Fokus

30 maji dita kur vendoset për zgjedhjet e reja, a po pajtohet opozita për shpërbërjen e Kuvendit?

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 20 May 2024

Në mënyrë që Kosova të shkojë në zgjedhje në muajin qershor ose korrik ashtu siç po kërkohet nga partia opozitare, Partia Demokraktike e Kosovës pas takimit që kreu i saj, Memli Krasniqi pati me kryeministrin, Albin Kurti për këtë duhet të vendoset të enjten me 30 maj.

Kështu ka deklaruar, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri sot pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit që u bë më dyer të mbyllura.

Ai u ka kërkuar përkrahje partive të tjera opozitare pasi që sipas tij të enjten kur edhe mblidhet Kuvendi është data e fundit për të quar përpara mocionin për shpërbërjen e Kuvendit.

-Advertisement-

“Jemi në afatet e fundit kur duhet të procesohen mocionet për shpërndarjen e Kuvendit. Në mënyrë që vendi ynë tu drejtohet kutive të votimit me datën 30 qershor ose 7 korrik siç kemi propozuar. Deri tani nuk jemi në një situatë ku kemi dakordim mes grupeve parlamentar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme… është mirë që gjuhën e përbashkët që e kemi pasur si opozitë ta finalizojmë në një seancë, e cila do të mbahej javën tjetër”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së sotme.

Mirëpo për këtë kurrsesi të arrihet një gjuhë e përbashkët mes partive opozitare.

Në lidhje me këtë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se nuk duhet të bëhet shpërndarja e Kuvendit pasi kjo do të ishte një ndihmë për dështimet e qeverisë Kurti.

“Shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje, një ‘exit’ për Qeverinë Kurti. Në një farë forme për dështimet e Qeverisë fajin e merr Kuvendi.. Qeveria duhet të shkarkohet vet sepse një qeveri e dëmshme duhet të deklarohet vet për dorëheqje”, deklaroi Tahiri të hënën pas mbledhjes së kryesisë.

Ndërsa pushteti siç duket po qëndron larg këtij debati në mes të partive opozitare. E pyetur se a do të ketë seancë për shpërbërjen e Kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila dha këtë përgjigje.

“Do të ketë seancë ditën e enjte dhe të premten. Nuk ka kërkesë zyrtare për shpërbërje të Kuvendit, por vetëm për debat për 3 vite qeverisje”, deklaroi ajo gjatë konferencës për media pas mbledhjes së kryesisë.

Ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën nuk dolën me qëndrim në lidhje me diskutimet për zgjedhjet e reja.

Mirëpo edhe qëndrimi zyrtar i kësaj partie tashmë është se qeveria duhet të japë dorëheqje dhe jo të rrëzohet me mocion.

Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku po insiston se mënyra e vetme për të shkuar në zgjedhje është që kryeministri, Albin Kurti të japë dorëheqje.

“Takim për zgjedhje por jo dorëheqje! Takim për ndarje të fajësisë mes partive, për marrje të përgjegjësisë! Instrumentalizmi i opozitës është qëllimi tyre! Në këtë instrumentalizim ata kanë gjetur dhe aleat! Por nuk do të gjejnë Lidhjen Demokratike”, ka dekalruar para 4 ditësh, Abdixhiku në një reagim në llogarinë e tij në facebook ku edhe një herë la të kuptohej se nuk përkrahin asnjë shpërbërje të Kuvendit pa dorëheqjen e Kurtit.

Megjithatë sot PDK-ja i bëri edhe një herë thirrje opozitës që 30 maji është dita e fundit kur duhet të vendoset për mocionin në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në qershor ose në korrik, duke kërkuar përkrahje për shpërbërjen e Kuvendit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera