Opinione

A po dështon apo jo Arben Vitia?!

Autori: FATON MEHMETI 09:53 | 20 August 2021

Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në qeverinë Kurti I ka qenë ministri më i popullarizuar, më i vlerësuar për shkak të menaxhimit të mirë që i bëri situatës me Covid 19 në fillimet e saja. Arbeni, aq shumë mori lëvdata sa edhe votuesve të partive tjera u vinte keq që Vitia bashkë me qeverinë u rrëzuar në periudhën më delikate, me që rast edhe situate me Covid ishte nën kontroll.

Me ardhjen e qeverisë Kurti II pas zgjedhjeve të 14 shkurti të këtij viti, Arben Vitia u kthye përsëri në postin e ministrit të shëndetësisë. Fama dhe popullariteti i tij filluan të ndikojnë keq te Vitia, i cili më nuk ishte i përqendruar në punën e tij me Covid, synimet e tija për ngritje në karrierë po i gërryenin suksesin e mëhershëm, me bumerangun e pritshëm.

Duke parë se në botë filloi të shpërndahet me të madhe varianti Delta, Kosovës s’po i bënte aspak përshtypje. Qytetarët sikur harruan se virusi është aktive dhe shumë i rrezikshëm, krahas saj as institucionet s’po ndërmarrin asgjë, pavarësisht se vendimet ishin në fuqi. Maskat sikur u hoqën krejtësisht, distanca s’po respektohej askund, qytetarët në delir e qeveria po flinte. Nuk mjaftonte vetëm vaksina, duhet që policia dhe inspektorët të ishin më aktiv në zbatimin e rregullave nga qytetarët.

Kaq do të mjaftonte që virusi mos të shpërthente, pavarësisht se edhe vetëdija e qytetarëve le shumë për të dëshiruar. Edhe kur situata me Covid ishte e menaxhuar mirë, njësoj si tani që ka dalë nga kontrolli, në te dyja rastet i faturohet ministrit. E vlerësoj të gabuar emërimin e Arben Vitisë në pozitën e ministrit, nëse Albini ka pasur synim paraprakisht që ta kandidojë për kryetar të komunës së Prishtinës. Albini është dashur të di se Covidi është luftë e vazhdueshme, s’do të ishte e mirë që një ministër ta heqësh nga fronti i luftës, ky quhet dezertim, këtu matematika nuk i ka dalë siç ka menduar Albin Kurti. Besoj se Albini e ka emëruar Arben Vitin ministër për të shtuar sa më shumë popullaritetin e ministrit të tij, duke harruar se kjo ishte luftë me ty tehe.

Nuk e parashikuan Albini dhe as Arbeni variantin e ri, i cili ua prishi të gjitha kalkulimet. Arben Vitia është dashur mos të behët ministër nëse ka pasur synime që të kandidojë për kryetar komune, të rrinte me atë respektin dhe famën e ministrit të suksesshëm, të bënte fushatë në Prishtinë, do të ishte shumë herë më e dobishme për te. Është një rregull i njerëzve të zgjuar, të cilët kur arrijnë majën e suksesit në një vend të caktuar, largohen pikërisht kur janë të suksesshëm, në mënyrë që të largohen me dinjitet dhe ata nuk kthehen më asnjëherë në atë detyrë, ekziston rreziku i dështimit i cili edhe do të eklipsonte edhe sukseset e kaluara. Njeriu kthehet kur nuk ka bërë punën si duhet, në mënyrë që të përmirësojë gabimet, Arbeni nuk ishte rast i tillë.

E kundërta e saj, Arbeni është dashur të mos të kthehet më, do të mbetej në mendjen e qytetarëve si ministër i suksesshëm, me gjasat e mëdha që të zgjidhet kryetar i komunës së Prishtinës. Kjo mbase mund të ndodhë prapë, mirëpo Arbeni nuk e ka më reputacionin që ka pasur para ca muajve, pavarësisht a është faji i tij apo jo, fatura i shkon atij për rritjen e rasteve me Covid. I gjendur në këtë situatë, duke ditur se një pjesë e fajit i përket atij vet, kryeministri Kurti ka zgjedhur heshtjen. Duke dashur ta ndihmojë, në të vërtetë Albini nuk i ndihmon asgjë Arbenit, vetëm sa e ka zbehur imazhin e ministrit të suksesshëm. Kjo do të përdoret nga kundërshtarët e Arbenit në fushatën zgjedhore, e cila pak apo shumë, megjithatë do ta dëmtojë Arben Vitinë. Në politikë duhet të jesh edhe i zgjuar, edhe dinak, por mbi të gjitha edhe kalkulues i mirë, ndryshe për një moment dështimi i eklipson edhe sukseset e kaluara.

Të tjera