Kuvendi efikas në vitin 2022, por opozita kritikon pushtetin për përmbajtje të dobët të ligjeve
Autori: Gazeta inFokus 11:43 | 01 January 2023
Kuvendi i Kosovës ka pasur performancë të mirë në ligjvënie gjatë vitit 2022. Plot 102 ligje janë miratuar vitin e kaluar nga të zgjedhurit e popullit. Megjithatë, partitë opozitare kritikojnë mazhorancën për përmbajtjen e tyre, duke i cilësuar si më të dobëtat që kanë ardhur ndonjëherë në Kuvend.
Në anën tjetër, monitoruesit e punës së deputetëve, potencojnë se legjislativi edhe vitin e kaluar ka çaluar për shkak të mungesës së kuorumit, mungesës së debatit parlamentar dhe mbikëqyrjes parlamentare ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress, se vitin e kaluar Kuvendi ka miratuar 102 ligje, ndërsa, 49 projektligje janë në procedurë të rregullt të shqyrtimit.
Derisa paraqet sukseset e Kuvendit gjatë vitit të kaluar, ajo pranon edhe problemin e ndërprerjeve të seancave për shkak të mungesës së deputetëve.
“Mbajta e seancave ka qenë në një frekuencë të rregullt, por që me të drejtë i pranojmë kritikat si nga bashkësia ndërkombëtare por edhe shoqëria civile që është e pakuptimtë për deputetët që marrin mandatin e deputetit dhe ka situata kur duhet të ndërpritet seanca në mungesë të kuorumit, qoftë ajo në mos votim të opozitës, apo ajo në mospasjes së numrave të deputetëve prezentë… Viti 2022 mund të themi se ka qenë vit i suksesshëm, këtu e përfshijë edhe opozitën, pasi në numra dhe votime përgjithësisht, jo të gjitha kemi pasur dakordim për marrëveshjet ndërkombëtare.
Janë mbi 18 marrëveshje që janë votuar në vitin 2022… Kemi trajtuar një prej problemeve kronike, mos të them akute, pasi vazhdimisht është paraqitur në Raport të Progresit, por gjithashtu është evidentuar si domosdoshmëri për ndryshim reforma në Administratën Publike dhe gjithashtu edhe rregullimi me ligj të mirëfilltë të pagave në sektorin publik”, thotë Kusari-Lila.
Mirëpo, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se përkundër përqindjes së lartë të ligjeve të miratuara në Kuvend, përmbajtja e tyre ka qenë e dobët, madje edhe shumica prej tyre janë miratuar me shmangie të procedurave ose seanca të jashtëzakonshme plenare.
“Mazhoranca shumicën e ligjeve, sidomos pjesën e fundit të vitit ka shkuar me ikje dhe shmangie të procedurave dhe seanca të jashtëzakonshme…Në kuptimin sasior, Kuvendi do të jetë në përqindje më të lartë se vitin e kaluar, kurse në përmbajtje mendoj se do të jetë më i dobët, pasi nuk mundesh të bësh ndryshime të mira duke u ngutur, pasi duhet t’i përfshish edhe palët të tjera të interesit…Opozita ka pas rolin e vet, sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare kemi qenë çdo herë në përkrahje, kurse tek ligjet kemi pasur qëndrimet tona, ka pasur që edhe i kemi përkrahur, por vlen të theksohet se pozita aktuale nuk i ka përkrah amendamentet apo ligjet që kanë dal prej opozitës edhe nëse kanë qenë në interes për shoqërinë. Siç ishte rasti i TRUST-it dhe shumë ligje të tjera”, deklaron ai.
Kritik për ligjet e miratuara në Kuvend nga mazhoranca është edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Ai thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti ka sjell dhe miratuar në Kuvend ligjet me përmbajtjen më të dobët në historinë e parlamentarizmit në Kosovë.
“Kjo mazhorancë politike në Kosovë po i sjell ligjet me përmbajtjen më të dobët në historinë e parlamentarizmit të Kosovës. Ndoshta të kaluarën ka ndodhur që të jenë të mira, pasi shumicën i kemi marrë ose janë konsultuar shumë faktori ndërkombëtar, por tani secili projektligj që vjen në Kuvend, përmbajtësisht, gjuhësisht, substancialisht është i mbrapsht, ose i shkruar keq, ose me gabime drejtshkrimore shumë të mëdha ose me qëllime negative prapa tyre”, thekson Selmanaj.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se opozita është treguar korrekte me mazhorancën në Kuvend, duke përkrahur edhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas saj, partia në pushtet është sjell me arrogancën e numrave karshi opozitës duke mos përkrahur asnjë iniciativë të tyre.
“Opozita është treguar korrekte me mazhorancën. Siç e keni pa opozita ka përkrah plot projektligje edhe nëse ndonjëherë ka qenë votim i thjesht vetëm 61 vota, mos të flasim për votimet e gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkon dy të tretat e votave. Ne nuk e kemi bllokuar këto procese… 24:41 Gjithmonë sjellën me arrogancën e numrave, përveç kur kanë nevojë. Ne po bëjmë një opozitë konstruktive, po e shihni se për tema që të kishte qenë Vetëvendosje në opozitë do t’i kishte bërë tema dhe protestuar si për shembull për situatën në veri, por duke parë që është një çështje e ndjeshme ne i kemi dhënë alternativa dhe përkrahje”, deklaron Kadrijaj.
Kurse, Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se Kuvendi gjatë vitit 2022 ka pasur agjendë të ngarkuar, por ka çaluar në dështimin e seancave plenare për shkak të mungesës së kuorumit.
“Kuvendi ka vazhduar të çalojë në pikat të ngjashme të vitit të kaluar, duke filluar nga mungesa e kuorumit, mungesa e deputetëve. Tek kjo, vlen të theksohet bojkotimi që i bëhet Kuvendit nga deputetët e Listës Serbe, një bojkotim që përfshinë 12 deputetë. Një problem tjetër është mungesa e debatit parlamentar përbrenda seancave apo jetës parlamentare. Kësisoj praktika parlamentare shumë shpesh ka përfunduar në shmangie të procedurave të rregullta ose adaptim të procedurave të përshpejtuara të procedurave parlamentare”, thotë ai.
Gjatë këtij viti Kuvendi ka mbajtur gjithsej 56 seanca. Kuvendi ka zhvilluar 14 debate parlamentare, tri interpelanca dhe ka adresuar 240 pyetje për qeverinë. Komisionet parlamentare kanë mbajtur gjithsej 466 mbledhje.
Sesioni pranveror i legjislativit do të fillojë në javën e tretë të janarit./kp/
Të tjera
-
Vetvendosja ia vë syrin Prizrenit? 300 anëtarësime të reja në këtë rajon
“Prizreni po e forcon lidhjen me VETËVENDOSJE!-n, dhe kryeqyteti i kulturës e...
-
Rama para shqiptarëve në Greqi: Faleminderit nga zemra për këtë mikpritje kaq prekëse
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur një fjalim para shqiptarëve në...
-
Siljanovska sot merr detyrën si presidente e Maqedonisë së Veriut
Pas inaugurimit të Siljanovskës në Kuvend, sipas njoftimit, në kabinetin e Pr...
-
Aksident i rëndë në Gjermani, pesë të lënduar nga përplasja e BMW-së për disa pemë
Të dielën, në Gjermani një veturë e tipit BMW është përplasur për disa pemë, ...
-
Jahjaga takon ish-kryeministrin spanjoll Zapatero, nëpërmjet një postimi tregon çfarë foli me të
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka takuar në Madrid ish-kryemini...
-
Arrestohet një burrë në Prishtinë, rrẩḣu gruan dhe vajzën e tij
Është arrestuar një burrë në Prishtinë, pasi i njëjti dyshohet se pas një mos...
-
Mbi 1 mijë e 700 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
1 mijë e 719 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë....
-
Dje përfundoi periudha transitore e BQK’së për dinarin, nga sot euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë
Dje ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çësh...
-
Studentët e Infermierisë tregojnë nëse pas studimeve do tё qёndrojnë për të punuar nё Kosovë
Organizata joqeveritare Dita e Infermierëve “NURSE DAY”, e themeluar nё filli...
-
Ndërron jetë ish-ushtari i UÇK-së, Esat Tahiri
Ka ndërruar jetë ish-ushtari i UÇK-së, Esat Tahiri. Lajmin e ka bërë të di...
-
Arrestohet shtetasi i Shqipërisë, përdori identitetin e tjetërkujt për t’u pajisur me letërnjoftim të Kosovës
Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar pasi dyshohet se ka përdorur identit...
-
Abazi: Stili i vetëm që ka Kurti është viktimizimi
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, e konsideron fajtor ish-she...