Lajme

Dështon gjykimi për korrupsion e krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të tjerëve

Autori: Gazeta inFokus 11:44 | 29 December 2021

Mungesa e të akuzuarit Haxhi Bejta dhe mbrojtësit të tij, avokatit Tahir Rrecaj, u bë shkak që të mos mbahet seanca e shqyrtimit fillestar këtë të mërkurë, në Departamentin Special, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish-kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

-Advertisement-

Të gjithë të pandehurit e lartcekur sipas aktit akuzues kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe se këtë grup kriminal akuzohet se e ka udhëhequr i akuzuari Jabllanoviq, e të cilën udhëheqje e ka vazhduar edhe pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani ka thënë se mbrojtësi i të akuzuarit Bejta, avokati Rrecaj përmes një parashtrese ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij nuk mund të paraqitet në këtë seancë, për shkak se i njëjti gjendet në Turqi për shkaqe shëndetësore.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Bejta, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova ka deklaruar se do ta shohin a po stabilizohet gjendja shëndetësore e të akuzuarit në mënyrë që të vazhdojnë tutje, në të kundërtën ajo ka thënë se do të propozojnë edhe veçimin e procedurës për të akuzuarin Bejta.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga mbrojtësit e të akuzuarve të cilët kanë mungesa në shkresat e lëndës, që të drejtohen në Prokurori Speciale me parashtresë për t’i marrë ato dokumente të cilat iu mungojnë.

Lidhur me mungesat e disa shkresave janë deklaruar disa avokatë, e ndër ta është deklaruar edhe avokati Ariant Koci, mbrojtës i të akuzuarit Bojan Banoviq, i cili ka paraqitur vërejte ndaj gjykatëses Namani.

Ai ka thënë se ftesa e palëve në seancë duke e ditur që e njëjta nuk do të mbahet nuk është korrekte.

“Nuk po më duket korrekte edhe pse e keni ditë që nuk mbahet, të na ftoni në këtë seancë”, tha avokati Koci.

Në mungesë të kushteve ligjore, kjo seancë u ndërpre, ndërsa e radhës është caktuar më 28 janar 2022.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup ashtu që pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

Po ashtu, akuzohet se me vendimin e 2 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për Drejtor të Prokurimit në Leposaviq e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, si dhe të pandehurit Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi.

Jabllanoviq akuzohet se u ka caktuar detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tyre.

Tutje në aktakuzë thuhet se si anëtarë të këtij grupi kriminal nga radhët e personave përgjegjës në organizatat private të biznesit dhe atë me të pandehurit Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga “Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N-ING.I”, dhe Nijazi Musliu nga “Eurometali”, akuzohen se kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të Komunës së Leposaviqit si dhe nenin 6 të Ligjit për Prokurim Publik.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminojë operatorët tjerë ekonomik, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milionë e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitojë tenderin dhe më 30 korrik 2015 ta nënshkruajë këtë kontrate, për periudhën kohore prej 30 korrik 2015  deri më 30 korrik 2018.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Jabllanoviq, ka caktuar organ mbikëqyrës për këtë projekt Operatorin Ekonomik “F.N.-ING.I”, me të pandehurin Mensur Rama si menaxher i kompanisë, edhe pse ky biznes në atë kohë fare nuk ka qenë i regjistruar, po është regjistruar një javë më vonë.

Mensur Rama akuzohet se duke e shkelur ligjin ka përpiluar raporte të pavërteta të pranimit të punëve dhe furnizimeve për projekte të kontratës duke konstatuar se punimet kanë përfunduar sipas kontratës derisa në realitet nuk janë kryer fare apo janë kryer në kundërshtim me normat e ndërtimit.

Ndërsa i akuzuari Aleksandar Ackoviq, ngarkohet se në cilësi të Organit Mbikëqyrës për disa projekte, me anëtarët të Komisionit për Pranim teknik, të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, ndërsa për projekt tjetër,  si anëtar i këtij komisionit me të pandehurin Bojan Banoviq dhe të pandehurin Aleksandar Kostiq si kryetar, kanë përpiluar raporte të pavërteta me të cilat i kanë pranuar punimet në terren, edhe pse ato punime nuk i kanë përmbushur standardet dhe nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Po ashtu, edhe i akuzuari Mirosllav Ivanoviq në cilësi të Menaxherit të projektit, akuzohet se vazhdimisht i ka nënshkruar raportet duke vërtetuar gjendjen e cila nuk ka qenë reale, me ç’rast të njëjtit ia kanë mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” me të pandehurin Xhemajl Ferizi që për projektet “Rregullimi dhe adaptimi i hapësirës në objektin e varrezave në fshatin Koshutice”, “Ndërtimi i depos në Leshak”, “Ndërtimi i qendrës sportive në lagjen Trepça.” “Ndërtimi i sheshit te lojërave për femijë në rr. Dositej Obradoviq” në mënyrë të kundërligishme të përfitojë dobi pasurore në shumë prej 162 mijë e 685 euro e 31 centë, si dhe shumën prej 246 mijë e 28 euro e 42 centë për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se për kontratën kornizë “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunën e Leposaviqit”, me vlerë të parashikuar prej 3 milionë euro, me nr. të prokurimit 641/15/001/511 për periudhën 27 tetor 2015 – 27 tetor 2018, të nënshkruar me konzorciumin SHPK “Lirigzoni” & NNP “Bislimi” me drejtorin – të pandehurin Mehdi Haxhiu dhe pronar të pandehurin Haki Haxhiu, iu është mundësuar përfitimi në mënyrë të kundërligjshme shuma prej 1 milionë e 647 mijë e 244 euro e 1 cent.

Kjo sepse, sipas aktit akuzues i pandehuri Aleksandar Ackoviq si Organ Mbikëqyrës, i pandehuri Aleksandar Kostiq, si Kryetar i Komisionit të Pranimit Teknik, me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, si anëtarë, për 8 akse rrugore të financuara nga Bashkësia Evropiane dhe për projektin “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqanicë”, Aleksandar Kostiq si Projekt Menaxher, Aleksandar Ackoviq Organ Mbikëqyrës, si dhe Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijeviq – Komision për Pranim Teknik, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, kanë nënshkruar raporte të pavërteta për punimet të cilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Ndërsa, në aktakuzë thuhet se për kontratën “Furnizimi me pajisje për filtrimin e ujit në pishinat e qendrës sportive në Leposaviq”, me vlerë të parashikuar prej 200 mijë euro, me afat vetëm dy-ditor të dorëzimit të pajisjeve, të nënshkruar me 20 dhjetor 2016 me konzorciumin “Eurometal” SHPK & “Kruzni Tok”, me drejtorin Nijazi Musliu, atë të njëjtën ditë i pandehuri Jabllanoviq e ka caktuar të pandehurin Ivan Kadiq për Menaxher të projektit, e dy ditë më vonë, me 22 dhjetor 2016, e pandehura Jellica Baraq, si Menaxhere e Prokurimit, sipas urdhrit të të pandehurit Jabllanoviq, e ka përgatitur raportin e pavërtetë sipas të cilit konstatohet se pajisjet janë pranuar dhe propozohet që operatorit ekonomik t’i bëhet pagesa.

Tutje, sipas aktit akuzues, ky raport është prezantuar anëtarëve të Komisionit për Inspektimin dhe Pranimin e Pajisjeve – të pandehurve Boban Millovanoviq. Aleksandar Ackoviq dhe Cedomir Timotijeviq, të cilët e kanë nënshkruar, duke i mundësuar operatorit ekonomik “Eurometal”, dhe të pandehurit Nijazi Musliu që më 20 mars 2017, në mënyrë të kundërligjshme në Raiffesen Bank të pranojë shumën prej 163 mijë e 573 euro e 20 centë.

Si dhe i pandehuri Dragan Jabllanoviq, akuzohet se më 9 nëntor 2017, në zyrat e Autoritetit Përmbarues “Alea” gjatë seancës dëgjimore, sipas dy kërkesave të Kompanisë “Lirigzoni”, të 26 tetorit 2017, dhe atë njëra për shumën prej 628 mijë e 990 euro e 21 centë dhe tjetra për 2 milionë e 611 mijë e 242 euro, si dhe sipas kërkesës së Kompanisë “Projektuesi” të 10 tetorit 2017 për pagimin e borxhit të pretenduar në shumë prej 197 mijë e 100 euro, i njëjti ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kreditorëve, të pandehurit Haki Haxhiu dhe Xhemajl Ferizi, duke i aprovuar në tërësi të gjitha kërkesat e tyre, edhe pse borxhi nuk ka ekzistuar.

Me këtë, i pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 te KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.5 të KPRK.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-ë dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku dhjetë vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera