Lajme

Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj zyrtarit të lartë të ATK-së

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 27 September 2022

Gjykata e Apelit të Kosovës, ka marrë vendim me të cilin ka konfirmuar aktakuzën ndaj zyrtarit të lartë të ATK-së Burim Troni, i akuzuar për mos deklarim të plotë të pasurisë.

Sipas aktakuzës të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Tronin për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 shkurt 2022, kishte marr aktvendim më të cilin kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës.

-Advertisement-

Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Troni, avokati Hekuran Haxhimusa për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Kurse, në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Troni, avokatit Haxhimusa të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas vendimit të Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtjes së ta pandehurit janë të pabazuara, kurse aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë me të cilin është refuzuar kërkesa për hudhje të aktakuzës është i bazuar, i drejtë dhe i ligjshëm.

“I njëjti nuk përmban shkelje për të cilat pretendohet në ankesë, e as që ka shkelje tjera të cilat kjo gjykatë çdo herë i vëren detyrimisht sipas detyrës zyrtare dhe sipas vlerësimit të kolegjit penal të Gjykatës së Apelit aktvendimi i ankimuar është i qartë dhe konkretë, arsyetimi i tij është në përputhje të plotë me dispozitivin”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Në vendim po ashtu thuhet se, në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale, është fakti se akuza mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hudhje të akuzës.

Sipas Apelit, vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe nuk ka rrethana tjera që e pengojnë ndjekjen penale.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 7 tetor 2021, i akuzuari Troni ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

Sipas aktakuzës së vitit 2021, Burim Troni po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, respektivisht Ndihmës Drejtor në Drejtorin Rajonale të Prishtinës në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 para. 1 pika 1.3 të Ligjit për Deklarim, Prejardhje dhe Kontrollimin…, duke mos i deklaruar saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë në atë mënyrë që i njëjti në dy deklarimet e fundit të pasurisë dhe në deklarimin me emërimin në pozitën e zyrtarit të lartë publik më datën 3 maj 2019, si dhe në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën raportuese 1 janar-31 dhjetor 2019, nuk e ka deklaruar biznesin e prindit të tij, respektivisht nënës si pronare e biznesit “Jasemine Troni B.I” me emrin tregtar N.T.Sh, “Jehona”.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se, nga biznesi “Cement Plus For Building Materials L.L.C”, ku pronar prej 35% është babai i të akuzuarit Izahir Troni, nuk i ka deklaruar të hyrat respektivisht fitimin e qarkullimit për vitin 2019 në shumën prej 779,618,97 euro të deklaruara në Administratën Tatimore të Kosovës, përkundër faktit se i njëjti në të dy formularët për deklarim të pasurisë, të protokolluara në Agjensinë Kundër Korupsionit me 03 maj 2019 dhe me 19 qershor 2020, ka deklaruar se jeton në bashkësi familjare me të dy prindërit.

Me këtë ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2, të Kodit Penal, për të cilën është paraparë me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Vepra penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera