Fokus

Gruaja në Bordin e BQK-së e burri në TEB, mbi 127 mijë euro të hyra nga pagat e bonuset e majme

Autori: Gazeta inFokus 15:18 | 16 November 2026

Në Kosovë, një nga vendet më të varfra të kontinentit evropian, të cilën e qeveris lideri që për vite të tëra premtoi barazi dhe drejtësi sociale, Albin Kurti, një familje e “zgjedhur” nga pushteti i tij, rezulton të jetë duke përfituar të hyra prej hiç më pak se 127,489.91 euro në vit, apo mesatarisht 10,624 euro në muaj. Këto të hyra, nuk realizohen nga ndonjë veprimtari biznesi a inovacioni, por realizohen vetëm nga dy paga, bonusë të majme e kompensimet. Këto të hyra të realizuara nga burr dhe grua, janë të barabartë me të hyrat vjetore të rreth 21 familjeve në Kosovë, të cilat jetojnë secila me vetëm një pagë minimale prej 500 eurosh bruto në muaj.

Gazeta Infokus

Nora Latifi-Jashari, anëtare e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e rizgjedhur për mandatin e dytë gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, dhe bashkëshorti i saj fatlum kanë pasur ‘fatin’ të jenë ndër të punësuarit e rrallë në Kosovë, të ardhurat dhe bonuset e të cilëve kanë shënuar rritje shumëfish më të lartë se norma e inflacionit gjatë katër viteve të fundit.

-Advertisement-

Gazeta Infokus ka analizuar tri deklarimet vjetore të pasurisë së Nora Latifi-Jasharit, anëtares së Bordit të BQK-së, për vitet 2024, 2025 dhe 2026. Dokumentet zbulojnë rritje të vazhdueshme të të hyrave familjare, paga të konsiderueshme, bonuse dhjetëra mijëra euro dhe shtim të pasurisë së paluajtshme.

Por, përtej shifrave, deklarimet nxjerrin në pah edhe një raport familjar me interes të veçantë publik. Nora Latifi-Jashari është anëtare e Bordit të BQK-së, ndërsa bashkëshorti i saj është i punësuar në TEB Bank, një bankë komerciale që i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe rregullimit të BQK-së.

Kjo marrëdhënie ndërmjet funksionit të saj në institucionin rregullator, ku është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, dhe punësimit të bashkëshortit në një bankë që mbikëqyret nga po ky institucion, e bën edhe më të rëndësishme transparencën për mënyrën se si trajtohen konfliktet e mundshme të interesit dhe si garantohet pavarësia e vendimmarrjes.

Për të hyrat e saj dhe të bashkëshortit, angazhimet profesionale, si dhe për konfliktin e mundshëm të interesit për shkak se bashkëshorti punon në një bankë komerciale që mbikëqyret nga institucioni ku ajo është anëtare e Bordit, Nora Latifi-Jashari ka kthyer përgjigje për Gazetën Infokus. Ajo ka mohuar të ketë pasur ndonjë rast të identifikuar të konfliktit të interesit, duke deklaruar se të gjitha angazhimet e saj janë të ligjshme dhe transparente.

Nga 109 mijë në mbi 127 mijë euro – të hyrat familjare rriten vit pas viti

Hulumtimi i Gazetës Infokus tregon se në deklarimin e pasurisë për vitin 2024, çifti kishte raportuar gjithsej 109,604.79 euro të hyra familjare.

Në deklarimin e vitit 2025, kjo shumë u rrit në 114,970.40 euro, ndërsa në dokumentin e dorëzuar në mars të vitit 2026, të hyrat familjare arritën në 127,489.91 euro.

Pra, krahasuar me deklarimin e vitit 2024, çifti ka raportuar 17,885.12 euro më shumë të hyra vjetore, që përfaqëson një rritje prej 16.32%.

Sipas hulumtimit të Gazetës Infokus, këto shuma përfshijnë pagat, kompensimet, bonuset dhe përfitime të tjera të raportuara, përfshirë disa pagesa jo të rregullta.

Vetëm të hyrat nga puna dhe bonusi, sipas deklarimit të fundit, arrijnë në 125,478.91 euro në vit, apo mesatarisht 10,456.58 euro në muaj.

Për të pasur një pasqyrë të saktë të kësaj rritjeje, duhet sqaruar se formularët janë identifikuar sipas vitit të deklarimit, ndërsa të ardhurat vjetore përgjithësisht i përkasin vitit paraprak.

Burri në TEB, paga rritet 43.7%, bonusi 47.5%

Rritja më e madhe e të hyrave familjare vërehet te bashkëshorti i Nora Latifi-Jasharit, i punësuar në TEB Bank.

Sipas dokumenteve të siguruara dhe analizuara nga Gazeta Infokus, në deklarimin e vitit 2024, bashkëshorti kishte raportuar 41,305.40 euro pagë neto vjetore dhe 13,870.23 euro bonus performance.

Një vit më pas, paga e tij u rrit në 49,206.40 euro, ndërsa bonusi në 17,100 euro.

Rritja vazhdoi edhe në deklarimin e vitit 2026, ku paga neto vjetore arriti në 59,343 euro, ndërsa bonusi i performancës në 20,452.89 euro.

Vetëm nga paga dhe bonusi, bashkëshorti ka raportuar gjithsej 79,795.89 euro në deklarimin e fundit, ose mesatarisht 6,649.66 euro në muaj, nëse shuma vjetore ndahet në 12 muaj.

Në krahasim me deklarimin e vitit 2024, paga e tij neto është rritur për 43.67%, ndërsa bonusi për 47.46%.

Paga dhe bonusi së bashku janë rritur për 24,620.26 euro, apo 44.62%.

Sipas hulumtimit të Gazetës Infokus, këto shifra marrin përmasa edhe më të theksuara kur krahasohen me pagën minimale prej 500 eurosh bruto, të vendosur në Kosovë nga korriku i vitit 2026.

Vetëm bonusi i fundit vjetor i bashkëshortit, prej 20,452.89 eurosh, është numerikisht i barabartë me pothuajse 41 paga minimale mujore prej 500 eurosh.

Kjo do të thotë se vetëm një bonus performance arrin vlerën e më shumë se tre viteve e katër muajve paga minimale, nëse merret si bazë shuma prej 500 eurosh në muaj.

Krahasimi është ilustrues, pasi bonusi i raportuar dhe paga minimale bruto nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht të njëjtën bazë tatimore.

Nora Latifi-Jashari, të hyra nga BQK-ja dhe Instituti GAP

Ndërkohë, edhe Nora Latifi-Jashari ka deklaruar të hyra të konsiderueshme nga dy angazhimet e saj profesionale.

Përveç funksionit si anëtare e Bordit të BQK-së dhe kryetare e Komitetit të Auditimit, ajo figuron edhe si bashkëpunëtore e jashtme e Institutit GAP.

Në deklarimin e vitit 2024, nga BQK-ja kishte raportuar gjithsej 23,894.42 euro kompensime dhe pagë neto, ndërsa nga puna me kontratë në Institutin GAP kishte përfituar 15,960.96 euro.

Në deklarimin e vitit 2025, kompensimet nga BQK-ja rezultojnë 22,458 euro, ndërsa pagesat për punë me kontratë nga GAP, të raportuara në dy zëra, arrijnë në 21,414 euro.

Në deklarimin e fundit, atë të vitit 2026, nga BQK-ja figurojnë 23,361.34 euro kompensime, ndërsa nga Instituti GAP 22,321.68 euro për punë me kontratë.

Së bashku, këto dy burime i kanë siguruar 45,683.02 euro në vit, ose mesatarisht 3,806.92 euro në muaj, pa përfshirë mëditjet, rimbursimet dhe përfitimet e tjera.

Sipas analizës së Gazetës Infokus, veçanërisht interesante është rritja e vazhdueshme e pagesave të deklaruara nga Instituti GAP.

Nga 15,960.96 euro në deklarimin e vitit 2024, ato kanë arritur në 22,321.68 euro në vitin 2026, një rritje prej 39.85%.

Ndryshe nga pagesat e GAP-it, të hyrat kryesore të raportuara nga BQK-ja nuk tregojnë të njëjtën rritje. Ato kanë shënuar luhatje ndërmjet tri deklarimeve dhe janë rreth 2.23% më të ulëta në deklarimin e fundit sesa në atë të vitit 2024.

Në dokumente figurojnë gjithashtu mëditje, rimbursime dhe përfitime të tjera, të cilat e rrisin shumën e përgjithshme të të ardhurave personale.

Kush e mbikëqyr bankën ku punon bashkëshorti?

Një nga aspektet më të ndjeshme të këtij hulumtimi është raporti ndërmjet funksionit publik të Nora Latifi-Jasharit dhe punësimit të bashkëshortit të saj në TEB Bank.

BQK-ja është institucioni përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e bankave komerciale në Kosovë. Në mesin e tyre është edhe TEB-i.

Ndërkohë, Nora Latifi-Jashari është pjesë e Bordit të institucionit që miraton rregulloret dhe mbikëqyr zbatimin e politikave të BQK-së.

Edhe pse anëtarët joekzekutivë të Bordit nuk e kryejnë drejtpërdrejt mbikëqyrjen e përditshme të bankave individuale, pozita e saj institucionale dhe marrëdhënia familjare me një të punësuar të bankës së mbikëqyrur krijojnë një çështje që kërkon transparencë të veçantë.

Për një institucion që duhet të garantojë mbikëqyrje të pavarur të sektorit bankar, rëndësi ka jo vetëm shmangia e ndikimit real, por edhe trajtimi transparent i situatave që mund të krijojnë perceptim të konfliktit të interesit.

Megjithatë, dokumentet e analizuara nga Gazeta Infokus nuk provojnë se Latifi-Jashari ka ndërhyrë në favor të TEB Bank, se ka ndikuar në ndonjë proces mbikëqyrës apo se ka marrë pjesë në një vendim të paligjshëm.

Vetë Latifi-Jashari, në përgjigjen për Gazetën Infokus, ka deklaruar se pozita e saj në BQK është joekzekutive dhe se vendimet e Bordit kanë karakter të përgjithshëm, pa iu adresuar individualisht institucioneve të veçanta financiare.

Ajo ka theksuar gjithashtu se marrëdhënien familjare me bashkëshortin e punësuar në TEB Bank e ka deklaruar në përputhje me detyrimet ligjore dhe procedurat përkatëse të BQK-së.

 

Deputeti i pushtetit akuzoi TEB-in për bllokim të llogarisë

TEB Bank është përmendur së fundmi edhe në një reagim publik të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki.

Më 9 nëntor 2026, Gazeta Infokus raportoi se Kraki kishte akuzuar bankën për bllokimin e kartelës dhe llogarisë së tij për tri javë, pavarësisht se, sipas deputetit, i kishte përditësuar të dhënat e kërkuara.

Ai kishte përdorur akuza të ashpra edhe ndaj sektorit bankar në përgjithësi, duke kritikuar normat e interesit dhe mënyrën e trajtimit të klientëve.

Pretendimet e deputetit nuk përbëjnë vetvetiu konstatim të ndonjë shkeljeje nga TEB-i, por nxjerrin në pah rëndësinë e përgjegjësisë dhe mbikëqyrjes institucionale të bankave komerciale.

Lexoni raportimin: Deputeti Nezir Kraki akuzon bankat për “plaçkitje të qytetarëve”, thotë se TEB ia ka bllokuar llogarinë prej tri javësh.

Pabarazia e të ardhurave dhe kontrasti me premtimet politike

Shifrat e deklaruara nga familja e anëtares së Bordit të BQK-së paraqesin një kontrast të madh me realitetin e punëtorëve që jetojnë me paga të ulëta në Kosovë.

Derisa një pjesë e qytetarëve mbështeten te paga minimale për të mbuluar shpenzimet elementare të jetesës, vetëm paga dhe bonusi vjetor i bashkëshortit në TEB arrijnë afër 80 mijë eurove.

Ky kontrast merr edhe dimension politik në një vend ku kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë vendosur prej vitesh pabarazinë ekonomike dhe drejtësinë sociale në qendër të kritikave ndaj qeverisjeve të mëparshme.

Në mandatin e qeverisjes së Kurtit, paga minimale është rritur deri në 500 euro bruto, por hulumtimi i Gazetës Infokus dokumenton se në rastin konkret, gjatë periudhës së krahasuar, paga e një të punësuari në sektorin bankar është rritur me 43.67%, ndërsa bonusi i tij me 47.46%.

Këto rritje i përkasin një banke komerciale dhe jo listës së pagave të Qeverisë. Për këtë arsye, ato nuk mund t’i atribuohen drejtpërdrejt politikave të pagave të Qeverisë Kurti.

Megjithatë, hendeku ndërmjet këtyre të ardhurave dhe pagës minimale mbetet një tregues konkret i dallimeve të mëdha të kompensimit në tregun e punës në Kosovë.

Përveç të hyrave, familja deklaron 461,900 euro pasuri të paluajtshme

Hulumtimi i Gazetës Infokus nuk përfundon te pagat dhe bonuset.

Sipas deklarimeve të pasurisë, familja ka raportuar edhe një portofol pronash të paluajtshme, vlera e të cilave në deklarimin e fundit arrin në 461,900 euro.

Në këtë shumë përfshihen tri banesa dhe një pronë tjetër e përbërë nga tokë dhe shtëpi.

Në deklarimin e vitit 2024, vlera e përgjithshme e pasurive të paluajtshme ishte 301,900 euro.

Në vitin 2025, kjo vlerë u rrit në 461,900 euro, pas deklarimit të një prone të re, tokë dhe shtëpi me sipërfaqe 1,782 metra katrorë, të blerë gjatë vitit 2024 për 160 mijë euro.

E njëjta pronë figuron edhe në deklarimin e vitit 2026, me vlerë të pandryshuar.

Sipas dokumenteve të analizuara nga Gazeta Infokus, blerja është financuar përmes kredive dhe huave. Në deklarimin e vitit 2025 figurojnë një kredi bankare prej 100 mijë eurosh dhe një hua tjetër prej 60 mijë eurosh, të lidhura me blerjen e tokës dhe shtëpisë.

Kjo do të thotë se shtimi i pronës nuk mund të trajtohet automatikisht si rritje e pasurisë neto familjare, pasi për blerjen janë deklaruar edhe detyrime financiare.

Përveç pronave, familja ka deklaruar një veturë Toyota në pronësi të bashkëshortit, me vlerë të raportuar prej 34,500 eurosh.

 

Misteri i metrave katrorë: Banesa nga 154 m² bëhet 272.94 m², por vlera nuk ndryshon

Një tjetër mospërputhje që ka identifikuar Gazeta Infokus gjatë krahasimit të tri deklarimeve të pasurisë lidhet me sipërfaqen e një banese në pronësi të përbashkët të çiftit.

Në deklarimin e vitit 2024, kjo banesë, e blerë në vitin 2020, është raportuar me sipërfaqe 154 metra katrorë dhe vlerë 203 mijë euro.

Në deklarimin e vitit 2025, sipërfaqja e së njëjtës pronë rezulton 270 metra katrorë, ndërsa vlera mbetet saktësisht 203 mijë euro.

Por ndryshimi nuk përfundon këtu.

Në deklarimin e vitit 2026, sipërfaqja e banesës rritet përsëri dhe arrin në 272.94 metra katrorë, kurse vlera e deklaruar vazhdon të mbetet po ajo: 203 mijë euro.

Pra, brenda tri deklarimeve, sipërfaqja e raportuar e pronës është shtuar për 118.94 metra katrorë, ose rreth 77.2%, pa asnjë ndryshim në vlerën e deklaruar.

Në dokumentet e shqyrtuara nga Gazeta Infokus nuk jepet ndonjë shpjegim për këtë ndryshim. Nuk figuron as ndonjë blerje e re e një hapësire shtesë që do ta shpjegonte dallimin e raportuar.

Kjo mospërputhje krijon paqartësi rreth saktësisë dhe plotësisë së deklarimeve. Ajo mund të jetë rezultat i korrigjimit të sipërfaqes, përfshirjes së hapësirave që nuk ishin raportuar më herët apo i një gabimi në dokumentet e mëparshme.

Megjithatë, pa verifikim kadastral dhe dokumentacion të pronës nuk mund të konstatohet se ka pasur fshehje apo deklarim të qëllimshëm të pasaktë.

Fakti i dokumentuar mbetet se sipërfaqja e raportuar është rritur me 118.94 metra katrorë, ndërsa vlera e deklaruar e pronës nuk ka ndryshuar për asnjë euro.

 

Çfarë thotë Nora Latifi-Jashari për Infokusin?

Në kuadër të këtij hulumtimi, Gazeta Infokus i është drejtuar Nora Latifi-Jasharit me kërkesë për sqarime lidhur me të hyrat, angazhimet e saj profesionale, marrëdhënien familjare me një të punësuar të TEB Bank dhe konfliktin e mundshëm të interesit.

Në përgjigjen e saj për Gazetën Infokus, Latifi-Jashari ka mohuar të ketë pasur ndonjë rast të identifikuar të konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit në BQK.

“Angazhimet e mia profesionale mbeten në përputhje të plotë me Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (e konfirmuar edhe nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit)”, ka thënë ajo për Infokusin.

Sipas saj, të gjitha të hyrat e raportuara janë rezultat i angazhimeve të ligjshme dhe transparente.

Duke iu referuar punësimit të bashkëshortit në TEB Bank, Latifi-Jashari ka sqaruar në përgjigjen për Infokusin se ai punon në këtë institucion që nga viti 2008 dhe ka ushtruar pozita të ndryshme profesionale.

“Pagat dhe bonuset e realizuara janë rezultat i marrëdhënies së tij të punës me bankën dhe janë përcaktuar sipas politikave dhe procedurave të brendshme të punëdhënësit”, ka thënë Latifi-Jashari për Gazetën Infokus.

Anëtarja e Bordit të BQK-së ka bërë të ditur se marrëdhënien familjare e ka deklaruar sipas detyrimeve ligjore dhe procedurave përkatëse të institucionit.

Ajo ka insistuar se funksioni i saj është joekzekutiv dhe se vendimet e Bordit kanë karakter të përgjithshëm, pa iu adresuar individualisht bankave të veçanta.

“Çdo situatë që mund të paraqesë konflikt interesi trajtohet dhe deklarohet rast për rast”, ka deklaruar Latifi-Jashari në përgjigjen për Infokusin, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një situatë të tillë.

Gazeta Infokus e kishte pyetur gjithashtu për marrëdhëniet eventuale politike me Lëvizjen Vetëvendosje, raportet me guvernatorin Ahmet Ismaili dhe pjesëmarrjen e saj në procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të BQK-së.

Latifi-Jashari ka mohuar çdo anëtarësim partiak.

“Asnjëherë nuk kam qenë dhe nuk jam anëtare e ndonjë partie politike”, ka thënë ajo për Gazetën Infokus.

Ajo ka theksuar se raportet me zyrtarët publikë, përfshirë guvernatorin, kanë qenë institucionale dhe profesionale, ndërsa procesi i përzgjedhjes së guvernatorit është zhvilluar në përputhje me nenin 38 të Ligjit për BQK-në.

Sipas saj, rizgjedhja në Bordin e Bankës Qendrore ka ardhur si rezultat i integritetit, përvojës dhe përmbushjes së kritereve profesionale e ligjore.

“Pavarësia ime profesionale nuk është çështje interpretimi politik. Ajo është detyrim ligjor dhe parim që e kam respektuar dhe do ta respektoj gjatë gjithë ushtrimit të funksionit tim”, ka përfunduar Nora Latifi-Jashari në përgjigjen e saj për Gazetën Infokus.

 

Çfarë tregojnë dokumentet?

Tri deklarimet e pasurisë, të analizuara nga Gazeta Infokus, dokumentojnë rritjen e të hyrave familjare, shtimin e pronave të paluajtshme dhe ndryshimet në sipërfaqen e raportuar të një banese.

Ato dokumentojnë gjithashtu një marrëdhënie familjare ndërmjet anëtares së Bordit të institucionit rregullator të sektorit bankar dhe një të punësuari në një bankë komerciale që i nënshtrohet mbikëqyrjes së këtij institucioni.

Nora Latifi-Jashari ka deklaruar për Gazetën Infokus se kjo marrëdhënie është raportuar sipas procedurave dhe se nuk është identifikuar konflikt interesi.

Megjithatë, përgjigjja e saj nuk përmban dokumentacionin e vlerësimit institucional të kësaj marrëdhënieje, ndërsa mospërputhja në sipërfaqen e pronës mbetet e pashpjeguar në tri deklarimet e shqyrtuara.

Pikërisht transparenca për këto të dhëna, për mënyrën e trajtimit të konfliktit të mundshëm të interesit dhe për saktësinë e deklarimeve të pasurisë është çështja me interes publik që nxjerr në pah ky hulumtim i Gazetës Infokus.

/Gazeta Infokus

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy