Uncategorized

Xi – Merkel : Paqja dhe zhvillimi,vizion i përbashkët

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 14 October 2021

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të mërkurën një videotakim me kancelaren gjermane Angela Merkel. Gjatë takimit, ata rishikuan zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Gjermani e Kinë-BE dhe shkëmbyen thellësisht mendime mbi çështjet përkatëse.

Duke e quajtur Merkelin si një mike të vjetër të popullit kinez, Xi vlerësoi kontributin e saj për marrëdhëniet Kinë-Gjermani dhe Kinë-BE.

Ai tha se ka shkëmbyer shumë herë mendime të thella me kancelaren Merkel mbi marrëdhëniet dypalëshe, çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale dhe eksperiencat qeverisëse, duke çuar përpara marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh.

-Advertisement-

Xi shtoi që, në bazë të frymës së bashkëpunimit, Kina dhe Gjermania kanë arritur një gjendje me përfitime të ndërsjella, duke shfrytëzuar përplotësimin ekonomik mes të dy vendeve.

Teksa viti i ardhshëm do të jetë 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Gjermanisë, Xi tha se është e rëndësishme që të ruhet drejtimi i duhur i marrëdhënieve dypalëshe.

Ai theksoi që Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet e saj me Gjermaninë nga ana strategjike dhe largpamëse. Pala kineze është e gatshme të ruajë kontaktet e nivelit të lartë me palën gjermane dhe të promovojë njohjen e ndërsjellë dhe miqësinë mes dy popujve.

Kreu i shtetit i Kinës bëri thirrje që të dy palët të eksplorojnë më thellësisht potencialin e bashkëpunimit në fushat tradicionale, si edhe në fushat e reja, si transformimi i energjisë dhe ekonomia e gjelbër e digjitale.

Duke pasur parasysh që Kina dhe Evropa mbështesin multilateralizmin, liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e investimeve dhe se interesat e përbashkëta të Kinës dhe Evropës i tejkalojnë kontradiktat dhe dallimet, Xi vuri në dukje se paqja dhe zhvillimi janë një vizion i përbashkët për të dyja palët.

Xi u bëri thirrje të dy palëve t’i shikojnë marrëdhëniet mes tyre nga një perspektivë më e gjerë, ta kuptojnë njëra-tjetrën në mënyrë objektive e të gjithanshme dhe të trajtojnë diferencat e mosmarrëveshjet në mënyrë racionale, konstruktive dhe gjakftohtë. Ai e nxiti gjithashtu BE-në të bëjë gjykim të pavarur dhe të realizojë autonominë strategjike.

Nga ana e saj, kancelarja Angela Merkel vuri në dukje që ajo gjithmonë ka mbështetur zhvillimin nga BE-ja të marrëdhënieve me Kinën në mënyrë të pavarur e autonome dhe se të dyja palët duhet të shtojnë dialogun dhe shkëmbimin e mendimeve për çështjet ku ka diferenca dhe mosmarrëveshje.
Ajo shprehu besimin që marrëdhëniet BE-Kinë mund të vazhdojnë të zhvillohen, edhe pse ekzistojnë faktorë të ndërlikuar, duke shtuar që do të vazhdojë të bëjë përpjekje aktive për shtimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit Gjermani-Kinë dhe Europë-Kinë.

Merkeli vlerësoi edhe përpjekjet e Kinës për përballimin e ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e diversitetit biologjik.

Ajo theksoi që dy palët duhet të ngulin këmbë në multilaterizmin për të përballuar sfidat globale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera