Lajme

David Schwendiman flet për prapaskenat e largimit nga Gjykata Speciale

Autori: Gazeta inFokus 09:31 | 28 February 2018

Gazeta prestigjioze britanike, The Guardian i ka kushtuar një artikull kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, David Schwendiman i cili do të largohet nga Haga në muajin prill të këtij viti. Schwendiman tregon arsyet e largimit të tij, duke bërë të ditur edhe se të hetuarit nga Specialja nuk duhet të gëzohen, pasi që largimi i tij nuk do të pengojë punën e gjykatës.

Kryeprokurori i gjykatës që do të hetojë krimet e luftës në Kosovë ka thënë se ai po e lë punën në këtë gjykatë në një fazë kritike, duke e lënë atë pa ndonjë pasardhës të caktuar- kryesisht për shkak të neglizhencës së departamentit të shtetit të SHBA’së.

David Schwendiman tha se kishte kërkuar nga departamenti i shtetit për më shumë se një vit që të merrte vendim për të ardhmën e pozitës në gjykatën e Hagës. Por, ai dëgjoi vetëm dy javë më parë se duhet të largohej në prill, duke lënë kështu pak kohë që të gjendet një zëvendësim.

-Advertisement-

Schwendiman tha se nuk e ka idenë nëse kanë filluar kërkimet për të gjetur pasardhësin e tij në këtë gjykatë.

“Nuk më është dhënë asnjë garanci. Prej dy javësh është heshtje totale, “ tha ai në një thirrje telefonike me Guardianin nga Haga.

Gjykata është krijuar sipas ligjeve të Kosovës, mirëpo, është me bazë në kryeqytetin holandez me qëllim që të mbrohet nga presioni politik dhe kërcënimet.

Përvoja e Schwendimanit pasqyron raportet e shpeshta të pavendosshmërisë dhe paralizës në një departament të shtetit që përballet me ulje të thella buxhetore, që është i mbushur me mungesë stafi të nivelit të lartë

Ky vakum që po ndodh në krye të Gjykatës së Kosovës, po vjen në një kohë të pasigurt për rajonin. Dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, pas një kryengritjeje dhe ndërhyrjes së NATO’s, e ardhmja e vendit ende nuk është zgjidhur.

Beogradi, Moska dhe aleatët e tyre refuzojnë të njohin pavarësinë e saj dhe enklavat serbe etnike në territorin e Kosovës mbeten pika të fuqishme potenciale.

Gjykata, e njohur ndryshe edhe si “Dhoma e Specialistëve” që u krijua në vitin 2016, ka bërë përparime thelbësorë, sa i përket akuzave kundrejt disa udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për mizoritë dhe krimet që kishin bërë kundër serbëve etnikë dhe kosovarëve gjatë dhe menjëherë pas konfliktit në vitin 1998-99.

Raportohet se të dyshuarit kryesorë janë zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale të Kosovës dhe në janar të këtij viti partia në pushtet bëri përpjekje për të shfuqizuar ligjin që mbështetë ekzistimin e kësaj gjykate.

Mungesa e akuzave për krime lufte kundrejt veprimeve të pjestarëve të UÇK’së është parë si padrejtësi nga shumica e serbëve, ndërsa kosovarët ankohen se kjo ka sjellur një kulturë të mosndëshkimit që ka forcuar krimin e organizuar dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë.

Kur gjykata u themelua në vitin 2016, Schwendiman, avokat i SHBA me përvojë të gjerë në rastet e krimeve të luftës ndërkombëtare u zgjodh si prokurori i saj i parë special.

Ai i tha për Guardian se ai  pranoi të merrte vendin e punës me kusht që pavarësia e saj financiare dhe politike të mund të sigurohej dhe se ai do të shërbente për një mandat katër vjeçar deri në vitin 2020.

Edhe pse emërimi i tij si oficer i lartë i shërbimit të jashtëm do të skadojë dy vjet përpara se të mbarojë mandati i tij në Hagë, zyrtarët e administratës së Obamës e kishin siguruar  se shërbimi i tij do të zgjatet për të lejuar që ai të përfundojë mandatin e tij si prokuror.

Por, ai deklaron se pas ndryshimit të administratës nuk kishte marrë përgjigje për një kohë duke thënë se edhe profesionistët në departament kishin kuptuar çështjet.

Megjithatë, ai nuk mori asnjë udhëzim derisa u thirr në ambasadën amerikane në Hagë më 13 shkurt ku edhe u njoftua se do të duhej të dorëzonte mandatin në fund të marsit.

“Më kanë thënë: Faleminderit për shërbimin tuaj, por ata nuk do të bëjnë përjashtim nga rregullat”, tha ai.

Zgjedhja e një pasuesi do të jetë komplekse. Zyrtarët evropianë do të vendosin se si duhet të bëhet kjo. Ata thuhet se favorizojnë një prokuror të SHBA për të marrë pozitën, në mënyrë që të mbajnë të Uashingtonin të angazhuar në Kosovë.

Schwendiman këmbënguli se largimi i tij në një kohë të shkurtër nuk do të pengonte punën e gjykatës.

“Njerëzit në rajon, ata që duhet të shqetësohen që mund të gjykohen, nuk kanë asgjë për t’u gëzuar”, këmbënguli ai.

Megjithatë, nëse merret një vendim se aktakuzat duhet të presin deri në emërimin e një kryeprokurori të përhershëm, atëherë shtyrja mund të jetë e konsiderushme derisa një pasardhës të gjendet, aprovohet dhe sjellet për t’i përshpejtuar dokumentet 700.000 faqesh dhe qindra intervista që i ka mbledhur gjykata. Express ka sjell shkrimin e plotë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera