Lajme

20 policët e dyshuar për kontrabandë e marrje ryshfeti heshtin para gjykatës

Autori: Gazeta inFokus 18:30 | 18 May 2023

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 20 policët e veriut, të cilët po akuzohen për korrupsion dhe kontrabandë me mallra në veri, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të mbrohen në heshtje.

Në këtë rast po akuzohen Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovçi, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë deklarimit të secilit të akuzuar se mbrohen në heshtje, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari ua ka parashtruar secilit prej tyre pyetjen “ju keni dhënë një deklaratë në PSRK në cilësi të pandehurit dhe në prani të mbrojtësit tuaj, cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë”.

-Advertisement-

Kurse, lidhur me këtë pyetje të gjykatësit Bajraktari, kanë reaguar disa prej avokatëve me arsyetimin se deri sa të akuzuarit po deklarohen në heshtje nuk duhet t’iu parashtrohet kjo pyetje.

Sipas mbrojtëses së të akuzuarit Vukadin Tomasheviq, avokates Mimoza Zabeli Sinani deklarimi i të pandehurit se po mbrohet në heshtje është mjaftë i qartë, duke e konsideruar të panevojshme pyetjen e gjykatësit Bajraktari për deklaratën e tyre të dhënë më parë.

“E konsiderova të pa nevojshme pyetjen për deklaratë meqenëse konsideroj se deklarata e të pandehurit ke mjaftë e qartë “Mbrohna në heshtje”, krijimi nashta i trysnisë ose i presionit ndaj të pandehurit lidhur me deklaratën mendoj se ishte i panevojshëm dhe po e vëni në lajthim të pandehurin dhe në cilësinë e mbrojtjes e konsideroj të panevojshme pasi që vet fakti se u deklaru se mbrohet në heshtje e konsideroj të mjaftueshme”, ka thënë avokatja.

Lidhur me këtë, gjykatësi Bajraktari tha se ai nuk po ushtron trysni e as nuk po i vë në lajthim të pandehurit.

“T’lutem veç diçka. Kur të përdor terminologji juridikisht duhet me përdor saktë. Nëse po sheh se kena bo presion diçka, absolut nuk kom bo, thash edhe paraprakisht Zoran Radunoviq se e vërejta që po don mu konsultu me avokatin, i dhashë mundësinë, as sjom tu i bo trysni as sjom tu i qit në lajthim, as diçka tjetër. Kështu që këto shprehjet lajthim trysni t’lutna lëri”, ka thënë gjykatësi Bajraktari.

I njëjti e ka paralajmëruar avokaten Zabeli Sinani se gjykata askënd nuk e vë në lajthim dhe gjykata paraprakisht e ka pyetur secilin të akuzuar se a është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tyre.

Ndërkaq, të akuzuarit Abdurrahim Haxhi, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramandan Mustafiq, Dragosh Kompiroviq, Ali Pllana, Vukadin Tomasheviq, Blagoje Lazoviq pas pyetjes së gjykatësit Bajraktari kanë deklaruar se mbeten pranë deklaratës së tyre.

Kurse, Zvezdan Spasejoviq, Biljana Nedelkjoviq, Dejan Spasojeviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Zoran Radunoviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinovic, Burim Merovci, Nebojsa Gogiq kanë deklaruar se mbrohen në heshtje edhe sa i përket pyetjes së parashtruar nga gjykatësi Bajraktari.

Ndërkaq, i akuzuari Reshat Kuçi lidhur me këtë pyetje ka deklaruar se “nuk e di çka të them, janë shumë herët të dhëna dhe nuk më kujtohen se janë dhënë para 4 viteve”.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarës Jasna Durleviq avokati Asdren Hoxha ka pyetur prokurorin special Burim Çerkini se a do të pësoj aktakuza ndonjë ndryshim pas rrjedhojës së këtij shqyrtimi, për të cilën prokurori ka thënë se ai do të vlerësoj një nga një veprimet e secilit të pandehurit dhe do të nxjerrë një përfundim.

Lidhur me këtë, gjykatësi Bajraktari ka kërkuar nga prokurori Çerkini se në rast se do të ketë ndonjë ndryshim sa i përket kualifikimit ligjor, këtë t’ia dërgoj gjykatës më herët në mënyrë që e njëjta t’i përcillet mbrojtjes ashtu që të njëjtit të përgatiten për fjalën përfundimtare.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale ku pritet të jepet fjala përfundimtare u caktua të mbahet më 24 korrik 2023.

Ndërkaq, bashkë me 20 policët e veriut, akuzoheshin edhe B.M., dhe K.S, por ndaj të njëjtëve gjykata ka pushuar procedurën penale, për shkak se kishin ndërruar jetë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit K.S, i cili ka ndërruar jetë dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Bashkë me 20 policët e veriut, në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare.

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, B.M., dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit K.S, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje po i ngarkon me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, për të cilat veprime dhe me të njëjtat vepra penale po ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq të cilët gjenden në arrati, kishin kontrabanduar kafshë nga Serbia për në Kosovë, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kishin udhëtuar në Serbi ku atje kishin blerë kafshë dhe më pas të njëjtat përmes marrëveshjes i kishin dorëzuar tek të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Radojkoviq të cilat kafshë i kishin kontrabanduar përtej kufirit në mënyrë ilegale dukë bashkëpunuar me zyrtarët policorë në SPMK-Zubin Potok, për të cilat shërbime ishin paguar në shumën prej 50 deri në 60 euro për një kafshë.

Më pas, siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, i kishin marrë kafshët nga fermat e të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq dhe Boba Radojkoviq dhe i kishin dorëzuar tek pronarët e tyre në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë dhe fshatin “Sankovc”, në Drenas, ku për bartjen e këtyre kafshëve kishin marrë 30-35 euro për një kafshë.

Sipas PSRK-së, vetëm për dy rastet e proceduara vlera e shmangies për mallrat e kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, ku të njëjtit pas hetimit nga ana e policisë ishin arrestuar.

Për këto veprime, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, po ngarkohen me veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga nenin 317, par.1 lidhur me nenet 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po ngarkohen edhe për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë urdhër kontrollit nga ana e policisë, tek i akuzuari Jashari ishin gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK-47, një pushkë M-48, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike.

Ndërsa, tek i akuzuari Isufi policia kishin gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie ”Zastava”, dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, të cilat armë dy të akuzuarit i kishin poseduar pa autorizim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera