IKD: Katrahurë dhe sjellje joparlamentare në sesionin pranveror të Kuvendit
Autori: Gazeta inFokus 21:14 | 29 July 2023
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar gjetjet për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror, kur theksohet se ky sesion është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat parlamentare.
Sipas IKD, sesioni pranveror i Kuvendit filloi me 54 pika të rendit të ditës të cilat në vitin 2022 në mungesë të kuorumit dhe dështimit të dhjetëra seancave nuk u votuan nga Kuvendi.
“Kuvendi i Kosovës filloi sesionin pranveror në vitin 2023 pa diskutuar në Kryesinë e Kuvendit mbi Programin e Punës për sesionin pranveror dhe pa e miratuar atë në seancë plenare si dhe nuk miratoi kalendarin e punimeve njëmujore, ashtu siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në raport.
Më tej thuhet se “Sesioni pranveror u karakterizua nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat parlamentare. Rrjedhimisht, puna e Kuvendit të Kosovës u përcoll me seanca të papërfunduara dhe me vazhdime të shumta të seancave. Nga totali i seancave të rregullta, 41% e tyre u përcollën me më së paku dy vazhdime dhe më së shumti me katër vazhdime. Këto vazhdime të seancave morën epilog final vetëm dy ditë para përfundimit të sesionit pranveror, më 27 korrik 2023”.
Sipas IKD, përveç mungesës së kuorumit në seanca parlamentare, mungesë të kuorumit pati edhe në Kryesinë e Kuvendit. Kryesisht kjo u shkaktua nga bojkoti i njoftuar nga ana e dy nënkryetarëve të dy grupeve parlamentare opozitare. Po ashtu, Kryesia e Kuvendit vazhdon të mos jetë e kompletuar për arsye të mos propozimit të nënkryetarit nga ana e Listës Serbe.
“Sa i përket zbatimit të Rregullores së Kuvendit të Kosovës gjatë seancave plenare, në tre raste Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa u miratuar rendi i ditës në seancë plenare për arsye që ky rend i ditës, nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesës të kuorumit. Seanca e fundit ku u shpërfaq një praktikë e tillë e shkeljes së Rregullores së Kuvendit ishte seanca e datës 13 korrik 2023, ku fillimisht nuk është votuar rendi i ditës dhe më pas është hyrë në seancë të jashtëzakonshme pa marrë miratimin formal të seancës plenare ashtu siç kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit”, thuhet në raport.
Përleshja fizike në Kuvend
IKD thotë se “formën e thirrjes dhe mbajtjes së kësaj seance, duke pretenduar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar i PDK-së më 20 korrik 2023 e dërgoi për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe me kërkesën për anulimin e kësaj seance. Në të njëjtën seancë, puna e Kuvendit u përcoll me përplasje fizike ndërmjet kabinetit të Qeverisë, deputetëve të opozitës dhe të shumicës parlamentare. Prokuroria Themelore në Prishtinë ftoi për intervistim Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa”.
IKD, konsideron se një praktikë e tillë e sjelljes së deputetëve është në kundërshtim me standardet e larta profesionale dhe etike të cilat janë parakusht për të ndërtuar besim të publikut në punën e përfaqësuesve dhe në integritetin e tyre.
“Në këtë situatë, pas krijimit të rrëmujës dhe përplasjeve fizike ndërmjet disa anëtarëve të kabinetit qeveritar me disa deputetë të opozitës, Kryetari i Kuvendit ka thirrur brenda sallës Policinë dhe ka vazhduar të mbajë seancë plenare, përkundër se në këto situata, Rregullorja e Kuvendit kërkon pezullimin dhe vazhdimin e seancës në një ditë tjetër”.
Në anën tjetër, sipas IKD, ministrat e Qeverisë kanë vazhduar të injorojnë Kuvendin gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. “Në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ata kanë munguar gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Këtu prijnë Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schëarz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Krahas kësaj shkeljeje, edhe Kryetari i Kuvendit ka vazhduar të mos e zbatojë Rregulloren e Kuvendit sa i përket dhënies së vërejtjeve ndaj anëtarëve të Qeverisë dhe Kryeministrit kur ata mungojnë dhe nuk e njoftojnë Kryetarin për mungesën e tyre gjatë parashtrimit të pyetjeve nga deputetët. Në asnjë nga seancat plenare, siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ka tërhequr vërejtje publikisht, për kabinetin qeveritar për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetëve”.
Në anën tjetër, në dhjetëra raste IKD ka gjetur se përkundër faktit që deputetët janë njoftuar se është radha e tyre për të parashtruar pyetjet parlamentare, të njëjtit nuk kanë qenë prezent në sallë të Kuvendit për të parashtruar pyetjet.
“Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet. Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit. Gjatë sesionit pranveror, më shumë se 70% e projektligjeve janë përcjellë nga një seancë në tjetrën. Që nga fillimi i legjislaturës, ¼ e projektligjeve të proceduara kanë qenë projektligje në formën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat në më shumë se 80% e tyre janë hedhur në votim më shumë se tre herë dhe epilog final kanë marrë vetëm pas përplasjeve pozitë me opozitën, por jo si rezultat i një dialogu të mirëfilltë dhe konsensusi të plotë për miratimin e tyre”, thuhet në raportin e publikuar.
“Gjatë sesionit pranveror, deri në seancën e datës 27 korrik 2023, Kuvendi miratoi në tërësi 44 projektligje. Por, në mungesë të kuorumit, seanca e fundit e sesionit pranveror, e planifikuar për t’u mbajtur më 28 korrik dështoi të fillojë. Si pasojë mbetën pa u diskutuar dhe votuar tetë projektligje në parim, pesë projektligje në formën e marrëveshjeve ndërkombëtare, pesë projektligje në lexim të dytë, pika të cilat do të mbesin për shqyrtim në sesionin vjeshtor të Kuvendit”.
Në anën tjetër, sipas IKD, përkundër faktit që kanë kaluar afatet e parapara me Rregulloren e Kuvendit, ende nuk janë miratuar gjashtë projektligje nga viti 2021, 12 projektligje nga viti 2022 dhe gjashtë projektligje nga viti 2023.
Fyerjet dhe gjuha seksiste në Kuvend
“Sa i përket transparencës, mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në anën tjetër përkundër vërejtjeve dhe kërkesave të IKD-së, Kuvendi ende nuk e ka funksionalizuar votimin elektronik duke pamundësuar informimin e qytetarëve për mënyrën se si kanë votuar deputetët. Vlen të theksohet se përkundër që me Rregulloren e Kuvendit është obligative edhe publikimi i rezultateve të ‘votimit me dorë’, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur”.
“Puna në seancat parlamentare është karakterizuar edhe nga gjuha joparlamentare e përdorur nga anëtarët e Qeverisë dhe nga deputetët e Kuvendit duke krijuar diskutime të polarizuara ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar. Në disa raste, anëtarët e qeverisë përdorën gjuhë seksiste ndaj deputetëve, pastaj fjalët tradhtar, hipokrit, mashtrues, gënjeshtar, rrenc janë fjalët që janë përmendur nga anëtarët e qeverisë dhe deputetët, fjalë të cilat nuk përkojnë me gjuhën parlamentare dhe standardet minimale të sjelljes parlamentare”.
Sipas IKD, në këso situata, miratimi i një Kodi të Sjelljes për deputetët e Kuvendit do të duhej të ishte në agjendën e Kuvendit si prioritet. Përkundër faktit që një kod i tillë parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, i njëjti ende nuk është miratuar. Ky kod do të duhej që mjaftueshëm të përshkruajë natyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve joparlamentare të deputetëve. Miratimi i një kodi të tillë do të shprehte vlerat e përbashkëta dhe parimet kryesore të cilat do ta orientonin dhe vlerësonin sjelljen e deputetëve.
IKD në një rast ka gjetur se Kuvendi ka dështuar të zbatojë pa vonesë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (GJK). “Me 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit në fuqi për Skemat Pensionale — përkatësisht paragrafin 2 të nenit 8 të këtij ligji. Kjo dispozitë, në mënyrë diskriminuese, ua ndaloi mijëra qytetarëve, të cilët nuk e përmbushin kriterin e përvojës së punës prej 15 vitesh para janarit të vitit 1999 ta marrin pensionin kontributdhënës. Atyre u lejohej vetëm pensioni i moshës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së Gjykatës Supreme, ku kishte ngritur dyshime për kushtetutshmërinë e kësaj dispozite. Gjykata Kushtetuese e obligoi Kuvendit që ta miratojë Ligjin për Skemat Pensionale deri me 15 korrik 2023, por se Kuvendi këtë e bëri vetëm me 27 korrik 2023. Kësaj situate i ka kontribuuar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk e ka përcjellë këtë projektligj në Kuvend deri më 6 korrik 2023”.
“Kuvendit të Kosovës i janë kontestuar edhe tre ligje të miratuara gjatë këtij sesioni. Grupi Parlamentar i PDK-së dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, grupi parlamentar i AAK-së dërgoi në GjK, Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetor dhe Ligji për Pagat në Sektorin Publik përfundoi në GjK nga Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në raport.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, këto Ligje nuk hyjnë në fuqi, deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me kushtetutshmërinë e këtyre ligjeve. /BetimiperDrejtesi/
Të tjera
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...
-
Nuredin Lushtaku, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se koalicionit i është bashkuar l...
-
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada dhe...
-
“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të lirohen nga paraburgimi pas disa muajve”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Seli...
-
Haziri takim me qytetarët: Gjilani e Anamorava janë kryengritë për ndyshim, LDK, besë dhe shpresë për Kosovën
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...
-
KFOR-i thotë se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmua...