“Burrëria nuk dëshmohet përmes kontrollit mbi gruan” – Mesazhi i sociologut Sumiçi pas shifrave alarmante të dhunës në familje
Autori: Samire Jaha
15:44 | 31 October 2026
Mbi 10 mijë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë në më pak se katër vjet. Shifra këto që, sipas sociologut Jahir Sumiçi, dëshmojnë se dhuna nuk është më vetëm një problem individual, por një fenomen i thellë shoqëror, i ndikuar nga mentaliteti patriarkal dhe kultura e heshtjes.
Në një prononcim për Gazetën Infokus, Sumiçi ka deklaruar se në shoqërinë kosovare vazhdojnë të mbijetojnë mentalitete që e normalizojnë kontrollin dhe dominimin brenda familjes.
“Këto shifra tregojnë se dhuna në familje nuk është thjesht problem individual, por një problem i thellë shoqëror. Në shoqërinë tonë ende mbijetojnë mentalitete patriarkale që e normalizojnë kontrollin dhe dominimin në familje. Për më tepër, ekziston një kulturë e heshtjes, ku ruajtja e imazhit të familjes shpesh vendoset mbi sigurinë e viktimës. Familja duhet të jetë hapësirë e sigurisë dhe dinjitetit, jo e frikës dhe dhunës”, ka deklaruar Sumiçi.
Sipas tij, gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës për shkak të pabarazive gjinore, varësisë ekonomike dhe mentalitetit që e percepton burrin si autoritet dominues në familje.
“Një nga arsyet kryesore është mentaliteti patriarkal, sipas të cilit burri perceptohet si autoriteti dominues në familje. Kur ky mentalitet ndërthuret me varësinë ekonomike, xhelozinë dhe kontrollin mbi jetën e gruas, krijohen rrethana që mundësojnë dhunën. Problemi nuk qëndron te tradita në vetvete, por te interpretimet që justifikojnë pabarazinë dhe nënshtrimin. Burrëria nuk dëshmohet përmes kontrollit mbi gruan, por përmes respektit dhe përgjegjësisë”, ka theksuar ai për Infokus.
Sociologu ka folur edhe për arsyet që i pengojnë gratë të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme, duke përmendur frikën nga hakmarrja, presionin familjar, varësinë ekonomike dhe shqetësimin për fëmijët.
“Nuk duhet të pyesim vetëm pse nuk largohet gruaja, por edhe çfarë e pengon atë të largohet. Varësia ekonomike, frika nga hakmarrja, presioni familjar dhe shqetësimi për fëmijët mund ta bëjnë largimin shumë të vështirë. Në disa raste, ndarja mund të shoqërohet me rrezik edhe më të madh. Prandaj, viktimës nuk duhet t’i kërkojmë vetëm guxim, por t’i ofrojmë siguri, strehim dhe mbështetje konkrete. Përgjegjësia për dhunën i takon dhunuesit, jo viktimës”, është shprehur Sumiçi.
Sumiçi për rastin e Arlinda Zekajt: Mbrojtja nuk duhet të mbetet vetëm në letër
Duke komentuar vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet para se të vritej, sociologu ka paralajmëruar se raste të tilla mund të ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e grave ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
“Kur një grua kërkon ndihmë dhe më pas vritet, gratë e tjera mund të pyesin veten nëse raportimi i dhunës do t’u garantojë siguri. Kjo mund ta thellojë mosbesimin dhe frikën për të kërkuar ndihmë. Prandaj, rasti duhet të hetohet në tërësi, përfshirë reagimin institucional, dhe çdo përgjegjësi e mundshme të përcaktohet”, ka deklaruar ai.
Sumiçi ka kërkuar që rasti të hetohet në tërësi, përfshirë mënyrën e reagimit institucional dhe përcaktimin e përgjegjësive eventuale.
“Mbrojtja nuk duhet të mbetet vetëm në letër; ajo duhet të garantohet në praktikë”, ka theksuar sociologu.
Sipas tij, parandalimi i dhunës kërkon reagim të menjëhershëm institucional, llogaridhënie për neglizhencën eventuale, si dhe mbështetje konkrete ekonomike, juridike dhe psikologjike për viktimat.
Ai ka theksuar se krahas masave institucionale, është i domosdoshëm edhe edukimi i brezave të rinj për barazinë dhe respektin.
“Nuk mjafton të kërkojmë drejtësi pas një vrasjeje; duhet të ndërtojmë një sistem që e parandalon atë”, ka deklaruar Sumiçi.
Në fund, sociologu ka dhënë një mesazh për përgjegjësinë e shoqërisë dhe institucioneve ndaj grave që përballen me dhunë.
“Dhuna ndaj grave nuk është vetëm tragjedi individuale, por edhe pasqyrë e problemeve shoqërore dhe institucionale. Nuk mund të vazhdojmë të shprehim indinjatë pas çdo vrasjeje dhe pastaj të kthehemi në normalitet. Një shoqëri që kërkon nga gratë të raportojnë dhunën duhet t’u garantojë atyre mbrojtje reale. Vlera e një shoqërie nuk matet vetëm nga mënyra se si i nderon viktimat pasi i humb, por nga ajo që bën për t’i mbrojtur para se t’i humbë”, ka përfunduar Sumiçi për Infokus.
Ndryshe, Gazeta Infokus ka raportuar për shifrat alarmante të dhunës në familje në Kosovë, bazuar në të dhënat zyrtare të siguruara nga Policia e Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave, nga janari i vitit 2023 deri në shtator të vitit 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 10 mijë e 465 raste të dhunës në familje, me 10 mijë e 551 viktima, prej të cilave 8 mijë e 45 gra dhe 2 mijë e 506 burra.
Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar 2 mijë e 52 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2 mijë e 138 viktima. Prej tyre, 1 mijë e 626 kanë qenë gra, ndërsa 154 viktima kanë qenë të mitura.
Po ashtu, Policia ka evidentuar 176 raste të përsëritura të dhunës në familje gjatë kësaj periudhe.
Këto statistika janë publikuar nga Gazeta Infokus në kohën kur vendi është tronditur nga vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm pak ditë para se të vritej.
/Gazeta Infokus/

T� tjera
-
Vitia për rastin e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës: Këto raste nuk do të tolerohen
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur lidhur me rastin e drejtorit t...
-
Nis protes*ta kundër vra*sjes së grave pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt
Në Prishtinë ka nisur edhe sonte protesta për rastin e vrasjes së Arlinda Zek...
-
Përparim Rama ngacmon “militantët e Vetëvendosjes” me foto të Rrugës A: Fillimisht renderi, tani bageri, tash projektI
Kreu i Komunës së Prishtinës, përparim Rama, ka ngacmuar përkrahësit e Lëvizj...
-
Protes*tat e Gjeneratës Z arrijnë edhe në Gjermani, janë planifikuar në 34 qytete
Mijëra njerëz në të gjithë Gjermaninë u bashkuan me protestat sot, ndërsa një...
-
ShSKUK suspendon drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berishën
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se do të proce...
-
Udhëto nga Suedia drejt Kosovës me PrishtinaTickets
Për udhëtimin tuaj të radhës mes Suedisë dhe Kosovës, kërkoni biletat në Pris...
-
Studentët largojnë deputetët e opozitës dhe hodhën molotovë e gurë drejt Ministrisë së Arsimit, nis marshimi drejt Kryeministrisë
Protesta e 19-të ka nisur e ndarë në dy fronte, studentët përpara Ministrisë ...
-
Dy të rinj nga Vushtrria kapen në Morinë, ishin dënuar nga Gjermania me nga 15 vjet burgim
Dy shtetas kosovarë nga Vushtrria janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës...
-
“Arlinda kërkoi mbrojtje dhe u vra” – Shifra ALARMANTE të dhunës në Kosovë, mbi 10 mijë raste të raportuara në më pak se katër vjet
Mbi 10 mijë raste të dhunës në familje. Mbi 8 mijë gra viktima. Qindra fëmijë...
-
Përshkallëzohet situata në Rrugën e Durrësit, policia bën thirrje: Protestoni paqësisht, përndryshe do veprojmë
Situata është përshkallëzuar në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit kanë përdo...
-
Tensionohet situata përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, protestuesit i vendosin flakën kazanëve të plehrave, ndizen edhe tymuese
Kanë nisur tensionet përpara Ministrisë së Arsimit. Protestuesit i kanë ve...
-
Tahiri: Me këtë qeveri, Kosova ta harrojë integrimin dhe anëtarësimin në BE
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë ...





























