Afro gjysmë milioni euro pensione për persona të vdekur
Autori: Gazeta inFokus 15:14 | 13 June 2022
Jo të gjitha vdekjet që ndodhin në Kosovë, regjistrohen brenda afatit kohor në zyrat e regjistrimit të gjendjes civile nëpër komunat përkatëse, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Me ligj, deklarimi i vdekjes duhet të bëhet nga një pjesëtar madhor i familjes, me një raport mjekësor, brenda 30 ditësh nga vdekja.
Por, vonesat në deklarim kanë bërë që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, vetëm vitin e kaluar, të paguajë afro gjysmë milioni euro për pensione të personave të vdekur.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të publikuar këtë muaj, kjo ministri ka paguar 3,314 pensione pas vdekjes së përfitueseve, në vlerë prej mbi 465 mijë eurosh.
Juristë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se, për t’i evituar vonesat në lajmërimin e vdekjeve, duhet digjitalizuar sistemin e regjistrimit midis institucioneve shëndetësore dhe zyrave komunale të regjistrimit civil.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse kanë ndonjë sistem elektronik, ku regjistrojnë personat e vdekur në spital.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ndërkaq, thonë se nëse personi vdes në ndonjërin prej reparteve të këtij institucioni, QKUK-ja i plotëson disa formularë, që dorëzohen edhe në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.
“Faqja e parë e formularit i bashkëngjitet historisë së pacientit, e cila mbetet në klinikën përkatëse. Faqja e dytë është për ASK-në dhe faqja e tretë për komunën përkatëse. Këto dy faqe të formularit, pas një periudhe kohore, ASK-ja i merr nga QKUK-ja dhe njërën prej tyre e dërgon në komunë, tjetrën e mban për vete”.
“Ndërkohë, faqja e katërt, pasi të vdesë pacienti, bashkë me fletëvdekjen dhe fletëlëshimin [nga spitali] i takon familjarit”, sqarojnë nga QKUK-ja për REL-in, por pa dhënë detaje nëse kanë ndonjë sistem elektronik ku regjistrohen të vdekurit.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarë të Komunës së Drenasit, në pjesën qendrore të Kosovës, të cilët konfirmojnë se nuk ka ndonjë bazë të përbashkët të të dhënash midis institucioneve shëndetësore dhe zyrave komunale.
Lumnije Prenaj, udhëheqëse e Shërbimit të Gjendjes Civile në këtë komunë, thotë se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas nuk i përcjell në mënyrë elektronike rastet e vdekjes në Zyrën Komunale për Regjistrimin Civil.
Sipas saj, rastet e vdekjeve regjistrohen me kërkesën e familjarëve – fizikisht në komunë – dhe “në shumicën e rasteve me vonesë”.
Procesi i regjistrimit të vdekjeve në Kosovë
Me Ligjin për Gjendjen Civile, çdo vdekje që ndodh në territorin e Kosovës duhet të regjistrohet nga anëtarët e familjes nëpër komunat përkatëse brenda 30 ditësh, ndërsa për ato që ndodhin jashtë territorit, afati për regjistrim është 60 ditë.
Të gjitha vdekjet që ndodhin në institucionet shëndetësore, por edhe në shtëpi, duhet të konfirmohen nga mjeku kompetent, i cili lëshon certifikatën e vdekjes.
Më pas, kërkesën për regjistrimin e të vdekurit, familjarët duhet ta paraqesin fizikisht në zyrat komunale, bashkë me certifikatën e lëshuar nga institucioni shëndetësor, e cila konfirmon vdekjen e personit.
Nëse nuk ka ndonjë certifikatë të tillë, atëherë regjistrimi i vdekjes bëhet me dy dëshmitarë para gjykatës, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e vdekjes së personit apo gjatë varrimit të tij.
Nëse vdekja nuk lajmërohet brenda afatit të caktuar, familjarët mund të gjobiten nga 50 deri në 100 euro.
Digjitalizimi përmirëson procesin
Mentor Seferi, nga organizata joqeveritare Programi për të Drejtat Civile në Kosovë, thotë se procesi i regjistrimit të vdekjes nuk mund të mbetet në vullnetin e familjarëve, por se nevojitet digjitalizimi i sistemit të regjistrimit.
“Komunikimi elektronik mes institucioneve shëndetësore është i domosdoshëm për këtë proces”, thekson ai.
Juristi Hasim Krasniqi, i cili më herët ka punuar në Agjencinë për Regjistrimin Civil, thotë se problem në këtë aspekt paraqesin vdekjet natyrale, që ndodhin në shtëpi.
“Në shumicën e rasteve, vdekjet natyrale që ndodhin në shtëpi, nuk konfirmohen as nga mjeku. Këtu ka ngecje. Dhe, është një praktikë e qytetarëve që, pa iu nevojitur ndonjë dokument, nuk shkojnë të regjistrojnë personin e vdekur”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, Agjencia për Regjistrimin Civil dhe komunat duhet të gjejnë “forma obliguese” që t’i regjistrojnë vdekjet me kohë, por nuk specifikon se cilat do të mund të ishin ato.
Me ligj, kur vdekja ndodh në shtëpi, personat që janë të pranishëm duhet ta thërrasin mjekun për ta konfirmuar atë. Të gjitha rastet e vdekjes duhet ta kenë konkluzionin se cili ka qenë shkaku i vdekjes së personit, të cilin e lëshon institucioni shëndetësor.
Pas regjistrimit në komunat përkatëse, me ato të dhëna shërbehet Agjencia për Regjistrimin Civil, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Erdon Arifaj, zëvendës i drejtorit të Departamentit të Gjendjes Civile në këtë agjenci, shpjegon për REL-in se si funksionon ajo:
“Regjistrimi i vdekjeve bëhet nga zyrtari i gjendjes civile brenda në sistem. Është një sistem unik. Ato [të dhënat] grumbullohen në regjistrin qendror të shtetaseve – regjistër ky që administrohet nga ne. Pra, për të gjitha rastet, kur qytetari e deklaron vdekjen [e familjarit], ne i kemi informatat dhe ato i shpërndajmë tek institucionet përkatëse”.
Me këto të dhëna, çdo muaj, shërbehet edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, e cila ekzekuton mjetet e pensioneve.
Vlera e pensionit në Kosovë sillet nga 100 euro – pensionet e pleqërisë – deri në 264 euro, varësisht kualifikimit arsimor.
Në bazë të ligjit, pensionistët duhet të paraqiten në Zyrën e Pensionistëve çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.
Ministria e Financave: Mbi 151 mijë euro janë kthyer në buxhet
Skënder Asllani, zëvendësdrejtor në Departamentin e Pensioneve në Ministrinë e Financave, thotë se ky institucion funksionon në bazë të të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin Civil.
“Ne kemi raste që pala të vdesë pas datës 15 [të muajit], por ne jemi të obliguar që t’ia bartim mjetet sa është në jetë [në fillim të muajit] dhe kjo tingëllon se ministria po gabon. Ne, çdo muaj, i marrim të dhënat nga Agjencia për Regjistrimin Civil”, thotë Asllani.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se “mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave, shkakton pagesa të parregullta dhe dëmton buxhetin e ministrisë”.
Sa i kushton Kosovës mirëqenia sociale?
Kjo zyrë i ka rekomanduar Ministrisë së Financave që ta analizojë në hollësi çështjen e pagesave dhe t’i shqyrtojë mundësitë për kthimin e tyre, në rast se u dërgohen përfituesve të vdekur.
“Kthimi i mjeteve bëhet në mënyrë vullnetare nga familjarët e pensionistit të vdekur, e që kanë marrë pension pas vdekjes së pensionistit. Por, në rastet kur këto mjete nuk kthehen në mënyrë vullnetare, iniciohen procedura gjyqësore”, thonë për REL-in nga zyra për informim e Ministrisë së Financave.
Sipas saj, nga pagesat “e gabuara” për njerëz të vdekur vitin e kaluar, deri më tash janë kthyer mbi 151 mijë euro në buxhet.
Ministria e Financave thotë se gabimet kanë ndodhur për shkak se, që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 në mars të vitit 2020, Qeveria e Kosovës, me një vendim të saj, i ka liruar të gjitha kategoritë e pensionistëve që të paraqiten çdo gjashtë muaj në zyrat e pensionistëve.
Përveç pagesave për persona të vdekur, Ministria e Financave ka paguar gabimisht edhe mbi 405 mijë euro të tjera për ndihma sociale, pensione të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pensione të punëtorëve të kombinatit metalurgjik “Trepça”, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit./rel
Të tjera
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...
-
Nuredin Lushtaku, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se koalicionit i është bashkuar l...
-
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada dhe...
-
“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të lirohen nga paraburgimi pas disa muajve”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Seli...
-
Haziri takim me qytetarët: Gjilani e Anamorava janë kryengritë për ndyshim, LDK, besë dhe shpresë për Kosovën
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...
-
KFOR-i thotë se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmua...
-
Përurohet QKMF-ja në Mamushë, Kurti: Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore
Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në M...