Lajme

A do të përfshihet BE në hetime për 24 shtatorin tregon Stano

Autori: Gazeta inFokus 14:52 | 09 October 2023

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë që BE pret jo vetëm bashkëpunim të plotë, por bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia për krejt atë çka ndodhi në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. BE pret të ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ndodhi në sulmin terrorist në veri të Kosovës, çfarë ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë në të, kush organizoi.

Bashkimi Evropian pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator, sulme të cilat BE-ja i quajti terroriste. Në këtë rast, askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst.

Kështu ka thënë të hënën, në një konferencë me gazetarë në Bruksel zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia në hetime pasi Beogradi thotë se nuk e njeh Kosovën. Beogradi po ashtu ka deklaruar se nuk do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

-Advertisement-

Stano thase samiti në Granada ishte një mundësi e mirë për takime të shumta. Për ngjarjet në fshatin Banjskë, ai thotë se situata duhet të deeskalohet.

“Sa i përket pritjeve tona nga Serbia, ne presim jo vetëm bashkëpunim të plotë nga Serbia, por bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia”, tha ai.

“Mund të konfirmoj se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ka takuar Presidentin e Kosovës Osmani dhe Presidentin e Serbisë Vuçiq dhe mesazhin e tij, por edhe mesazhin e të gjitha shteteve anëtare dhe të bashkësisë ndërkombëtare – kthim në dialog. Është e vetmja rrugë e mundshme për të zgjidhur çështjet e normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve. Kthehuni te dialogu, ky është një mesazh i qartë për të dyja palët. “Duhet të ktheheni në tavolinë, përndryshe nuk i zgjidhni problemet”, tha Stano.

Sipas tij, një tjetër pritje dhe thirrje shumë e rëndësishme që ata përsërisin është de-përshkallëzimi i situatës.

“Të bëjmë gjithçka për të arritur de-përshkallëzimin,” tha ai.

“Sa i përket pritjeve tona, ne presim jo vetëm bashkëpunim të plotë nga Serbia, por bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia. Nëse ka një vullnet, ka një mënyrë. Nuk mund të fshihesh pas formaliteteve, si njohja apo mosnjohja. Ka shumë mënyra se si mund të ndani njohuritë tuaja, të bashkëpunoni dhe të kontribuoni në hetimin e plotë. Sepse ajo që ndodhi më 24 shtator është aq e rëndë sa duhet sqaruar plotësisht, sepse do të ketë pasoja”, tha Stano.

Ngjarjet në Banjskë, shton ai, duhet të hetohen plotësisht.

“Por nuk do të hyj në detajet e hetimit, sa persona janë të dyshuar e kështu me radhë. Dua të përsëris mesazhin e qartë të BE-së – nevojitet bashkëpunim i plotë dhe i pakushtëzuar, jo vetëm nga Serbia, por nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë në hetim, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të gjithçkaje, çfarë ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë në të, kush organizoi. Në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se çfarë të bëjë kur është fjala për qasjen tonë ndaj Kosovës, Serbisë, dialogut dhe rajonit”, ka theksuar Stano.

I pyetur për pjesëmarrjen e BE-së në hetim dhe refuzimin e Vuçiqit për të ekstraduar Milan Radoiçiqin, Stano tha se BE nuk komenton deklarata individuale të bëra publikisht nga persona të ndryshëm.

“Ne nuk komentojmë nëse dikush bën shaka apo jo, as deklarata individuale të bëra publikisht nga persona të ndryshëm. Është e rëndësishme për ne, dhe këto janë pritshmëritë e BE-së dhe anëtarëve të Unionit, për të cilat kemi folur qartë disa herë, që presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar me hetimin. Nëse ka vullnet, do të gjendet një mënyrë. Nuk dua të flas për procedurat dhe diskutimet tona me partnerët. Në fund të fundit, BE-ja pret të shohë rezultatet e një hetimi të plotë dhe bashkëpunimin e të gjithëve që mund të kontribuojnë në bashkëpunimin e pakushtëzuar dhe të plotë, në mënyrë që më në fund të kemi një pamje të plotë të asaj që ndodhi dhe kush është përgjegjës për atë që ndodhi në në veri të Kosovës më 24 shtator”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera