Lajme

Ministria e Financave Komunës së Prishtinës: Jo biznes brenda Kampusit Universitar

Autori: Gazeta inFokus 11:09 | 30 May 2017

Ministria e Financave i është përgjigjur, Komunës së Prishtinës lidhur me akuzat që po ua bllokon një projekt madhorë për parkingjet nëntokësore.

“Që disa muaj, Komiteti për Partneritet Publiko Privat i përbërë nga pesë ministra në krye me Avdullah Hotin e kanë bllokuar projektin për parkingjet nëntokësore te Fakulteti Filologjik”. Kështu thanë të hënën drejtuesit e Komunës së Prishtinës në një konferencë për media.

Por, në Ministrinë e Financave kanë thënë se, Komuna nuk i ka kryer obligimet e veta dhe se Universiteti i Prishtinës nuk është i pajtimit që parkingjet të ndërtohen në atë zonë..

-Advertisement-

“Komitetit i Partneritetit Publiko Privat (PPP) e ka pranuar një shkresë nga Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, ku përmes kësaj shkrese ka kërkuar nga Komiteti i PPP që të mos i lejohet komunës së Prishtinës ndërtimi i parkingut nëntokësorë. Njëkohësisht Komiteti i PPP-së ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të arrijë një marrëveshje me Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, në mënyrë që projekti për ndërtimin e parkingut nëntokësorë të miratohet nga Komiteti i PPP-së”, tha për lajmi.net, Muharrem Shahini, drejtor në Zyrën  për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave

Shahini tha se, Komiteti i PPP ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ky parkingu nëntokësor të mos e ketë pjesën ku do të zhvillohet biznes brenda Kampusit Universitarë.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës, vitin e kaluar ka angazhuar kompaninë “Deloitte” për konsulencë lidhur me projektet e Partneritetit Publiko Privat (PPP).

Komuna e Prishtinës e ka vendosë që projekti i parë të jetë “Parkingu nëntokësor pranë Fakultetit Filologjik” me ç’rast planifikohet të ndërtohen min 500 vend parkingje dhe një numër i vogël lokalesh afariste, lokale për të cilat nuk po pajtohet UP-ja, sipas ministrisë.

Drejtuesit e Komunës, pasi kanë sqaruar se i kanë kryer të gjitha obligimet, kanë thënë se “Pas mbledhjes së parë të mbajtur në Shkurt, Komiteti i udhëhequr nga z. Hoti ka kërkuar “sqarime shtesë” mbi projektin. Që të gjitha sqarimet e kërkuara kanë qenë të përshkruara në dokumentacionin e dorëzuar paraprakisht te të gjithë anëtarët e Komitetit të PPP-së ashtu si edhe e kërkon ligji në fuqi”.

Sipas Komunës, pas mbledhjes së dytë, komiteti ka kërkuar që të nënshkruhet një “memorandum mirëkuptimi” me UP-në lidhur me realizimin e projektit, përkundër që parcela ku planifikohet parkingu është në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Po ashtu, Komuna ka thënë se, pas mbledhjes së tretë, komiteti ka kërkuar “sqarime shtesë” mbi “pajtueshmërinë e UP-së” gjatë diskutimeve publike të para 12 viteve me rastin e hartimit të planit rregullues i cili edhe përcakton ndërtimin e max. 1.000 vend parkingjeve në këtë lokacion.

“Një numër i pafund i obstrukcioneve është paraqitur gjatë çdo mbledhje, dhe të njëjtat është përcjellë edhe përmes shkresave zyrtare. Por, edhe përkundër faktit që të gjitha kërkesat e lartpërmendura ishin jashtë kompetencave të komitetetit të PPP-së të përcaktuara me ligj,  e njëherit janë edhe jashtë logjikës së shëndoshë, Komuna e Prishtinës i është përgjigjur që të gjithave për hirë të zhvillimit të projektit. Pas mbledhjes së fundit të mbajtur më 11 Prill, Komuna e Prishtinës sot e kësaj ditë nuk ka marrë përgjigje me shkrim nga Komiteti i PPP-së lidhur me projektin në fjalë. Pra, Komiteti i PPP-së i udhëhequr nga z. Hoti duke i shkelur të gjitha obligimet e përcaktuara me ligj dhe ka bllokuar projektin e inicuar nga Komuna e Prishtinës”, kanë thënë drejtuesit e Komunës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera