Vuçiq: Heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e së enjtes
Autori: Gazeta inFokus 23:54 | 28 December 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai.
Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.
Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Në takim, ai tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.
Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Vuçiq tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.
“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai.
Duke folur për kërkesën e serbëve për të mos lejuar hyrjen e forcave speciale të Kosovës në veri, ai përmendi deklaratën e misionit të NATO-s (KFOR) të datës 28 dhjetor.
“Ne kemi një dokument të posaçëm që i jep të drejta edhe popullit serb në veri të Kosovës edhe shtetit të Serbisë, por gjithashtu i imponon KFOR-it obligim që të parandalojë hyrjen e forcave të sigurisë së Kosovës në veri për herë të parë”, tha ai.
Deri më tani Serbia ka qenë zëshëm kundër dërgimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, një marrëveshje për një gjë të tillë nuk është arritur kurrë.
Kosova ka marrëveshje me NATO-n që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe kjo nuk ka qenë çështje e diskutimit.
Para nisjes së takimit, presidenti i Serbisë tha se do të “pranojë çdo vendim” të serbëve nga Kosova lidhur nga barrikadat në veri.
Ai tha se pret që serbët “të vijnë me kërkesa për të dhe për Serbinë”, dhe shtoi se ata nuk i besojnë as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së, e më së paku kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi më herët se Vuçiqi u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.
Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët më 28 dhjetor, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Kryetari i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë, Goran Rakiq tha sot se serbët refuzojnë të tërhiqen nga barrikadat, edhe pse Vuçiqi mendon se kjo do të ishte një gjë e mirë.
Tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor.
Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar.
Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura.
Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.
Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët./REL
Të tjera
-
Ish-ambasadori i Shqipërisë: Asociacioni, kusht që nuk lidhet me Këshillin e Evropës
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, ka thënë se vendosja e As...
-
Momenti kur Edi Rama i përkulet shqiptarëve në Greqi
Në një fjalim të mbajtur në Athinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori...
-
Ja kur pritet të hapet pishina e Gërmisë
Stina e verës po afron, ndërsa për qytetarët e kryeqytetit, Pishina e Gërmisë...
-
“I vdiq djali përpara…”- Halil Kastrati rrëfen historinë prekëse me ish-ushtarin e UÇK-së!
Humanisti i njohur, Halil Kastrati, në një intervistë dhënë për dokumentarin ...
-
Çejku: Presidentja Davkova, e pamatur në shmangien e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut
Arben Çejku, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Qeverisje të Mirë tha për Zërin ...
-
Nesër takohen Kurti e Krasniqi, në tavolinë dy tema
Kryeministri Albin Kurti do të presë të hënën në takim kryetarin e Partisë De...
-
Sveçla dhe Hoxha vizitojnë policin që u plagos gjatë intervenimit në një vjedhje në Kishën e Zllakuqanit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Koso...
-
Rama reagon pas takimit me shqiptarët në Athinë: Faleminderit nga zemra, hapim një kapitull të ri vëllazërimi me Greqinë
Kryeministri Edi Rama përmbylli ndalesën e parë të rrugëtimit në komunitetet ...
-
Falsifikimi i euros, Banka e Shqipërisë apelon tek qytetarët për kujdes
Monedha kombëtare në qarkullim, në fund të vitit 2023, arriti në 408 miliardë...
-
Sveçla shfaqet duke lundruar në Ujman
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla këtë të diel ka lundruar në Liq...
-
Kurti flet për projekte infrastrukturore: Do kontribuojnë në lidhjen e shqiptarëve
Kryeministri Albin Kurti, ka folur dje në Prizren për projekte infrastrukturo...
-
Haradinaj: Rahoveci e dëshmoi kontributin ndaj Atdheut përmes shumë luftëtarëve të zotë, sa që edhe historia do të rrëfejë për ta
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marr...