Opinione

(6) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 23:14 | 03 April 2020

Shkruan: Agron HOTI

1. Pse konsolidim shtetësie e jo shkëmbim territoresh? – A nuk ishin dhe a nuk janë SHBA-të investuesi kryesor i pavarësisë së Kosovës si një projekt i suksesshëm amerikan në Ballkan? A janë aq naive SHBA-të dhe Kryetari Trump sa t’iu futen komplikimeve ndërkombëtare për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë siç po pandehin ca qarqe në Kosovë? E nëse kjo u përgënjeshtrua disa herë nga SHBA-të?

Si ka mundësi të ketë dakordim të fshehtë për shkëmbim territoresh, kur kjo pastaj do të mund të përdorej si precendent nga Rusia për pavarësimin e zonave të ndryshme në Pellgun e Detit të Zi, diçka që do të ishte tërësisht kundër politikave të SHBA-së ndaj Rusisë në Ukrainë, Gjeorgji, Armeni e Azerbaixhan, etj.? A nuk do të mund të përdorej një gjë e tillë besa edhe në ndarjen e Maqedonisë së Veriut, Bosnjes e Hercegovinës dhe pastaj Barcelonës, Skocisë, hungarezëve në Rumani, Serbi e Sllovaki, etj? Pse, SHBA atëherë me mjete ushtarake, diplomaci, shërbime inteligjente e sanksione, sfidon seriozisht Rusinë në pellgun e Detit të Zi dhe zona të tjera të botës me qëllimin e vetëm që të mos ia njeh Rusisë territoret e pushtuara?

-Advertisement-

Nëse Kryetari Trump planifikuaka t’i njeh Rusisë territoret e pushtuara në Pellgun e Detit të Zi, a iu dashka të ndajë Kosovën për këtë punë? Po ky është absurd i llojit të vetë, sepse a kanë gjë më jetike dhe më strategjike SHBA-të se sa pengimin dhe parandalimin e Rusisë në zgjerimin e saj drejt Pellgut të Detit të Zi dhe jo vetëm?

A ka gjë më jetike e strategjike për SHBA-të që nga Lufta e Dytë Botërore se sa përpjekja që Rusia të mos ketë qasje në ujëra të nxehta, sidomos në Mesdhe drejt Atlantikut, në Oqeanin Indian dhe atë Paqësor? A mos është rastësi që SHBA-të vazhdimisht bëjnë luftëra në tokë e jo në ujëra? Sepse luftërat eventuale në ujëra do t’i joshnin shtetet e ndryshme që të investojnë në flota detare, diçka që do t’ia sfidonte SHBA-së supremacinë detare në glob? Pra, tërë kjo strategji gjeopolitike e SHBA-së e shtyrë përpara dhe nga Kryetari Trump ashtu siç u shty deri dje nga paraardhësit e tij, a e bëjnë këtë të fundit pro-rus?

2. Pse Grenelli nëse jo edhe Borelli? – Nuk po flasim këtu se a duhet të jemi me SHBA apo me BE, por vetëm se kush duhet të ketë rol prijës në dialogun e mundshëm Kosovë-Serbi. Kjo sepse Kosova në rrafshin ndërkombëtar nuk po mund të ecën përpara, pa u përfunduar problemi me Serbinë për fat të keq. A nuk jemi duke dialoguar me Serbinë që nga viti 2010 me kërkesë të Brukselit? Çfarë të keqe do të kishte që BE, ashtu sikurse gjatë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, të rreshtohej përkrah SHBA-së për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin e Kosovës me Serbinë? A nuk do të ishte ky interes edhe i BE-së?

Edhe fëmijët e dinë që Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos BE-së, ashtu siç nuk kishte rrugë tjetër tërë Evropa Perëndimore kur u çlirua nga SHBA pas Luftës së Dytë Botërore. Fakti që SHBA-të kanë trupa ushtarake në Evropën Perëndimore nuk e bën këtë të fundit më pak pro-BE-së. Fakti që Kosova ka bazën më të madhe amerikane në Ballkan, nuk na bën më pak pro-BE ashtu siç nuk mund ta bëjë më pak pro-BE-së Gjermaninë, e cila po ashtu ka baza amerikane në tokën e saj, përfshirë raketat bërthamore.

A nuk ishte pikërisht SHBA ajo që gjatë tërë luftës së ftohtë, bile edhe sot, i siguronte mbrojtje kolektive BE-së karshi Rusisë dhe eventualisht ndonjë kundërshtari tjetër? Por, a nuk është po ashtu naive të mendohet që politikanët e Kosovës paskan mundësi t’i bëjnë bashkë SHBA-BE për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?

Po të kishim ne aq mundësi sa të mund t’i bënim bashkë SHBA e BE për prolemin tonë, ne do t’a bënim këtë para dhe gjatë luftës në Kosovë. Por jo, gjatë luftës në Kosovë ishte kauza jonë e drejtë ajo që i bëri bashkë, sepse ne ishim të superizoluar dhe po na kanosej shfarosja e nuk kishim mundësi bërjeje bashkë as veten se lëre më SHBA e BE. Pra, nuk na pyetën ne amerikanët dhe evropianët se a do të duhej të beshin bashkë apo jo, por ata thjeshtë vepruan nën kryesimin amerikan dhe sigurisht që kjo solli rezultate.

Nëse Kosova do të ishte aq e fortë sa t’i bënte bashkë SHBA-në me BE-në, atëherë ndoshta s’do të kishim fare nevojë për to, sepse duke qenë mjaftueshëm të fortë do ta zgjidhnim vetë problemin me Serbinë pa pasur nevojë për mbështetjen e tyre. Por ja që nuk jemi aq të fortë dhe nuk e kemi as për së afërmi mundësinë e koordinimit të SHBA-së dhe BE-së sa i përket problemit tonë me Serbinë.

Pse ne jemi aq naiv të fyejmë Grenellin si prorus, kur është pikërisht ky Grenelli që ndërpreu gasin rus drejt Gjermanisë dhe teknologjinë kineze 5G. Po të ishte ky pro-rus pse atëherë ky do të dëmtonte interesat ruse e kineze në Evropë dhe jo vetëm? A s’paskan amerikanët shërbime inteligjente të mjaftueshme, nëse jo më të mirat në botë, për të zbuluar nëse Grenelli qenka pro-rus? Si paska mundësi që Grenell të jetë pro-rus, kur ky promovon interesat e SHBA-së në Evropë, e jo ato ruse e kineze?

Me një fjalë, Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit të plotë në BE. Se kush duhet të ketë rol prijës në dialogun Kosovë-Serbi nuk mund ta përcaktojë Kosova, sepse problemi i Kosovës nuk është vetëm kosovar, por ka qenë, është dhe derisa të zgjidhet plotësisht do të jetë ndërkombëtar.

3. Pse jo standarde të dyfishta? – Në një deklaratë të para disa ditëve Karl Bild, ish Ministri i Jashtëm i Suedisë, pati kritikuar hapur Kryetarin serb, Vuçiç, i cili ndihmave kineze për Serbinë ndaj pandemisë së koronavirusit iu dha aq shumë pompozitet, derisa heshti ndihmat e BE-së që ishim shumëfish më të mëdha se ato kineze. Ndërkohë, që Kosova bëri publike dhe foli me zë duke falënderuar BE-në dhe shtetet anëtare të saj për çdo ndihmë sa i përket luftimit të koronavirusit.

E nëse Serbia që gjenocidoi ish-hapësirat jugosllave, përfshirë Kosovën, joshet, mbështetet, nuk kushtëzohet apo nuk penalizohet për destruktivitet të hapur ndaj Kosovës dhe rajonit, por përkundrazi avansohet edhe më tej në rrugën drejt BE-së, kurse Kosova e gjenociduar nga po kjo Serbi, izolohet, nuk njihet si shtet, vazhdimisht kushtëzohet (shih kushtin për demarkacionin e kufijve për kinse heqje vizash, i cili s’iu kërkua asnjë vendi në Ballkan), bllokohet në rrugën drejt BE-së, etj, a nuk është kjo qasje selektive?

A nuk ishte Kosova në prag të luftës qytetare shkaku i kushtit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, kush ky i vënë pikërisht nga BE, derisa asnjë shteti tjetër nuk i vuri një kusht të tillë? Ndërkohë që mbështetja qytetare për BE-në në Kosovë, edhe përkundër izolimit, vazhdon të jetë më e larta në Evropë. Kusht duhet vënë gishtin në kokë këtu, Kosova apo BE?

A nuk është Kosova vendi i vetëm në Evropë që feston 9 majin, Ditën e Evropës? Pastaj, për dallim prej Serbisë, Kosova që nga viti 1999 ka qenë padyshim vendi më bashkëpunues me BE-në dhe për këtë ka fakte të pamohueshme. Kosova, për dallim prej Serbisë destruktive me njërën këmbë në Evropë e tjetrën në Rusi, është 100% e orientuar kah BE dhe aleanca veriatlantike. Nuk ka asnjë forcë të vetme politike në Kosovë që është e orientuar kah Rusia, siç ka shumë në Serbi.

Pastaj, përderisa BE bën të pamundurën për të neutralizuar forcat populliste nëpër shtetet anëtare të saj, pse bën të kundërton në Kosovë duke mbështetur hapur forcat populliste? A harroi BE, që janë pikërisht këto forca populliste që gjatë tërë ekzistencës së tyre asnjëherë s’ishin pro-evropiane, sulmuan misionin e EULEX-it, sulmuan institucionet shtetërore dhe anatemuan pothuaj çdo gjë që vinte nga Brukseli, përfshirë marrëveshjet me Serbinë, të cilat i inicioi, mbështeti dhe ndërmjetësoi vetë BE?

Ndërkohë që po kjo BE sot anatemon diku më shumë e diku më pak të gjitha ato forca politike që bashkëpunuan me të pa asnjë rezervë që prej vitit 1999 e deri më 2019. Nëse BE dhe popullistët kosovarë thonë se Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor janë të kapura nga forca të ndryshme politike, pse atëherë BE bashkëpunoi me këtë forca në Kosovë e rajon? Kush e detyroi BE-në të bashkëpunojë me këto forca që paskan kapur shtetet? BE nuk dha asnjë shenjë izolimi për këto forca politika kapëse shtetesh, bile në rastin e Kosovës fondet e BE-së deri në vitin 2020 shkuan duke u rritur e asesi zvogëluar.

Pra, nëse BE thirret se është neutrale ndaj zhvillimeve të brendshme, një anim i hapur, a e rrit apo zvogëlon besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj BE-së? Po pjesa tjetër në Kosovë që nuk ka votuar popullistët, si do të mund ta shihnin këtë anim dhe qasje selektive të BE-së? Nëse vetëm 26% në Kosovë kanë votuar popullizmin, a mund të konsiderohet fajtore pjesa e mbetur prej 74% për mos-votim të popullizmit, të cilin BE në territorin e saj e sheh si tepër të dëmshëm nëse jo edhe të rrezikshëm për të sotmen dhe për të ardhmen e saj?

Nëse forcat populliste në Kosovë provokojnë partnerin e tyre qeverisës drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme mu në kohë pandemie globale, a nuk ishte kjo papërgjegjshmëri karshi temave të mëdha që prisnin Kosovën, përfshirë gjendjen e rëndë me koronavirusin? Nëse popullistët presin ri-konfirmim të fuqishëm në zgjedhje të jashtëzakonshme, siç edhe e thonë në deklarata publike, atëherë a ishte provokimi i rastësishëm apo i qëllimshëm?

Nëse në situata hipotetike popullistët pas një rikonfirmimi në zgjedhje do të duhej të bënin koalicion, atëherë me kë do të duhej të bënin kur nuk kanë lënë një minimum bashkëpunimi me asnjë forcë politike. E nëse popullistëve do t’iu duhej të bënin koalicion me subjekte tjera, të cilat me BE-në deri dje bashkëpunuan pa rezervë, a do të mund të bashkëpunonte atëherë BE me këto forca, të cilat nga popullistët anatemohen e linçohen në të gjitha drejtimet e mundshme që rrafsh 15 vite?

A më mirë është të bashkëpunohet me BE siç ndodhi prej vitit 1999 deri në 2019, apo të sulmohet misioni i saj i EULEX-it, të sulmohen institucionet vendore (me gaz, gurë, molotov e granata) që u mbështeten vazhdimisht nga BE, të sfidohen të gjitha marrëveshjet e Brukselit të iniciuara dhe ndërmjetësuara nga vetë Brukseli, të mos votohet MSA, etj. apo si është më mirë?

Nëse BE na thotë që popullistët në Kosovë erdhën me vota, e me çfarë erdhën në pushtet popullistët e BE-së, me vota apo me revolucion? Nëse popullistët e BE-së thonë, të cilët në fakt e thonë hapur bile, që lidershipet e BE-së dhe vendeve të saj janë të korruptuara, a i bie që edhe establishmenti politik i BE-së dhe vendeve të saj është njëjtë i korruptuar sikurse politika e gjertanishme e Kosovës, kjo e fundit nga popullistët e Kosovës vazhdimissht anatemohet, linçohet dhe etiketohet si superkorruptive?

Popullistët në tërë globin kanë të njëjtën gjuhë dhe të njëjta taktika për të ardhur në pushtet. Nëse në një vend janë të dëmshëm popullistët si ka mundësi që në vendin tjetër të jenë të dobishëm. Ose nëse popullizmi i BE-së dhe vendeve të saj do të ishte i mirë e i dobishëm, pse atëherë BE dhe vendet e saj po bëjnë të pamundurën që t’i neutralizojnë këtë forca?

Imagjinoni një BE dhe vende anëtare të saj ku në pushtet do të ishin 100% forcat populliste? Si do të dukej BE në një format të tillë? A do të ekzistonte BE? Imagjinoni sikur AfD dhe Pegida e Gjermanisë të drejtonin Qeverinë Gjermane dhe të kishin shumicën në Bundestag? Imagjinoni popullistët të kishin Qeverinë dhe Parlamentin në Austri, Francë, Itali e Holandë? A nuk ishin partitë populliste (anti-establishment) ata që përçanë si është më së keqi BE-në derisa kjo polli Brexit-in, apo mos BE u përça nga forcat politike rezonuese që BE-në e shohin si të ardhmen e vetme të tyre? Nëse popullstët në BE kanë filluar të bëhen të pamenagjueshëm, atëherë ç’mund të na presë ne në Kosovë me një demokraci të re, nëse jo ende të brishtë dhe të pakonsoliduar.

Duke parë kësi lloj zhvillimesh qytetari i Kosovës është plotësisht i hutuar dhe ç’orientuar për rezonimin që duhet treguar. Kjo sepse, nëse qytetarët e Kosovës deri dje paskan menduar që bashkëpunimi i parezervë i Qeverive të Kosovës me BE-në paska qenë diçka e mirë për vendin dhe Integrimin Evropian, kurse sulmet e popullistëve ndaj BE-së paskan qenë të këqija dhe kundër Integrimit Evropian, si do të duhej të mendonin tash e tutje qytetarët e Kosovës me popullistët tashmë në pushtet dhe me një të kaluar të tyre thellësisht anti-BE?

A i bie kjo që sa më shumë që dikush në Kosovë kritikon dhe besa edhe sulmon BE-në, siç deri dje bënë haptazi dhe parreshtur popullistët, aq më mirë trajtohesh nga BE, ndërsa sa më bashkëpunues që je, aq më keq i ke punët me BE-në? Me një fjalë, me qasjen aktuale të BE-së, qytetarët e Kosovës nuk e dinë se a është më mirë të kritikohet apo lavdërohet BE. Megjithatë, jam i bindur edhe përkundër këtyre shtrëngesave të përkohëshme mes Kosovës dhe BE-së, shqiptarët e Kosovës nuk do të lëkunden kurrë në orientimin e tyre pro-evropian. (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera