Lajme

Von der Leyen: Dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor duhet të ndalet

Autori: Gazeta inFokus 20:04 | 24 November 2023

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyne, tha më 24 nëntor se rritja e dhunës nga ekstremistët në Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli, duhet të ndalet.

Dhuna nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor është rritur që nga 7 tetori, kur Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit.

“Ne duhet të parandalojmë që dhuna të përhapet, prandaj një bashkëjetesë paqësore është e mundshme vetëm përmes zgjidhjes me dy shtete”, tha Von der Leyen gjatë një konference për media në Kanada, së bashku me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

-Advertisement-

“Populli palestinez dhe fqinjët arabë kanë nevojë që të sigurohen se nuk do të zhvendosje të dhunshme, por një perspektivë të qëndrueshme, me një shtet të pavarur palestinez – me ribashkimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor – dhe të qeverisur nga Autoriteti Palestinez i reformuar. Dhe për këtë qëllim, dhuna e papranueshme e ekstremistëve në Bregun Perëndimor duhet të ndalet”, shtoi ajo.

Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden, tha po ashtu se SHBA-ja është e gatshme të vendosë ndalesa të vizave kundër “ekstremistëve” që sulmojnë civilët në Bregun Perëndimor.

Po ashtu, sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron, i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë, atë që ai e cilësoi si “dhunë krejtësisht të papranueshme” nga kolonët në Bregun Perëndimor.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, që palestinezët duan që të jetë pjesë thelbësore e shtetit të tyre të ardhshëm, në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Që atëherë, atje janë ndërtuar vendbanime hebreje, që shumë shtete i konsiderojnë ilegale. Izraeli hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se me këtë territor ka lidhje historike dhe biblike.

Bregu Perëndimor është shtëpi e 3 milionë palestinezëve të cilët jetojnë në mesin e mbi gjysmë milion kolonëve hebrenj./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera