Lajme

Inteligjenca artificiale kërcënon miliona vende pune në Korenë Jugore

Autori: Gazeta inFokus 10:01 | 16 November 2023

Gati katër milionë vende pune në Korenë e Jugut janë në rrezik që të zëvendësohen prej inteligjencës artificiale në dy dekadat e ardhshme, ka deklaruar Banka Qendrore e këtij shteti, në një studim të publikuar të ditën e sotme.

Avancimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka nxitur shqetësim global për humbje të vendeve të punës, rritje të sulmeve kibernetike dhe humbje të kontrollit të sistemeve ndonëse ato janë dizajnuar nga dora e njeriut. Studimi i ri nga Banka e Koresë, tregon se 3.9 milionë vende pune në Korenë e Jugut janë në rrezik që të zëvendësohen, përfshirë ato të mjekëve, avokatëve, kontabilistëve dhe kimistëve.

“Punëtorët me paga të larta dhe edukim akademik i ekspozohen më së shumti inteligjencës artificiale dhe kanë rrezik më të madh që të zëvendësohen”, është thënë në studim.

-Advertisement-

Sipas studimit, arsyeja mbrapa këtij argumenti është se inteligjenca artificiale mund t’i përfundojë shpejt detyrat analitike dhe ato kognitive. Punët që më së paku kanë rrezik nga ky avancim i teknologjisë janë ato në fushat e fesë, të shërbimeve të ushqimit dhe ligjërimit, sipas studimit. Megjithatë, Banka e Koresë ka tërhequr vërejtje që ndonëse inteligjenca artificiale rrezikon punët aktuale, ajo edhe krijon mundësi të reja për punësim, përfshirë ato në fushën e inxhinierisë për zhvillim dhe mirëmbajtje të sistemeve. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera