tyre, e as në rrugën kryesore e cila është afro 200 metra larg nga ku jetojnë këta qytetarë.

“Këtu ka mungesë të ndriqimit, por edhe veturat vinë shumë shpejtë, sikur ne kanë formula ajnc, ju kisha lut mos me vozit kështu, një djal i tezes u kanë më bicikel ka shtyhen kerret u ra në llogem, se u kanë tu e shkel, e kom qu spital”, ka thënë një tjetër banor.

Në këtë lagje të fshatit Novosellë jetojnë afro 70 banorë që i përkasin komunitetit ashkali.

Për ankesat e tyre, televizioni ka bërë përpjekje të marrë përgjigje nga Komuna e Gjakovës, por të njëjtit ishin të paqasshëm/T7

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera