Opinione

A janë sindikatat të politizuara?

Autori: Arianit Behrami  14:41 | 02 February 2019

Ekzistojnë shumë procese me të cilat qytetarët mund të ushtrojnë ndikimin e tyre në jetën politike. Në këtë rast edhe punëtorët e sektorëve të ndryshëm mund të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes organizimit sindikal, duke bërë protesta, greva, shkresa publike etj., përmes së cilave, ata shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me zhvillimin e politikave për sektorët e tyre duke kërkuar një mirëqenie më të mirë. Gjithashtu, shprehjes së pakënaqësive mbështetje të madhe mund t’i japin edhe shumë organizata, klube etj., roli i të cilave është përmirësimi i jetës së qytetarit.

Natyrisht se shprehja e pakënaqësive nga punëtorët dallon varësisht nga modeli i qeverisjes në vend. Në demokracitë e etabluara, sindikatat janë aktive në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve për çdo temë sado e vogël dhe e parëndësishme në dukje qoftë ajo. Grupet e interesit të përfaqësuara nga sindikatat të cilat janë të organizuara në secilin sektor dhe të cilat kanë ndikim të madh në mbrojtjen e interesave të punëtorëve, marrin hapa konkret dhe protestojnë edhe për çështjet nga më elementare.

Shoqëria jonë, nuk është që cilësohet për ndonjë traditë protestuese ose për shprehje të pakënaqësive në rrafshin e mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve. Për fat të keq ne si shoqëri, kemi protestuar dhe reaguar atëherë kur ka qenë në pyetje ekzistenca jonë kolektive dhe vetëm për çështje skajshmërisht politike.

-Advertisement-

Në Kosovë është instaluar një model i mënyrës së protestimit, reagimit, grevës etj., i cili krijon më shumë kotraefekt sesa që e arrinë qëllimin e duhur. Dhe kjo ndodhë si rezultat i politizimit të gjitha iniciativave protestuese duke i instrumentalizuar ato për qëllime të politikave ditore të grupeve të ndryshme. Kjo ka ndikuar që roli i sindikatave të jetë minimal dhe i përfaqësuar në masë të madhe nga aspekti klientelist dhe assesi nuk buron nga reagimi qytetar. Ky model e ka dëmtuar rëndë çdo tentativë të shoqërisë, të punëtorëve edhe të sindikatave, duke përvetësuar çdo temë dhe çdo pakënaqësi për interesa të cilat ajo qëndron dhe duke i ngritur ato nga niveli i kërkesës së të drejtave në nivel politik si instrument elektoral.

Sindikatat edhe ato të pakta në vend, nuk mund të cilësohen për ndonjë aktivitet të mirëfilltë të organizimit qytetar, përpos disa grevave sporadike. Sindikatat në Kosovë, nga opinioni publik perceptohen si të politizuara dhe si instrument i politikave ditore të pushtetit.

Nga aspekti sindikal, lirisht mund të konstatojmë se jemi shumë larg standardeve të kërkuara. Organizimi sindikal në shoqërinë tonë ende llogaritet si diçka që nuk shkon në harmoni me institucionet përkatëse dhe si e panatyrshme. Ndërsa në institucionet private as që mund të imagjinohet një mekanizëm i tillë.

Po të ishim një shoqëri e vetëdijesuar, që përmes sindikatave të ushtronim presion ndaj pushtetarëve, nuk do të kishim ardhur në këtë gjendje të rëndë dhe të mjerueshme. Por, shoqërisë sonë sikur nuk i bëhet vonë për asgjë. As sot, pas 20 viteve, ky popull nuk e merr mundimin që njëherë të vetme të reagojë, të protestojë ose edhe të zgjedh përfaqësuesit sindikal kredibil nëpër sektorët e ndryshëm kundër këtij pushteti, por edhe në përgjithësi kundër kësaj klase politike, falë të cilëve jemi në këtë gjendje. Paradoks i madh!

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera