Lajme

Arratisja e Enver Sekiraqës/ Dështim i drejtësisë, kërkohet përgjegjësi

Autori: Gazeta inFokus 18:49 | 20 May 2024

I dyshuari kryesor për vrasjen e policit, Triumf Riza, Enver Sekiraqa, nuk është gjetur në shtëpinë e tij gjatë ditës së premte e as të shtunën e javës së kaluar. Policia e Kosovës, kishte shkuar për ta kërkuar atë në shtëpi, por nuk kanë hasur në të.

Gjykata e Apelit të premten, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, kishte vendosur ta kthente Sekiraqën në paraburgim, pasi Themelorja më 3 maj  ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të mbrohej në liri.

Pas arratisjes së Enver Sekiraqës, për FrontOnline ka folur Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, policit i cili dyshohet se është vrarë nga Sekiraqa me 30 Gusht 2007.

-Advertisement-

Ai thotë se nuk e ka besuar se mundet me ndodhë kjo.

‘’Unë besoj se asnjë njeri normal nuk e ka paraparë këtë, nuk e ka pritë këtë’’ shprehet babai i policit të vrarë Riza.

Riza, thotë se kjo është punë e drejtësisë dhe se është e pakuptueshme të dërgohet në arrest shtëpiak e pastaj të arratiset.

‘’Mirë por kjo është e sistemit të drejtësisë, nëse ai çohet në burgim shtëpiak e të lirohet krejt është e pakuptueshme kjo’’, deklaron ai.

Shefqet Riza, për Front Online thotë se atij nuk i takon të  flas për këtë çështje, duke thënë se i takon drejtësisë të merret me të.

‘’Mua nuk më takon, le të merren këta të drejtësisë. Ata le ta shqyrtojnë këtë çështje’’ potencon ai.

Riza, deklaron se diçka nuk është duke funksionuar mire në sistemin e drejtësisë rreth këtij rasti.

 ‘’Unë po e shoh se një hallkë nuk po funksionon mirë në sistemin e drejtësisë. Kjo e dëmton sistemin e drejtësisë’’ shton ai.

Për fund, babai i Triumf Rizës, ka vetëm një kërkësë që arrestohet Enver Sekiraqa.

‘’Kërkesa jonë është të arrestohet krimineli edhe asgjë tjetër’’ potencon ai.

Deputeti i VV-së: Arratisja e Enver Sekiraqës, dëmtim i imazhit të drejtësisë

Deputeti i VV-së, njëherit anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, arratisjen e Enver Sekiraqës, e ka quajtur dëmtim të imazhit të drejtësisë në vend dhe se për të do të duhej të kishte masë tjetër.

‘’Dëmtim i imazhit të drejtësisë. Dobësi e shfaqur në sistemin e drejtësisë që nuk kishim dëshiruar të ishte e tillë që një i dënuar nuk do të duhej ta kishte atë masë dhe tashmë ai nuk është i qasshëm për drejtësinë’’ shprehet Dugolli.

‘’Dështim, patjetër dështim’’, thotë deputeti Dugolli për FrontOnline lidhur me arratisjen e Sekiraqës.

Anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë thotë se duke pare veprat e Sekiraqës, pesha e përgjegjësisë penale është e pazakontë.

‘’Nëse i shohim veprat për të cilat ka qenë i dënuar ai, pesha e përgjegjësisë penale është e pazakontë që të jepet një masë e tillë si arresti shtëpiak dhe të arratiset’’ përfundon ai.

Avokati Qerkini: Parandalimi i arratisjes është obligim i organave ligjzbatuese

Avokati Artan Qerkini, për FrontOnline thotë se parandalimi i arratisjes është obligim i organeve ligjzbatuese.

‘’Parandalimi i arratisjes është edhe obligim i organeve ligjzbatuese, megjithëse Gjykata kur jep denim afat-gjatë, gjithmonë ekziston rreziku që një person me ik’’, potencon Qerikini.

Ai thotë se në rastin e Sekiraqës, ai ka mundur të niset nga parimi se ka mundur të kërkoj lirim me kusht.

Po ashtu Qerkini, për FrontOnline, thotë se kur një gjykatë cakton denime afatë-gjatë, zakonisht cakton edhe paraburgim.

 ‘’Gjykata kur shqipton denime afat-gjate, zakonisht cakton paraburgim se rreziku arratisjes është i lartë’’, thekson ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera