Lajme

Reshitaj inspekton funksionimin e filtrave në TC Kosova B

Autori: Gazeta inFokus 13:51 | 16 January 2018

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj bashkë me inspektoratin vizitoi Korporatën Energjetike të Kosovës-Termocentralin Kosova B si dhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill”.

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka njoftuar ministren Reshitaj me mbarëvajtjen e punës në këtë termocentral, gjendjen dhe funksionimin e filtrave për kontrollimin dhe reduktimin e ndotjes që vjen nga ky termocentral.

Reshitaj gjatë vizitës kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut që të punojë më shumë në reduktimin e ndotjes së ajrit, rehabilitimin e filtrave si dhe krijimin e zonave të reja të gjelbra përreth zonës së termocentraleve në mënyre që të ketë një mjedis dhe ajër më të pastër për qytetarët.

-Advertisement-

“Jam e lumtur që tani më do të ndërtohet termocentrali i ri “Kosova e Re” sipas standardeve evropiane, me teknologjinë më të re të filtrave për të reduktuar ndotjen e ajrit. Pra të gjithë varësisht nga përgjegjësitë që kemi duhet të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi sa më të pastër për të gjithë”, tha ministrja Reshitaj.

Reshitaj vizitoi edhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill” ku u prit nga drejtori Hamit Leci, nga i cili u njoftua për procesin e trajtimit dhe distribuimit të thëngjillit.

Leci prezantoi idenë dhe gatishmërinë që thëngjilli i KEK-ut të eksportohet në vendet e rajonit si masë preventive për reduktimin e ndotjes së ajrit duke u bazuar në kërkesat për furnizim me thëngjill që vijnë nga Greqia e Maqedonia.

Reshitaj në takim shprehu përkushtimin në gjetjen e solucioneve për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera