Lajme

“Merrte frymë sikur e përndiqnin”, dëshmia rrëqethëse e lektores shqiptare në Universitetin ku ndodhi masakra në Pragë

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 22 December 2023

“Një horror i vërtetë që nuk ka ndodhur kurrë në Pragë”. Kështu e përshkruan pedagogia shqiptare në universitetin “Charles”, masakrën e një dite më parë, ku u vranë 25 persona dhe u plagosën 24 të tjerë.

Në një lidhje direkt me “Dita Jonë” Orkida Borshi sjell dëshminë rrëqethëse të koleges shqiptare, e cila ndodhej në fakultet në momentin e ngjarjes.

“Unë nuk isha prezent në fakultet atë ditë, por e dëgjova nga lektorja e gjuhës, e cila fatkeqësisht ishte e mbyllur në një dhomë së bashku me një student, që ishte duke dhënë provim. Ajo më merr në telefon, mendova se më mori për orarin, ose mësimin dhe dëgjoj që është shumë e shqetësuar. I thashë ‘qetësohu’ dhe pastaj dëgjoj që merr frymë në mënyrë të tmerrshme, sikur po iu shkon dikush mbrapa dhe më thotë që ‘këtu ka të shtëna, nuk e di çfarë po ndodh’. Nuk arrija të kuptoja çfarë po ndodhte, kur dëgjoj në telefon që dikush po shtinte vazhdimisht. Një horror i vërtetë, nuk e imagjinoja dot që në fakultetin e universitetit ‘Charles’ në Pragë të kishte të shtëna të tilla.”

-Advertisement-

Sipas saj, studenti 24-vjeçar nuk shkoi në orën e tij të leksionit, por shkoi në godinën kryesore dhe qëllonte nga kati i katërt i universitetit, ndërsa studentët e tjerë për të shpëtuar hidheshin nga kati i tretë.

“Ky djalë student i historisë duhet të kishte leksion në një godinë tjetër të fakultetit, nga ora 2 pasdite dhe nuk shkoi në atë leksion, por shkoi te godina kryesore e fakultetit ku ndodhemi edhe ne. Nuk dihet nëse e ka sjellë armën apo e ka patur aty, pasi sipas informacioneve, ai ka pasur arsenal armësh që e sillte vazhdimisht në fakultet. Nga 15 veta që janë vrarë, policia njeh 11, por nuk i ka bërë të njohura emrat e tyre. Studentët janë hedhur nga kati i tretë. Vrasësi operonte nga kati i katërt ka qenë një tmerr i vërtetë. Lektorja më thoshte që ,dikush ecën te dritarja,. Askush nuk kuptonte ç’po ndodhte ishte një kaos i vërtetë. Udhëzimet ishin që të shtrihen në dysheme dhe të fikin dritat”.

Pedagogia thekson se studenti 24-vjeçar e ka planifikuar ngjarjen, pasi arma që ai ka përdorur ishte e lejueshme dhe përdoret për të vrarë shumë njerëz në të njëjtën kohë

“Nuk ka qenë në rregull. Ka patur një armë që këtu lejohet, është një armë e gjatë e tipit ‘winchester’ që përdoret për të vrarë shumë njerëz në të njëjtën kohë dhe është armë që përdoret nga larg. Pas masakrës ai u vetëvra. Ai hyri në fakultet dhe gjuajti në katin e sipërm dhe pastaj doli përjashtë, kishte dhe stativ për armën, ishte i planifikuar”.

E vendosur prej 30 vjetësh në Pragë, pedagogia Orkida Borshi thotë se kjo ngjarje është një trishtim i madh para festave dhe që nuk kë ndodhur kurrë në historinë e Çekisë. Ndërkohë, fakulteti është mbyllur deri më 2 janar me urdhër të dekanes.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi një ditë më parë në Fakultetin e Arteve të Universitetit ‘Charles’, në zemër të pjesës historike të Pragës, në zonën hebreje, e cila është e frekuentuar nga turistë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera