Biden ashpërson gjuhën ndaj Trump
Autori: Gazeta inFokus
07:14 | 20 Nëntor 2023
Presidenti Joe Biden e përfundon pothuajse çdo fjalim duke thënë se është më optimist se kurrë më parë për drejtimin që ka marrë vendi. Por rishtazi, ai ka folur për një të ardhme shqetësuese për vendin, në rast se Donald Trump-i do të bëhej sërish president.
Presidenti Biden ka akuzuar gjatë ditëve të fundit ish-presidentin republikan se është “i vendosur të shkatërrojë demokracinë amerikane” dhe se po kërkon “hakmarrje” dhe “shpagim”.
Nga fushata elektorale e Presidentit Biden po dërgohen nëpërmjet postës elektronike mesazhe me paralajmërime të forta, si: “Amerika e Trump-it në 2025: Ndalim mbarëkombëtar i abortit”, si dhe “Kampe përqendrimi masive”. Ish-Presidenti Trump ka propozuar organizimin e atij që e quajti operacioni më i madh në historinë amerikane për të arrestuar dhe larguar emigrantët. Por ai nuk ka mbështetur një politikë për një ndalim në rang federal të abortit.
Në të gjitha rastet nxjerrja në pah e kontrastit mes Presidentit Biden dhe ish-Presidentit Trump do të kishte qenë një element qendror i strategjisë së demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Por më parë ish-Presidenti Trump përmendej vetëm shkurtimisht, ose aspak, në fjalimet e Presidentit Biden.
Tashmë, në mesazhet e fushatës elektorale Biden janë rritur ndjeshëm referencat ndaj ish-Presidentit Trump, ndërsa ka mbetur më pak se një vit deri në zgjedhje. Ndryshimi, që vjen pas rezultateve të dobëta në anketime të Presidentit Biden, tregon mënyrën se si mund të motivohen më shumë votuesit demokratë për të ndalur zotin Trump, sesa p.sh. duke dëgjuar për investime në infrastrukturë apo energjinë e rinovueshme.
Presidenti Biden ka pranuar se shumë votues nuk janë të kënaqur me gjendjen e ekonomisë. Votuesit janë të zhgënjyer me inflacionin e lartë dhe kanë shqetësime për moshën e tij të madhe. Pothuajse 81 vjeç, zoti Biden është personi më i moshuar që është zgjedhur president.
Gjatë një fjalimi të mërkurën me donatorët në San Françisko, Presidenti Biden tha se ish-Presidenti Trump po përdor retorikë naziste për të demonizuar kundërshtarët politikë. Komenti u bë pasi ish-Presidenti Trump u zotua të “çrrënjosë” ata që i cilësoi armiq, duke i përshkruar si “vemje”. Por në vazhdim të të njëjtit fjalim, Presidenti Biden iu rikthye motos së zakonshme, duke thënë se “nuk kam qenë ndonjëherë më optimist për të ardhmen e vendit”.
Ekziston një kakofoni mes shpresave të ushqyera nga Presidenti Biden për një Amerikë në ngritje dhe paralajmërimeve të tij të forta se vendi mund të bjerë pre e dikujt që ai e quan një tiran të ardhshëm. Zyrtarët e fushatës së tij thonë se dy mesazhet mbështesin njëra-tjetrën.
“Nuk mendoj se kundërshtojnë njëra-tjetrën. Këto janë dy anë të së njëjtës medalje dhe është përgjegjësia jonë që të nxisim në të dyja drejtimet”, tha Michael Tyler, drejtor për komunikimet në fushatën elektorale Biden.
Kur u pyet për komentet e Presidentit Biden dhe krahasimet me retorikën naziste, Steven Chung, zëdhënës i fushatës elektorale Trump tha se Presidenti Biden po “shkatërron demokracinë”.
“Është e papranueshme dhe raciste” që Presidenti Biden “të bëjë këtë lidhje neveritëse” me nazistët, tha zoti Cheung. “Por nuk do të prisja prej tij që të sillej në një mënyrë të nderuar. Ai vuan qartësisht nga Sindromi i Çrregullimit Trump dhe duhet të marrë ndihmë profesionale”.
Edhe nëse Presidenti Biden arrin të tejkalojë rezultatet e ulëta në anketime dhe të fitojë një mandat të dytë, nuk ekziston ndonjë garanci se demokracia do të shpëtohet automatikisht.
Në një fjalim në 9 nëntor për donatorët në Çikago, presidenti pranoi se do t’i duhet të krijojë një ndjesi uniteti duke e rikthyer vendin tek parimet e barazisë të Deklaratës së Pavarësisë. Por, këto janë po të njëjtat parime që ai thotë se dëshirojnë t’i braktisin ish-Presidenti Trump dhe miliona mbështetësit e tij.
“…nëse nuk e bashkon dot vendin, si ruan vazhdimësinë e një demokracie pjesëmarrëse nëse nuk arrin dot konsensusin?”, tha ai. “Si do të funksiononte kjo?!”/ VOA

T� tjera
-
Haxhiu del në mbrojtje të Gërvallës e Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekaj: Çfarë faji kanë ministrat?
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të mini...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë raportet që përfundojnë në sirtar, kërkohen masa ndaj atyre që shkelën detyrën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë t...
-
Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Arlinda Zekajn
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që po mbahet për rastin e vrasjes mizore...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për vrasjen e Arli...
-
Macron paralajmëron: E shtuna e ardhshme mbetet “ditë me rrezik të lartë” nga protestat
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të hënën se e shtuna e ardhsh...
-
Gjyqtari e lejoi dhunuesin të jetojë në një shtëpi me viktimën, ia ndaloi t’i afrohej në distancë dy metrash në shtëpinë ku jetonin
Migjen Kastrati, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë, kishte marrë një vendi...
-
Prokuroria në Pejë: Janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlinda Zekajt
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bën të ditur se, j...
-
Presidentja ua përcjell kryeparlamentares dhe deputetëve vendimin për kthimin e Ligjit të Speciales në Kuvend
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ia ka kthyer Kuvendit për rishqy...
-
Njeriu i tij rrëfen momentin kur Vuçiq mori vesh se kishte humbur zgjedhjet në Serbi
Presidenti i Partisë Progresive Serbe, Milosh Vuçeviq, ka komentuar humbjen z...
-
“Jepni dorëheqje”, Çitaku: Si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për së ...
-
Thellohet rasti i vràsjes së Arlinda Zekajt: Gjykata e Pejës thotë se tek sot pranuan aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-bashkëshortit të saj
Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se këtë të hënë (26 tetor), e ka pranua...
-
Hoti dhe 14 deputetë opozitarë i kërkojnë Presidentes të mos e dekretojë Bashkim Nurbojën në Bordin e BQK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë të di...






























