Lajme

Përfundon takimi i prindërve dhe Thaçin në Hagë, flet babai: “Po na merr malli, n’Kosovë e kanë venin e jo këtu”

Autori: Gazeta inFokus 17:07 | 19 May 2024

Ka përfunduar vizita e prindërve të ish-presidentit Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Babai dhe nëna e Thaçit ishin sot për vizitë tek ai, pas dy vitesh kur e kishin takuar për herë të parë që nga dorëheqja dhe dërgimi i tij në Hagë.

Pas daljes nga Njësia e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara, babai i ish-presidentit Thaçi u shpreh i lumtur që e pa sërish djalin e tij.

“Jemi të lumtun që na u dha rasti me ardh, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh.

-Advertisement-

Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë venit, Kosovës. Pa marrë parasysh që u kanë i nxanun me punë të shtetit, Hashimi gjithë ka gjetë kohë edhe ka ardh me na pa në Brojë. Se na pleq, i kemi ba do vjet, mezi po himë e po dalim në kamë tona. Ishalla nuk shkon gat e kthehen tanë, jo veç djali jonë, po krejt këta shokët këtu, kthehen n’shpi të veta, qaty ku kanë punu shumë për qat Kosovë mu ba e lirë e shtet i pamvarun. I presim na familja me u kthy sa ma shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë e jo këtu”, ka thënë babai i ish-presidentit Thaçi, Haxhi Thaçi.

Ndryshe, vizita e parë dhe e vetme e prindërve të Thaçit në Hagë ishte më 8 qershor 2022. Pas kësaj periudhe të gjatë që nuk e kishin parë djalin e tyre, Haxhi Thaçi dhe Hyra Thaçi që po i afrohen moshës 90-vjeçare, sot sërish kanë marrë rrugën e largët nga Kosova drejt Hagës për t’u takuar dhe çmallur me djalin e tyre.

Nën masa të rrepta të sigurisë dhe me kufizime të shumta, Thaçi ishte lejuar në vitin e kaluar që t’i vizitonte dy prindërit e tij për disa orë në Kosovë, pas përkeqësimit të gjendjes së nënës së tij, e cila siç u pa edhe nga pamjet e sotme, me vështirësi të shumta edhe arrin të ec me këmbët e saj.

Pasnesër, më 21 maj, është një prej seancave më të rëndësishme të procesit gjyqësor në rastin ‘Thaçi dhe tjerët’, ku pritet të rishqyrtohet edhe kohëzgjatja e gjykimit dhe numri i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera