Lajme

Gjykimi në Hagë ndaj Thaçit e të tjerëve, pranohen edhe 11 viktima tjera për të marrë pjesë në procesin gjyqësor

Autori: Gazeta inFokus 13:51 | 14 December 2021

Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte, janë pranuar edhe 11 viktima për të marrë pjesë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet ndaj tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 10 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake Giju nxori vendimin e dytë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Njëmbëdhjetë parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Ata do të përfshihen në grupin ekzistues 1 (i cili numëron nëntë viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga përfaqësuesja e njëjtë e viktimave”, thuhet në këtë njoftim.

-Advertisement-

Ndërkaq, në vendimin e gjyqtarit paraprak thuhet se viktima 20/06 është viktimë indirekte e krimeve që pretendohet se janë kryer në [REDAKTUAR] (vrasje), kundër një anëtari të ngushtë të familjes i cili përmendet si viktimë në aktakuzën e vërtetuar të korrigjuar;

Për viktimën 22/06 thuhet se është viktimë e krimeve të dyshuara të kryera në [REDAKTUAR] (burgim/arrest i paligjshëm ose arbitrar dhe ndalim dhe persekutim) kundër një anëtari të ngushtë të familjes.

“Duke vënë në dukje se viktima 22/06 pretendon gjithashtu se fati i anëtarit të familjes së saj mbetet i panjohur edhe sot e kësaj dite, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se fushëveprimi i akuzës për zhdukje me forcë është i kufizuar në incidentet specifike të përshkruara në aktakuzën e korrigjuar të konfirmuar dhe në viktimat e identifikuara aty dhe në listë Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se anëtari i familjes së viktimës 22/06 nuk është në mesin e viktimave të përmendura dhe, për rrjedhojë, nuk bie nën sferën e akuzës për zhdukje me forcë, siç parashihet në aktakuzën e vërtetuar të korrigjuar”, thuhet tutje në vendim.

Ndërkaq, për viktimën 26/06 thuhet se është një viktimë indirekte e krimeve që supozohet se janë kryer kundër viktimës 05/06.

Sa i përket, viktimave 33/06, 34/06, 39/06, 40/06 dhe 41/06, në vendim thuhet se janë të gjithë anëtarë të së njëjtës familje dhe janë viktima indirekte të krimeve të supozuara të kryera kundër një të afërmi (përndjekje, burgim/arrestim dhe ndalim arbitrar të paligjshëm, të tjera akte çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë) i cili përmendet në Aktakuzën e Konfirmuar të Korrigjuar

Kurse, për viktimat 36/06, 47 37/06 dhe 38/06 thuhet se janë viktima të drejtpërdrejta të krimeve (burgim/arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë dhe persekutim) dhe ato janë emëruar si viktima.

Lidhur me viktimat 36/06, 37/06 dhe 38/06 thuhet se kanë pësuar dëmtime fizike (të tilla si prerje, mavijosje, lëndime dhe thyerje të krahëve, gishtave dhe dhëmbëve), dëmtim mendor (siç është çrregullimi i stresit post-traumatik, humbje e kujtesës dhe probleme me gjumin ) dhe dëm material (humbje të të ardhurave) si rezultat i drejtpërdrejtë i ndalimit dhe keqtrajtimit të tyre të supozuar;

Kurse, për viktimat 20/06, 22/06, 26/06, 33/06, 34/06 dhe 40/06 thuhet se kanë kanë pësuar dëmtime mendore (si trauma psikologjike, depresion, ankth, humbje, frikë, probleme me gjumin dhe stres).

“Për shkak të virtytit të qenit anëtarë të familjes së drejtpërdrejtë të viktimave të drejtpërdrejta; dhe viktimat 39/06 dhe 41/06, kanë pësuar dëmtim mendor për shkak të marrëdhënies së ngushtë me viktimën e drejtpërdrejtë”, thotë tutje vendimi.

Derisa, gjithashtu thuhet se është refuzuar kërkesa e viktimës 12/06 si e papranueshme.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera