Lajme

Marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE mund të kushtëzohet me dialogun me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 13:17 | 19 December 2021

Pavarësisht plotësimit të kritereve dhe paralajmërimit të kryeministrit, Albin Kurti se vitin e ardhshëm do të aplikojnë për anëtarësim në BE, marrja e statusit të vendit kandidat mund të kushtëzohet me progresin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Njohësit e procesit integrues të BE-së, thonë se aplikimi për anëtarësim është afirmim i objektivave strategjike të Kosovës, por asgjë më shumë, pasi dialogu me Serbinë, ngecja në liberalizimin e vizave dhe qasja neutrale e vet BE-së, karshi Kosovës do të vështirësojnë procesin euro-integrues të vendit. Nga ana tjetër, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje thonë se Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për aplikim për anëtarësim në BE dhe se të njëjtën do ta bëjnë vitin e ardhshëm.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, e mirëpret paralajmërimin e ekzekutivit për aplikim për anëtarësim në BE, por thotë se i tërë procesi do të jetë i kushtëzuar me dialogun Kosovë-Serbi.

-Advertisement-

“Aplikimi eventual i Kosovës për statusin e kandidatit për mua do të ishte veçse afirmim i objektivit tonë strategjik i procesit të integrimit evropian, por asgjë më shumë. Pasi krejt procesi do të vazhdojë të jetë i kushtëzuar me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht me krijimin e kushteve për të përmbyllur këtë proces me një marrëveshje siç është projektuar në fillim. Natyrisht është sfiduese, nuk është e qartë nëse do të kemi një marrëveshje as vitin e ardhshëm”, thotë ai për KosovaPress.

Sfiduese marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, po e sheh edhe Emir Abrashi nga Demokracia Plus.

“Në situatën të cilën ndodhemi BE-ja ka një qasje neutrale karshi Kosovës, prandaj edhe nëse arrijmë që përmes një aplikimi të marrim statusin e vendit kandidat ne do të kishim tepër të vështirë navikimin në procesin e anëtarësimit në BE. Ne duhet të kemi parasysh se Republika e Kosovës nuk po arrin as të fitojë liberalizimin e vizave tash e sa vite për shkak të mos koordinimeve brenda për brenda shteteve të BE-së dhe do të ishte tepër e vështirë që në këtë fazë të merrnim statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, thotë Abrashi për KosovaPress.

Më optimiste për marrjen e statusit të vendit kandidat, shprehet deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

Ajo thotë për KosovaPress, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe meriton aplikimin për anëtarësim në BE.

“Ne kemi vendosur që në vitin që vjen të dorëzojmë kërkesën për t’u bërë kandidat sepse i kemi përmbushur gjitha kriteret që BE-ja i kërkuar nga ne në raport me procesin e integrimit. Kemi pasur madje edhe kritere shtesë që janë kërkuar vazhdimisht të cilat po ashtu i kemi përmbushur. Nuk po themi ne që i kemi përmbushur, por për këtë gjë kemi marrë konfirmim edhe nga vet BE… Unë konsideroj se na është bërë një lloj padrejtësie sepse këto kritere nuk kanë pasur fund vazhdimisht janë shtuar por megjithatë është mirë që ne kemi treguar që kemi përkushtimin për realizimin e tyre sepse jemi një shtet me aspiratë drejt BE-së dhe po bëjmë të pamundurën t’i plotësojmë të gjitha kriteret që na kërkohen prej ne si shtet. Prandaj ky nuk është një pretendim është diçka që po e bëjmë bazuar në rezultatin që kemi pasur, në punën që e kemi pasur deri më tani që është pozitive, sukses i arritur dhe tregon që ne jemi të gatshëm të shkojmë drejt BE-së”, thotë ajo.

Kosova dhe Bosnja Hercegovina janë të vetmet shtete në rajon që nuk e kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian./KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera