Ekonomi

Mbi një e treta e kosovarëve nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzime të papritura

Autori: Gazeta inFokus 16:52 | 27 November 2026

Një statistikë, e përfshirë në një raport të Securimeter 2026, sqaron shumë për mundësitë dhe potencialin financiar të një numri jo të vogël familjesh kosovare, të cilat, për shkak të financave të reduktuara dhe mungesës së fondeve familjare, thjesht nuk kanë kapacitet financiar për të përballuar shpenzime të papritura.

Një numër statistikash, që kanë burimin edhe nga institucione kompetente zyrtare, por edhe nga institucione të tjera, të cilat prodhojnë statistika të ndryshme rreth mirëqenies së shteteve, ndër to edhe të rajonit, tregojnë se në Kosovë ka pasiguri rreth mbijetesës dhe përmbushjes së nevojave të domosdoshme për një mirëqenie, qoftë edhe modeste.

Një statistikë, e përfshirë në një raport të Securimeter 2026, sqaron shumë për mundësitë dhe potencialin financiar të një numri jo të vogël familjesh kosovare, të cilat, për shkak të financave të reduktuara dhe mungesës së fondeve familjare, thjesht nuk kanë kapacitet financiar për të përballuar shpenzime të papritura. Sipas raportit të Securimeter 2026, në Kosovë, 37 për qind e të anketuarve janë deklaruar se familjet e tyre nuk kanë mundësi për ta përballuar një shpenzim të papritur prej rreth 1 mijë eurosh, pa marrë borxh ose pa kërkuar ndihmë financiare nga të tjerët.

-Advertisement-

Anketa e Securimeter është realizuar edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri, 46 për qind e të anketuarve janë deklaruar se nuk kanë mundësi të përballojnë një shpenzim të papritur në shumën e lartpërmendur, pa marrë borxh apo pa kërkuar ndihmë financiare nga të tjerët.

Me fjalë të tjera, siç ka raportuar Scan TV, pothuajse një në dy familje shqiptare do ta kishte të vështirë të përballonte një emergjencë të tillë përmes burimeve të veta financiare. Ndërkohë, vetëm 35 për qind e të anketuarve në Shqipëri shprehen se kanë mundësi ta përballojnë këtë shpenzim, ndërsa 19 për qind nuk janë të sigurt nëse buxheti familjar do t’ua lejonte një gjë të tillë.

Gjithnjë sipas raportit të Securimeter, në Maqedoninë e Veriut 41 për qind e të anketuarve u shprehën se nuk mund ta përballonin këtë shpenzim, në Serbi 31 për qind, në Bosnjë dhe Hercegovinë 30 për qind dhe në Mal të Zi 29 për qind.
Sa u përket përgjigjeve pozitive, Shqipëria renditet e para në rajon, me 35 për qind të të anketuarve që deklarojnë se mund ta përballojnë këtë shpenzim, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina me nga 34 për qind.

Në nivelin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, 36 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë mundësi të përballojnë një shpenzim të tillë, 31 për qind nuk janë të sigurt, ndërsa 33 për qind shprehen se kanë kapacitetin e nevojshëm financiar.

Rezultatet e anketës, përgjithësisht, shpërfaqin një objektiv të rëndësishëm të sigurisë financiare të familjeve në Kosovë dhe në rajon. Mungesat e shumta financiare te një numër i konsiderueshëm kosovarësh, sidomos te shtresat e varfra, i kanë detyruar shumë kosovarë të futen në borxh te bankat, ato komerciale ekzistuese dhe te institucionet mikrofinanciare.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shuma e kredive të ekonomive familjare është rritur nga 1.315 miliardë euro, sa ishte në janar të vitit 2021, në 3.546 miliardë euro në shtator të vitit 2026 (sipas raportit mujor të BQK-së, të publikuar në muajin tetor). Kjo është rritje prej 169.6 për qind, apo më shumë se 2.2 miliardë euro në vlerë absolute, dhe gjithsesi është barrë e rëndë financiare që rëndon mbi qytetarët dhe mirëqenien e tyre.

Edhe niveli i lartë i inflacionit në Kosovë (7.8 për qind në shtator dhe 7.1 për qind në tetor, shifra këto më të lartat në Evropë) është shqetësues për qytetarët e Kosovës, sidomos për kategoritë që varen nga buxheti dhe për shtresën e varfër. Një normë kaq e madhe e inflacionit, ose dyfishimi në raport me rajonin, është shqetësues dhe domosdo ka ndikim jashtëzakonisht të madh në mirëqenien e qytetarëve që kanë të ardhura të vogla. /Buletini Ekonomik

Planifikoni udhëtimin tuaj nga Köln në Prishtinë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy