Lajme

Ukraina do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare në OKB për formulën e saj për paqe

Autori: Gazeta inFokus 10:37 | 13 January 2023

Zëvendës ministrja e jashtme ukrainase tha të enjten se Kievi do të përpiqet për miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku do të mishërohet formula prej 10-pikash e Presidentit Volodymyr Zelensky.

“Udhëheqësit ukrainas vendosën se prioriteti numër një që do të shqyrtohet në muajin shkurt është rezoluta kushtuar formulës së paqes”, u tha gazetarëve Emine Dzhaparova, pasi ndoqi një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për funksionimin e shtetit ligjor.

Më 24 shkurt mbushet një vit që kur Presidenti rus Vladimir Putin nisi sulmin frontal ndaj Ukrainës.

-Advertisement-

Gjatë takimit të G20-ës në nëntor, Presidenti ukrainas Zelensky iu drejtua pjesëmarrësve me video dhe prezantoi vizionin e tij prej 10 pikash për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj vendit të tij.

Presidenti Zelensky duke iu drejtuar takimit të G-20ës në nëntor 2022
Presidenti Zelensky duke iu drejtuar takimit të G-20ës në nëntor 2022

Ndër pikat e paraqitura përfshihej tërheqja e forcave ruse dhe ndalja e luftimeve, si dhe siguria bërthamore, ushqimore dhe energjitike, lirimi i të burgosurve të luftës dhe i personave të deportuar.

“Ambasadori Kyslytsya do të punojë tashmë për të arritur shqyrtimin e kësaj rezolute, pasi mund të bëjmë thirrje për një sesion të posaçëm për miratimin e saj”, tha zonja Dzhaparova.

Ajo theksoi se formula për paqe është një bazë për diskutime, por nuk do të thotë se Kievi është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje që do të ishte kundër interesave të tij.

“Jemi shumë të angazhuar për një negocim për paqe që na sjell vetëm një rezultat: integritet territorial, sovranitet, paqe për njerëzit tanë”, tha ajo. “Por, siç ka thënë vazhdimisht presidenti im, nuk do të shkëmbejmë asnjë centimetër nga toka ukrainase, dhe pa nxjerrë nga Ukraina ushtrinë ruse, ne nuk do të diskutojmë për negociata paqeje”, tha ajo.

Emine Dzhaparova
Emine Dzhaparova

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë megjithatë se zyrtarët e Kremlinit do të refuzojnë të përdorin formulën e presidentit ukrainas si bazë për negociata, dhe e quajti synimin e Kievit për ta larguar Rusinë nga Ukraina lindore dhe nga Krimea “një iluzion”.

Kremlini njoftoi më 5 janar se Presidenti rus Putin i ka thënë Presidentit turk Tayyip Erdogan se Moska do të ishte gati për bisedime paqeje vetëm me kushtin që Ukraina “të ketë parasysh realitetin e ri territorial”, një referencë kjo për një njohje nga Kievi të territoreve të aneksuara.

Zonja Dzhaparova tha se Ukraina do të kërkojë këtë vit gjithashtu një rezolutë të dytë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për krijimin e një tribunali të posaçëm për të mbajtur përgjegjës udhëheqësit rusë për sulmin dhe krimin e agresionit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë po heton tashmë për krime të mundshme lufte dhe krime ndaj njerëzimit të kryera në territorin ukrainas që kur filloi sulmi i forcave ruse./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera