Ambasada gjermane: Nuk duhet vënë parakushte, Kosova ta implementojë Asociacionin

Autori: Gazeta inFokus
17:57 | 08 February 2023
Kushtet e Kryeministrit Kurtit për Asociacionin nuk kanë gjetur mbështetjen e gjermanëve. Përderisa ambasada amerikane nuk jep koment për to dhe Lajcak refuzon ta bëjë publik qëndrimin e BE-së, Ambasada gjermane në Prishtinë nuk e vlerëson me vend vënien e parakushteve. Asociacioni, për gjermanët, gjithsesi se duhet të bëhet. Ata përmendin situatën e brishtë në Veri duke thënë se pikërisht për këtë, nevojitet qasje konstruktive.
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij më të fundit për Asocicionin, përmes gjashtë kushteve që i shpalosi në Kuvend. Duke kundërshtuar sistematikisht themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se do ta konsideronte atë, pas plotësimit të gjashtë kushteve të tij.
Ato më pas i ka ndarë me diplomatët e huaj dhe përfaqësuesit perëndimorë që janë përfshirë si ndërmjetës për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Njëherë për njëherë, amerikanët kanë evituar dhënien e ndonjë komenti rreth kushteve të Kurtit, ndërsa Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, ka thënë se BE-ja e ka një qëndrim rreth këtij kushtëzimi, por nuk do ta thotë publikisht.
Ndërsa, nga Ambasada gjermane, duke kujtuar situatën në aspektin e sigurisë në veri, thonë se nuk duhet vënë parakushte për Asociacionin.
“Një qasje konstruktive është urgjente duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe nuk duhet vënë parakushte”, ka thënë zëdhënësi Sebastian Leuschner për Gazetën Express.
Ambasada gjermane rikthekson rëndësinë që e ka për ta plani i iniciuar nga Gjermania dhe Franca, nën siglën e Bashkimit Evropian.
“Propozimi evropian, i bazuar në iniciativën franko-gjermane, është një mundësi historike që duhet të kapet nga të dyja palët. Ai synon vendosjen e raportit mes Kosovës dhe Serbisë në një bazë të re”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Gjashtë pikat e prezantuara nga Kurti nuk e kanë lëkundur Ambasadën gjermane nga qëndrimi i vet për “rëndësinë e Asociacionit”.
“Iniciativa [plani franko-gjerman] është një mundësi unike për përparim të madh në këtë çështje, e cila e ka mbajtur veçanërisht Kosovën mbrapa, politikisht dhe ekonomikisht, për shumë vjet. Për Kosovën, një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është që të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin janë pajtuar në vitin 2013/2015”.
Lajcak të hënën ka ngrënë drekë me Kurtin në Prishtinë dhe aty tha se ia ka kumtuar qëndrimin e BE-së për kushtet rreth Asociacionit.
“Kemi folur për këtë çështje [6 kushtet e Kurtit] dhe e informova kryeministrin rreth pozicionit tonë por s’dua ta bëjë publike analizën legale, ishte e dobishme që e diskutuam këtë”, tha Lajcak.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka zbardhur pak këtë sekret të Lajcakut, duke thënë se “BE-ja ka vërejtjet e saj në dy kushte”, pa treguar se për cilat saktësisht.
Deri tash, Perëndimi që e kërkon me ngulm formimin e Asociacionit, publikisht, nuk ka ofruar hapësirë negocimi të kushteve që ka vënë Kryeministri i Kosovës.
Ndonëse Kurti kushtëzon “për ta konsideruar” themelimin e Asociacionit, Ambasada amerikane në Prishtinë ka nisur diskutimet pa dëshirën e Kryeministrit për ta formuar atë.
6 kushtet e Kurtit për Asociacionin
Duke kryesuar korin e Lëvizjes Vetvënedosje se ‘Zajednica’ nuk bëhet, Kurti ia ka prezantuar deputetëve në Kuvend gjashtë pikat e tij për pranimin e Asociaconit.
Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.

Të tjera
-
Vdes i riu që u aksidentua në Dubravë të Istogut
Ka ndërruar jetë i riu që ishte aksidentuar më 29 qershor në fshatin Dubravë ...
-
Në autostradën Kosovë-Shqipëri paralajmërohen kontrolle me radarë statikë
Për të garantuar siguri më të lartë në rrugët që lidhin Kosovën me Shqipërinë...
-
Nesër, temperaturat deri në 36 gradë celsius
Të hënën parashikohet mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Rrezik nga d...
-
Gruda, Deharit: S’pati guxim ta lexojë aktgjykimin deri në fund – votimi i fshehtë, shkelje kushtetuese
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i ka reaguar kryesuesit të seancës konstit...
-
Terròristët e Banjskës po e ruajnë Vuçiqin, BE-së i dorëzohet lista me policë serbë
Protestat e studentëve në Serbi kanë hyrë në ditën e tetë, teksa pushteti i A...
-
Mustafa – Deharit pasi insistoi për votim të fshehtë: Qasja e VV është mshele gojën, voto qysh t’thojmë na
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, i ka reaguar...
-
Procesi gjyqësor në Hagë po hyn në fazën vendimtare
Në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po i afrohet fundi f...
-
Kam ndryshuar krejtësisht dhe kam bërë sakrifica që nuk i imagjinoni” -Grida Duma rrëfen gjithçka jetën e saj private
Prezantuesja e njohur shqiptare, Grida Duma, ka folur për herë të parë rreth ...
-
Kadrijaj – Deharit: Kushtetuesja e tha se votimi duhet të kthehet në praktikat e mëhershme
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në aktvend...
-
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Bessent, thotë se Musk duhet të qëndrojë larg politikës
Një ditë pasi Elon Musk përshkallëzoi grindjen e tij me Donald Trump dhe njof...
-
Cakolli thotë se VV po insiston në votim të fshehtë, procedurë që ka dështuar 34 herë
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pasi kryesuesi i seancës Avni Dehari shkroi ...
-
Mefail Bajqinovci i lutet Lutfi Hazirit: Ani bre Lutë hajde në koalicion
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, e ka lutur publikisht Lu...